Banka e Pireut shet degën serbe te Direktna Banka, në plan edhe filiali i Shqipërisë

19/10/2017 11:28 AM 0 komente

Banka e Pireut e Greqisë tha se ka rënë dakord të shesë operacionet e saj bankare dhe leasing-ut në Serbi tek huadhënësi i Serbisë, Direktna Banka, për një shumë që vlerësohet mes 58-61 61 milionë eurosh, raporton See Neëw.

Shuma e saktë do të varet nga performanca financiare e aktiveve të shitura deri në përfundimin e transaksionit dhe do të përfshijë një kombinim të çmimit të drejtpërdrejtë të shitjes dhe një reduktim të njëkohshëm të kapitalit të Bankës Piraeus Beograd AD, tha huadhënësi grek në një deklaratë të martën.

Marrëveshja pritet të mbyllet në tremujorin e parë të 2018, pas pranimit të të gjitha aprovimeve të nevojshme dhe nuk do të ndikojë në treguesit e kapitalit, shtoi banka.

“Në përputhje me angazhimet e Planit tonë të Ristrukturimit për të zvogëluar praninë tonë ndërkombëtare, ne po shpallim shitjen e operacioneve tona serbe tek Direktna Banka pas një procesi shumë konkurrues shitjeje. Ne besojmë se klientët dhe punonjësit e Piraeus Bank AD Beograd do të përfitojnë nga të qenit pjesë e një grupi të zgjeruar bankar dhe ne presim me përfundimin në kohë të transaksionit “, tha në deklaratë Drejtori i Përgjithshëm i Pireut, Christos Megalou.

Në qershor, media greke njoftoi se Banka e Pireut synon të shesë filialet e saj në Shqipëri, Bullgari, Rumani dhe Serbi si pjesë e një plani për të ulur ekspozimet e huaja. Plani i Pireut përfshin zvogëlimin e ekspozimit jo performues të bankës (NPEs) në më pak se 20 miliardë euro deri në vitin 2020 nga 33.3 miliardë euro në tremujorin e parë dhe kreditë me probleme (NPL), me më shumë se 90 ditë vonesë deri në rreth 8 miliardë euro nga 23 miliardë euro në fund të marsit, përfundon artikulli i See News.

 

Bankat greke në Shqipëri

Në Shqipëri, Banka e Pireut zotëron tërësisht filialin e Tirana Bank. Ky i fundit, në qershor 2017 kishte aktive prej gati 79 miliardë lekësh, ose 5.6% të totalit të sistemit, duke qenë e gjashta më e madhja në vend, sipas aktiveve dhe huadhënësi i shtatë më i madh.

Më herët edhe NBG Bank, ka nxjerrë në shitje filialin e Shqipërisë. Transaksioni nuk është mbyllur ende për shkak të ofertës së ulët, teksa interes kanë shprehur Eurosig, FiBank (Banka e Parë e Investimev) dhe ABI (Banka Amerikane e Investimeve). “Monitor” ka mësuar nga burime pranë ofertuesve se një tjetër skenar që po diskutohet është ai i shtyrjes së procesit, kjo për dy arsye kryesore. Së pari, tre ofertat e dorëzuara kanë qenë më të ulëta sesa priste banka. Ofertën më të lartë e ka bërë Eurosig, i dyti është ABI dhe e treta është FIB. Së dyti, krahas ofertës së ulët, bankat që kanë paraqitur ofertë janë relativisht të vogla, ndërsa Eurosig nuk ka përvojë në sistemin bankar. Mësohet që preferenca është mes ABI dhe FIB. http://www.monitor.al/shitja-e-nbg-del-ne-skene-dhe-skenari-i-shtyrjes-ofertat-jane-te-uleta/

Në total, tre filialet e bankave greke në Shqipëri, Tirana Bank, NBG dhe Alpha, zinin 13.6% të totalit të aseteve të sistemit bankar shqiptar, deri në fund të qershorit, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Pesha e tyre është ulur ndjeshëm në krahasim me disa vite më parë, kur ato zinin mbi 20% të totalit të aktiveve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of