Banka e Kosovës paralajmëron qytetarët e saj për Bitcoin, askush nuk ju rimburson po humbët

01/07/2017 3:51 PM 0 komente

Banka i referohet paralajmërimeve të mëparshme të Autoritetit Bankar Europian. Ja cilat janë rreziqet

Në fillim të muajit qershor, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar një deklaratë, ku ka paralajmëruar qytetarët lidhur me përdorimin e mundshëm të parave virtuale në Republikën e Kosovës.

Sipas bankës Qendrore të Kosovës, përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura.
Banka i referohet në njoftimin e saj informacionit që është publikuar nga Autoritetit Bankar Europian (EBA).

Paralajmërimet e Autoritetit Bankar Europian

Në faqen e Autoritetit Bankar Europian (EBA) gjenden informacione të shumta mbi monedhat virtuale.
EBA ka lëshuar herë pas herë paralajmërime mbi rreziqet me tw cilat mund të përballen individët që përdorin monedhat virtuale, siç është Bitcoin. EBA paralajmëron se klientët nuk janë të mbrojtur nga rregullatorët, kur përdorin monedhat virtuale si një mjet pagese dhe mund të përballen me rrezikun e humbjes së parave. EBA gjithashtu ka shtuar se nuk ka asnjë garanci mbi qëndrueshmërinë e monedhës virtuale. Paralajmërimi është lëshuar pasi Autoriteti ka vlerësuar të gjitha aspektet e lidhura me monedhat virtuale, në mënyrë që të identifikojë nëse monedhat virtuale mund të rregullohen dhe mbikëqyren.

Sipas Autoritetit Bankar Europian, ndërsa monedhat virtuale vazhdojnë të rrisin popullaritetin e tyre, klientët duhet të bëjnë kujdes dhe të jenë të ndërgjegjshëm lidhur me rreziqet që lidhen me përdorimin e tyre. Në veçanti, klientët duhet të bëjnë kujdes me platformat e këmbimit, pasi në përgjithësi janë të mbikëqyrura dhe nuk janë si bankat që të mbajnë monedhën e tyre virtuale si një depozitë. Aktualisht, nuk ekziston asnjë rregullator mbrojtës në Bashkimin Europian që të mbrojë konsumatorin nga humbjet financiare, nëse ndonjëra nga këto platformat online, që merren me këmbimin dhe me depozitimin e monedhave virtuale, falimenton apo dështon.
EBA shton në njoftimin e saj se portofolat dixhitalë që mbajnë monedhat virtuale të klientëve të ruajtur në kompjuterë, laptopë apo smartphone, nuk janë të paprekshëm nga hakerët. Sipas EBA janë raportuar raste të humbjeve të mëdha në monedhën virtuale, pa perspektivë kthimi mbrapsht të shumës së humbur. Gjithashtu, në rastet e përdorimit të monedhës virtuale si mjet për transaksionet tregtare, nuk ka asnjë ligj në Bashkimin Europian që mbron klientët.

Autoriteti Bankar Europian gjithashtu rikujton se transaksionet në monedhë virtuale mundësojnë një shkallë të lartë anonimiteti, që mund të përdoret për aktivitete kriminale, përfshirë dhe pastrimin e parave. Ky shpërdorim mund të bëjë që agjencitë ligj-zbatuese të mbyllin platformat e këmbimit dhe të ndalojë që klientët të kenë akses apo të marrin mbrapsht fondet që mund të kenë në këto platforma.
Klientët duhet të jenë të vetëdijshëm se përdorimi i monedhave virtuale mund të ketë pasoja tatimore dhe duhet të sigurohen nëse në shtetin e tyre aplikohet taksë në rastin e përdorimet të monedhave virtuale.

Në fund, Autoriteti Bankar Europian rekomandon konsumatorët kur ata blejnë monedhë virtuale duhet të kuptojnë karakteristikat e tyre specifike dhe të mos përdorin sasi parash të vërteta që nuk mund t’i përballojnë që t’i humbasin.

 

EBA: Konsumatori nuk mbrohet

Aktualisht, nuk ekziston asnjë rregullator mbrojtës në Bashkimin Europian që të mbrojë konsumatorin nga humbjet financiare, nëse ndonjëra nga këto platformat online, që merren me këmbimin dhe me depozitimin e monedhave virtuale, falimenton apo dështon.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of