Perspektiva për Mbretërinë e Bashkuar dhe ekonominë globale është “përkeqësuar materialisht” për shkak të presioneve të inflacionit, të nxitura kryesisht nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, të cilat shtuan akoma më shumë probleme për financat e familjeve dhe të bizneseve britanike, ka paralajmëruar Banka e Anglisë (BoE).
Përkeqësimi i perspektivës ekonomike ka shkaktuar paqëndrueshmëri në tregjet globale në muajt e fundit, me akoma më shumë turbulenca të mundshme që priten në vazhdim, tha Banka në raportin e saj tremujor mbi shëndetin e sistemit financiar të Mbretërisë së Bashkuar.
Bankat në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të lënë mënjanë më shumë para për të absorbuar goditjet në tregje duke filluar nga viti i ardhshëm, por ato janë në gjendje të mirë për të ofruar mbështetje kreditore për familjet dhe bizneset, thuhej në raport.
“Perspektiva ekonomike për Mbretërinë e Bashkuar dhe në rang global është përkeqësuar materialisht,” tha BoE në Raportin e saj të fundit të Stabilitetit Financiar. “Çmimet e mallrave thelbësore, të tilla si ushqimi dhe energjia, janë rritur ndjeshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në rang global, ndërsa perspektiva për rritje ekonomike është përkeqësuar. Kjo gjendje është kryesisht rezultat i pushtimit të paligjshëm rus në Ukrainë.”
“Ҫmimet më të larta, rritja më e dobët ekonomike dhe shtrëngimi i kushteve të financimit do ta bëjnë më të vështirë për familjet dhe bizneset që të paguajnë ose të rifinancojnë borxhin. Nisur nga kjo, ne presim që familjet dhe bizneset të kalojnë një gjendje më të shtrënguar financiare gjatë muajve të ardhshëm. Ato gjithashtu do të jenë më vulnerabël ndaj goditjeve të tjera në ekonomi.”
Zyrtarët e BoE kanë urdhëruar bankat në Mbretërinë e Bashkuar që të ruajnë 2% të kapitalit të tyre – rreth 22 miliardë paund – si pjesë e një amortizatori kundërciklik të kapitalit, duke filluar nga kjo periudhë e vitit të ardhshëm.
Ky amortizator – i cili është bërë pjesë e masave në vazhdën e një krize financiare për të siguruar që bankat të kenë një fond të gatshëm për ditët më të këqija – u reduktua në zero gjatë pandemisë, pasi miliarda paund u shpërndanë për të ndihmuar bizneset dhe familjet. Zyrtarët theksuan se ata janë gati që të shpërndajnë sërish para, sidomos nëse ekonomia performon më keq nga sa pritet aktualisht.
Megjithatë, Banka tha se shumica e familjeve dhe e bizneseve hynë në krizën aktuale financiare me nivele relativisht të ulëta të borxhit dhe do të ishin në një pozicion të ngjashëm edhe në dhjetor.
Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës ka rritur çmimet e mallrave dhe inflacionin në nivelin më të lartë të 40 viteve të fundit, shumica e familjeve dhe e bizneseve pritet të përballojnë barrën shtesë financiare pa kaluar në pamundësi për të paguar kreditë e tyre.
Inflacioni pritet të rritet në 11% gjatë këtij viti, ndërsa norma bazë e interesit e bankës qendrore mund të rritet deri në 3% deri në fund të vitit 2023, sipas disa ekonomistëve.
Rritja e kostove pritet të ulë standardin e jetesës së shumë familjeve, duke futur shumë prej tyre në vështirësi financiare.
Megjithatë, banka tha se rreth 80% e kredive hipotekore në Mbretërinë e Bashkuar janë me marrëveshje me normë fikse dhe, pavarësisht se 40% e tyre do të duhet të rifinancohen gjatë 18 muajve të ardhshëm, debitorët janë në një pozicion të mirë për të përballuar normat më të larta të interesit.
Megjithatë, banka qendrore, e cila shërben si një rregullator për bankat e nivelit të dytë dhe kompanitë e sigurimeve, tha se përkeqësimi i perspektivës ekonomike globale, me inflacionin që po godet fuqinë e shpenzimeve të konsumatorëve dhe fitimet e kompanive, paraqet një sërë rreziqesh për sektorin financiar në të gjithë botën.
“Kjo perspektivë është subjekt i shumë pasigurive të konsiderueshme dhe ka një sërë rreziqesh që mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin financiar të Mbretërisë së Bashkuar,” tha BoE.
Shkalla e papunësisë në Britani do të rritet gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa fitimet e kompanive do të vihen nën presion “veçanërisht në sektorët që konsumojnë nivele të larta të energjisë, si dhe në ata sektorë që janë më të ekspozuar ndaj rënies në të ardhurat reale të familjeve”, thuhet në raport.
Tregjet e mallrave janë bërë më të paqëndrueshme, duke shtuar akoma më tepër rreziqet për tregjet financiare.
Blerësit e grurit, e metaleve dhe të naftës do të kenë nevojë për të marrë fonde hua me vlerë disa herë më shumë se shumat e kërkuara gjatë vitit të kaluar, në mënyrë që të mund të blejnë të njëjtën sasi mallrash, duke vendosur në vështirësi huadhënësit.
Në raport thuhet se rritja e normave të interesit nga shumë prej bankave qendrore të botës do të vinte gjithashtu në vështirësi kompanitë dhe qeveritë që kanë nivele të larta të borxhit.
Kompanitë amerikane dhe kineze që kanë marrë shumë hua dhe qeveritë e BE-së me nivele të larta të borxhit janë përballë një rreziku potencial, shtoi raporti./ The Guardian