Prej muajit shtator, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) ka një drejtues të ri. Pas pesë vjetësh, Muhamed Prlja është larguar për t’ia lënë vendin një tjetër bankieri nga Bosnjë-Hercegovina, Amel Kovačević.
Kovačević në vitet e fundit ka gërshetuar një karrierë në sektorin bankar me detyra politike dhe diplomatike. Para se të merrte drejtimin e UBA, ai ka qenë ministër i Financave i Kantonit të Sarajevës, ndërsa në periudhën 2010-2013, ka mbajtur detyrën e Ambasadorit të Bosnjës në Kinë dhe Mongoli.
Në sektorin bankar, detyra e tij më e rëndësishme ka qenë ajo e drejtorit të Bankingut me Pakicë në Bosna Bank International (BBI), një ndër institucionet e pakta të bankingut islamik në tregjet e Ballkanit Perëndimor. Banka në fjalë është themeluar nga tre banka islamike dhe aksioneri kryesor është Banka Islamike për Zhvillim, i njëjti institucion financiar që kontrollon edhe UBA-n. Kjo është arsyeja që drejtuesit e UBA-s në vitet e fundit kanë ardhur kryesisht nga Bosnjë-Hercegovina dhe BBI.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë është banka më e vogël në sistemin bankar shqiptar. Në fund të qershorit, UBA kishte një total aktivesh prej 9.1 miliardë lekësh, ose 0.6% e tregut. Për gjysmën e parë të vitit, UBA raportoi rezultat financiar me humbje në vlerën e 12 milionë lekëve.
Mbështetur në të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave, UBA vepron me gjashtë degë dhe një staf prej 75 punonjësish. Megjithëse është themeluar që në vitin 1993, UBA nuk ka arritur të fitojë ndonjëherë pjesë të rëndësishme në tregun bankar shqiptar.
UBA kontrollohet në masën 72.2% nga Banka Islamike për Zhvillim dhe operon mbi parimet e bankingut islamik. Megjithatë, pritet që gradualisht kontrolli i UBA të merret nga kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig. Eurosig hyri në UBA në gusht të vitit të kaluar, duke blerë 9% të aksioneve, ndërsa gjatë një viti e ka rritur gradualisht pjesëmarrjen në 16.88%, nëpërmjet blerjes së kuotave nga aksionerë ekzistues, por edhe duke nënshkruar aksione të reja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.