Banka e Anglisë (BoE) ka intensifikuar shtrëngimin e politikës monetare, duke rritur dy herë radhazi normat e interesit (me dy shkallë njëherazi), për herë të parë që nga viti 2004, pasi banka qendrore parashikoi se inflacioni do të rritet në 7.25 për qind në prill, shkruan Financial Times.
Me një shumicë prej pesë me katër, Komiteti i Politikës Monetare (MPC) të Bankës votoi për rritjen e kostos së huamarrjes të enjten nga 0.25 për qind në 0.5 për qind. Pakica donte një rritje edhe më të madhe në 0.75 për qind për të kontrolluar presionet në rritje inflacioniste.
Rritja e normave zyrtare të interesit, së bashku me nivelin më të lartë të inflacionit në 30 vjet do të tkurrë të ardhurat e disponueshme të familjeve me 2 për qind këtë vit, dhe efekti do të vijojë me 0.5 për qind në vitin 2023. Kjo do të ishte ulja më e madhe vjetore e fuqisë blerëse që nga të paktën 1990, thanë zyrtarët e BoE.
Si rrjedhojë, kjo do të ndikojë në uljen e shpenzimeve dhe do të reduktojë normën e rritjes në Mbretërinë e Bashkuar me rreth 1 për qind në vit. Megjithatë, frenimi i familjeve pritet të ndihmojë në uljen e inflacionit drejt objektivit prej 2 për qind të Bankës brenda dy viteve, tha MPC.
Në një përpjekje për të rritur fuqinë e shtrëngimit monetar dhe për të ulur inflacionin, MPC votoi unanimisht për të mos riinvestuar asnjë prej 875 miliardë £ të obligacioneve qeveritare që ka blerë në kuadër të programeve të lehtësimit sasior, kur ato maturohen.