Kriza ekonomike dhe pasojat negative të saj, jo vetëm kanë dëshpëruar biznesin, por edhe qeverinë. Në fjalën e tij më të fundit, ministri i Financave, Ridvan Bode, përdori përshkrime biblike, për të dhënë përmasat e një krize të thellë të Eurozonës, që është jo pa efekt mbi Shqipërinë. Prova mbetet të kalojmë “luginën e ferrit”, tha ai, e rrallë për një zyrtar “të ftohtë” statistikash, por edhe vetë natyrën e zotit Bode – duke nënkuptuar se kjo mund të jetë thuajse e pamundur.
Shumë më i drejtpërdrejtë është edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili ka konfirmuar se ekonomia shqiptare mbetet në presion të madh nga konfliktet politike, por edhe nga efektet negative të Eurozonës.
Ai pranoi se nxitja që Banka e Shqipërisë i ka dhënë ekonomisë, duke ulur normën bazë, nuk është përcjellë në treg, prandaj edhe zgjidhjen për zbutjen e efekteve të krizës, guvernatori e shikon jashtë Bankës Qendrore dhe kryesisht te politika.
“Ka ende vend për ekzekutimin e kolateralit, për uljen e rrezikut të perceptuar që vjen nga situata e rënduar politike dhe mungesa e konsensusit, ngadalësimi i reformave dhe mbështetja e shpejtë e reformave të akorduara me Komisionin Europian. Më e rëndësishmja nga të gjitha është se ne duhet të gjejmë një konsensus të madh politik për ta vënë, në këto kohë, ekonominë mbi politikën”, tha Fullani.
Në fakt, masat e Bankës së Shqipërisë, për të nxitur ekonominë, kryesisht përmes kreditimit, kanë rezultuar jo eficiente. Megjithëse, norma bazë është në minimumin e saj historik, 4.25%,
shtesa e kredisë gjatë 4 muajve të parë të këtij viti ka qenë vetëm sa ½ e një viti më parë. Në total, stoku i huasë për biznesin në muajin prill 2012, në raport me muajin e mëparshëm është ulur me 0.07%, ndërsa në krahasim me fundin e 2011-s është rritur me vetëm 1.8%, nga 3.8% që ishte ky zgjerim në periudhën përkatëse të një viti më parë.
Megjithëse kanë likuiditete të nevojshme (ndryshe nga bankat në Eurozonë), bankat shqiptare ndodhen në kushtet e pamundësisë për të rritur kreditimin në nivelin që kërkohet. Për këtë, guvernatori fajëson politikat e ndërmarra nga bankat “mëmë” në Europë, të cilat kanë adaptuar një sjellje që maksimizon përfitimet e tyre si “pronarë”.
“Vendimmarrja e tyre është kushtëzuar krejtësisht prej frikës së humbjes së stabilitetit dhe sovranitetit, që shoqëron problemet aktuale të ekonomisë dhe bankës mëmë. Kjo i ka shtyrë këto vende të marrin masa të njëanshme kundrejt ekonomive tona, duke i trajtuar investimet në vendet tona me rrezik 100%. Kjo vendimmarrje që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ngjarjet brenda Eurozonës, praktikisht ka transferuar problematikën e stabilitetit përkundrejt sovranitetit në ekonomitë tona”.
Kushtet e bankave “mëmë” kanë frenuar bankat në Shqipëri të kreditojnë, në një kohë, kur kapitalet e tyre janë të shëndosha dhe kapacitetet për huadhënie janë të mëdha.
Në kushte të tilla, edhe masat e ndërmarra nga Banka Qendrore për të nxitur kreditimin kanë mbetur në “vesh të shurdhët”, duke mos dhënë fare efekt.
“Janë pikërisht këto arsye që e pengojnë sistemin bankar të financojë ekonominë dhe qeverinë me norma më të ulëta interesi e rrjedhimisht përçimin e politikës monetare të Bankës Qendrore, në lehtësimin e kushteve monetare dhe financiare”, tha Fullani.
Si mund të nxitet
Çështja më e rëndësishme që shtrohet sot është sesi mund të nxitet ekonomia, edhe nëse do të duhet të kalohet përmes “ferrit”….
Ministri i Financave ka konfirmuar se reformat fiskale tashmë janë ezauruar dhe nuk mund të japin ndonjë efekt në nxitjen e ekonomisë. Ndërkohë, shumë ekspertë dhe politikanë i kanë kthyer “sytë” dhe kritikat nga Banka Qendrore për rolin që ajo duhet të marrë në një situatë të tillë.
BSH ka ndërmarrë disa masa gjatë dy viteve të fundit për mbrojtur sistemin financiar nga çdo efekt negativ i krizës. Masa të tilla si kapitalizimi i fitimit, shndërrimi i degëve në banka, administrimi i riskut të kredisë, për të frenuar kreditë e këqija (20.6% e totalit në fund të muajit prill), forcimi i procedurave të huadhënies, kërkesat për përmirësimet për procedurat përmbarimore, ulja e normës bazë të interesit, parashikimi i bankës urë dhe vendime të tjera që lidhen me likuiditetin dhe kontrollin e sistemit bankar është politika që ka ndjekur Banka Qendrore.
Për një pjesë të politikës, këto kanë qenë të pamjaftueshme. Partia Socialiste ka propozuar disa masa. Opozita ka hartuar një projektrezolutë, në të cilën parashikohet edhe një skemë se si Banka Qendrore mund të ndërhyjë në uljen e kredive të këqija, duke shpëtuar njëkohësisht dhe bizneset nga falimentimi. Mbledhja e sforcuar e detyrimeve të prapambetura dhe shitja e aseteve të tyre nuk mund të jetë strategjia e uljes së kredive të këqija. Ndaj në projektrezolutën e paraqitur në Kuvend, por që mazhoranca e rrëzoi me 71 vota, opozita propozonte riskedulim të detyrimeve të prapambetura që do të thotë lënia e një afati për shlyerjen e tyre, para se biznesit t’i sekuestrohet pasuria. Gjithashtu, opozita parashikon përdorimin e një sistemi garancie shtetërore, që do të ndante riskun midis bankave, biznesit dhe qeverisë. Sipas saj, ulja e kostos si dhe rritja e kreditimit të ekonomisë lehtësojnë gjallërimin e ekonomisë, do të rrisnin fitimet dhe do të ulnin kreditë e këqija.
Edhe ish-ministri i Financave në kohën e socialistëve, Anastas Angjeli, ka thënë për “Monitor” se një reagim më i shpejtë e më dinamik ndaj situatës ekonomike e fiskale në vend për t’iu përgjigjur ndikimit të krizës globale dhe të Eurozonës, kreditimit të ekonomisë, frenimit të rritjes së kredive të këqija dhe në veçanti një fleksibilitet më i gjerë në politikën monetare të interesit, ka qenë disi i munguar dhe me ndikim jo pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit.
Risqet
Të njëjtin mendim ndan edhe deputeti i Partisë Demokratike, Selami Xhepa, për cilin BSH duhet të dalë jashtë detyrës së saj së ruajtjes së inflacionit.
“Banka Qendrore duhet të marrë rol drejtues, në ristrukturimin e kredive me probleme, duke ndikuar rast pas rasti. Sistemi bankar duhet të riskedulojë kreditë, të ndryshojë termat e kredive, çfarë do të ulë nivelin e kredive të këqija, duke lehtësuar likuiditetet”. Kryesisht duhet të nxitet kreditimi në sektorët problematikë. Ajo mund t’i ofrojë edhe likuiditete atyre bankave që kanë nevojë dhe duhet të ndërhyjë njëkohësisht për ekzekutimin e kolateralit. Kjo do të mund të lehtësonte kredinë dhe do të hapte “dritare të reja zhvillimi për biznesin, i cili mbetet skeptik për masat e marra deri tani në lehtësimin e kushteve të kredisë dhe është i rënduar nga psikoza që kriza do të thellohet.
Por propozime të tilla, për BSH-në dhe për ekspertë të bankave, janë thikë me dy presa, që nuk duhet kurrsesi të gjejnë zbatim.
Ish-bankieri, Spiro Brumbulli, thotë se propozime të tilla duhen të përjashtohen në mënyrë kategorike. “Çdo lëshim që mund të bëhet aktualisht me portofolin e huave me probleme do të favorizonte prirjen e kaluar të faljes apo të mospagimit të borxhit, duke kultivuar kështu një kulturë negative të mosnjohjes së detyrimit. Fondet për hua janë nga depozitat e qytetarëve dhe moskthimi i huave rrezikon depozitat e qytetarëve”.
Masa të tilla, sidomos riskedulimi i kredive, janë hedhur poshtë edhe nga guvernatori.
“Të nxitur nga përfitimet e perceptuara afatshkurtra kundrejt kostove reale, që mbart procesi i korrektimit, publiku, biznesi, grupet e interesit kërkojnë koncesione afatshkurtra nga institucionet përkatëse, përfshi këtu edhe bankat qendrore. Nuk mund të kërkohen zgjidhje ekstreme, kur akoma nuk janë ezauruar të gjitha mundësitë, për një konsolidim afatmesëm dhe afatgjatë”, tha Fullani.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, ashtu si deri më sot, do të vazhdojë të kujdeset për stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar të vendit. Për guvernatorin, ky është detyrimi madhor që buron nga Kushtetuta dhe ligjet përkatëse.
“Bankat qendrore duhet të bëjnë gjithçka për të ruajtur ekuilibrat e brishtë makrofinanciarë dhe të bëjnë çmos për të forcuar besimin e publikut tek institucionet dhe sistemi financiar.
Banka e Shqipërisë beson se, duke garantuar këto dy shtylla jetike për qëndrueshmërinë dhe begatimin e ekonomisë, kemi dhënë kontributin më të mirë për rritjen edhe më të madhe dhe aq të dëshiruar të ekonomisë”, tha guvernatori.
INTERVISTA/ Flet Akademiku, Prof. Anastas Angjeli, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë
“BSH duhet të jetë më dinamike dhe fleksibël”
Pas zhvillimeve të viteve të fundit, cili duhet të jetë roli parësor i Bankës Qendrore: ruajtja e stabilitetit të çmimeve apo nxitja e rritjes ekonomike?
Roli parësor i Bankës Qendrore nuk përcaktohet dot nga vullneti dhe dëshira e kujtdo, përfshirë dhe politikanët, deputetët, analistë etj., sa kohë që ai është i sanksionuar në Kushtetutën e vendit dhe në ligjin e Bankës së Shqipërisë, në të cilat thuhet se
Në Kushtetutën e vendit përcaktohet se Banka Qendrore e shtetit është Banka e Shqipërisë. Ajo ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës shqiptare, të zbatimit të pavarur të politikës monetare dhe të mbajtjes e të administrimit të rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa për Bankën e Shqipërisë theksohet se: Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve.
Banka e Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe mbi bazën e tregut të brendshëm bankar, nxit dhe mbështet zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit. Objektivat e tjerë të Bankës së Shqipërisë, të kushtëzuara nga objektivi kryesor i saj, duhet të nxisin ruajtjen e likuiditetit, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar të bazuar në parimet e tregut. Detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë janë si më poshtë:
a) Të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor; b) të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë regjimin e këmbimit valutor, si dhe politikën e kursit të këmbimit të valutave në Republikën e Shqipërisë.
Jo vetëm kaq, por edhe roli dhe funksioni kryesor i Bankave Qendrore në vendet e BE-së dhe në SHBA (FED-i me gjithë veçoritë e tij), kryesisht ka qenë dhe është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe hartimi e zbatimi i politikës monetare.
Kësisoj, edhe në vendin tonë, pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi, roli parësor i saj është po ky, ruajtja e stabilitetit të çmimeve (kontrolli mbi inflacionin) dhe hartimi dhe zbatimi i politikës monetare (politika e interesave).
Padyshim, që Banka e Shqipërisë ka një rol të rëndësishëm edhe në shumë drejtime të tjera, për më tepër në situatën aktuale të zhvillimeve ekonomike në vend dhe në kushtet e ndikimit të krizës së Eurozonës. Kjo sidomos në harmonizimin e politikës monetare me atë fiskale-buxhetore, në rritjen e rolit të kredisë në ekonomi, duke mos ulur “vigjilencën” në kontrollin e kredive të këqija (problematikë e pakthyeshme), garantimin e likuiditetit, mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe jobankar në vend, të gjithë këto në funksion të rritjes ekonomike të vendit. Për më tepër, edhe funksionet parësore të saj të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të politikës monetare janë dhe mbeten të rëndësishme për stabilitetin makroekonomik dhe për vetë rritjen ekonomike.
A gjykoni se BSH ka ndërmarrë hapat dhe masat e duhura gjatë vitit të fundit?
Përgjithësisht po. Natyrisht një reagim më i shpejtë e më dinamik ndaj situatës ekonomike e fiskale në vend, për t’iu përgjigjur ndikimit të krizës globale dhe të Eurozonës, kreditimit të ekonomisë, frenimit të rritjes së kredive të këqija dhe në veçanti një fleksibilitet më i gjerë në politikën monetare të interesit, ka qenë disi i munguar dhe me ndikim jo pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar që BSH që hartojë një plan masash në kushtet kur kriza ka ndikuar në uljen e rritjes ekonomike. A është me vend ky propozim dhe çfarë gjykoni ju se mund të bëjë BSH për të frenuar uljen e rritjes ekonomike?
Padyshim që Banka e Shqipërisë është një institucion i rëndësishëm, nga më të rëndësishmit financiarë në vend dhe përmes funksioneve, kompetencave, përgjegjësive që ajo ushtron dhe instrumenteve që përdor, për sa i takon, mund dhe duhet të jetë pjesë e programeve (hartuese dhe zbatuese) të pjesshme apo tërësore, të veçanta apo të harmonizuara me institucionet e tjera (qeverinë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë etj.), në funksion të objektivave të programit qeverisës dhe të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Kjo përmes politikës monetare dhe të interesave, si dhe të shtimit të mundësive për kreditimin e ekonomisë përmes bankave të nivelit të dytë.
Si e gjykoni propozimin për riskedulim të kredive të këqija nga ana e BSH-së, a mendoni se do të jepte efekt në nxitjen e kreditimit?
Banka e Shqipërisë, në këtë drejtim, mund të ndihmojë përmes përmirësimit të rregullave, mbikëqyrjes, kontrollit, sugjerimeve për përmirësimet ligjore, hipotekore e të kolateralit, përmbarimit, bashkëpunimit me këto institucione dhe ato të drejtësisë, etj. Riskedulimi konkret i borxheve të këqija është i drejtë, kompetencë dhe funksion i bankave të nivelit të dytë, atyre që kanë kredituar, sipas rasteve, studimeve, planeve të biznesit, mundësive etj.
INTERVISTA/ Flet ish-bankieri Spiro Brumbulli, rektor në Tirana Bussines University
“Masat e BSH zbutën efektet e krizës”
Pas zhvillimeve të viteve të fundit, cili duhet të jetë roli parësor i Bankës Qendrore: ruajtja e stabilitetit të çmimeve apo nxitja e rritjes ekonomike?
Nuk mendoj se kjo është një temë që shtrohet për diskutim; mund të ketë mendime të shkëputura në favor ose kundër njërës ose tjetrës, por tashmë është evident që bankat qendrore në shumicë kanë si objektiv kryesor stabilitetin e çmimeve. Kjo lidhet me rolin dhe natyrën e tyre si drejtuese të monedhës kombëtare, ofertës së parasë dhe normave të interesit. Kur thuhet se objektivi kryesor është stabiliteti i çmimeve, kjo nuk mund të mendohet e shkëputur nga ndikimi që kanë këto politika monetare edhe në rritjen ekonomike, edhe në papunësinë (që shkon në përpjesëtim të zhdrejtë me inflacionin), edhe në stabilitetin e tregjeve financiare, edhe në stabilitetin e këmbimeve valutore, edhe në mbikëqyrjen e sistemit bankar.
Indirekt politika monetare ndikon edhe në rritjen ekonomike. Por duke qenë autoritet monetar, përgjegjësia kryesore e një banke qendrore lidhet me monedhën. Kurse për rritjen ekonomike nuk është përcaktuese vetëm politika monetare, por edhe ajo fiskale, edhe politikat ekonomike të zhvillimit, edhe cilësia e kryerjes së reformave. Në rritjen ekonomike janë përfshirë më shumë aktorë. Sidoqoftë, asnjë nga këto hallka institucionale të ndërtimit të shtetit nuk mund të shikohet e shkëputur. Secila kryen një funksion në shërbim të një qëllimi të përbashkët: të përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve. Më shumë se pyetja se kush duhet të jetë objektivi kryesor i bankës qendrore, mund të shtrohej pyetja se sa të harmonizuar janë midis tyre institucionet që kanë rol në zhvillimin e vendit.
Te ne, objektivi i Bankës Qendrore është përcaktuar në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili, edhe pse mund të rishikohet, nuk mendoj se ka nevojë për rishikim të objektivit.
A gjykoni se BSH ka ndërmarrë hapat dhe masat e duhura gjatë vitit të fundit?
Hapat e duhura nuk mund të gjykohen vetëm “gjatë vitit të fundit”. Banka e Shqipërisë (BSH) ka qenë vazhdimisht paraprijëse e vështirësive dhe problemeve që mund të sillte kriza financiare dhe ajo e borxhit publik në ekonominë shqiptare. Në vazhdimësi, BSH ka marrë vendime të rëndësishme për të zbutur efektet negative të krizës që nuk buroi nga Shqipëria. Masa të tilla si kapitalizimi i fitimit, shndërrimi i degëve në banka, transparenca për publikun dhe klientin e bankës, administrimi i riskut të kredisë, forcimi i procedurave të huadhënies (kujtojmë përputhjen e monedhës së huasë me monedhën në të cilën janë të ardhurat), kërkesat për përmirësimet për procedurat përmbarimore, uljen e normës bazë të interesit, parashikimi i bankës urë dhe plot vendime të tjera që lidhen me likuiditetin dhe kontrollin e sistemit bankar flasin jo për një zgjim të BSH në një vit, por për një politikë të vazhdueshme të kujdesshme dhe parapritë e fenomeneve.
Sigurisht që jo të gjitha masat mund të kenë efekt maksimal brenda një periudhe të shkurtër kohe apo të rezultojnë me ndonjë mrekulli, por ato parandalojnë fenomenet dhe kërkojnë të kthejnë prirjet në drejtimin e dëshiruar. Bie fjala, edhe pse është ulur norma bazë e interesit në nivelin më të ulët historik, efekti i saj akoma nuk është i dukshëm. Kjo sepse ka edhe një perceptim tjetër nga aktorët dhe agjentët e tjerë për shkallën e riskut që ekziston në ekonomi. Kështu që përpjekja e BSH nuk jep efektin e duhur. Por, sidoqoftë, është një sinjal për drejtimin e prirjes dhe për nxitjen e aktorëve të tjerë.
Sa më shumë që ekonomia jonë integrohet globalisht, aq më shumë vigjilente duhet të mbetet BSH për të minimizuar efektet negative. Masat e marra i shërbyen kohës, por ato nuk janë të fundit. Situatat ndiqen dhe përcillen në vazhdimësi dhe sipas problematikës do të ketë padyshim edhe ndërhyrje të tjera të Bankës Qendrore.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar që BSH që hartojë një plan masash në kushtet kur kriza ka ndikuar në uljen e rritjes ekonomike. A është me vend ky propozim dhe çfarë gjykoni ju se mund të bëjë BSH për të frenuar uljen e rritjes ekonomike”?
Unë nuk mund të gjykoj kërkesën e opozitës. Ajo është forcë politike dhe ka të drejtën e vet të kërkojë dhe të bëjë edhe presion pozitiv. Është BSH që duhet të reagojë ndaj një kërkese të tillë, sepse, siç e përmenda, asnjë institucion i shtetit nuk mund të mbetet jashtë kontributit të vet për rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve. Edhe pse ligjërisht BSH e kryen detyrën e vet, ajo mund të ketë hapësirë të bashkëpunojë, të nxisë aktorët e tjerë për një reflektim ndaj situatës ekonomike me rritje në rënie. Si institucion ligjor, BSH është përgjegjëse për politikën monetare, e cila deri tani, nëpërmjet instrumenteve në dispozicion, po kontribuon në stabilitetin financiar, i cili është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë rritja ekonomike. Personalisht bëj pjesë në atë grup specialistësh, ku kontributin e Bankës Qendrore e analizojnë për ruajtjen e stabilitetit financiar se sa te rritja ekonomike. Rënia ekonomike mund të zgjasë fazën e agonisë në ciklin e ringritjes, kurse mungesa e stabilitetit financiar çon në kaos të plotë gjithë shoqërinë. Dhe për këtë ne nuk na mungon shembulli (kolapsi i skemave piramidale në vitin 1997).
Si e gjykoni propozimin për riskedulim të kredive të këqija nga ana e BSH-së, a mendoni se do të jepte efekt në nxitjen e kreditimit?
Më duket jo fort e qartë kjo kërkesë. Për çfarë riskedulimi bëhet fjalë? Një grup zërash pretendojnë se mund të ndryshojë BSH politikën e provigjoneve meqë ajo është hartuese e saj (pra, të themi, në vend të 20 për qind, të jetë 10 për qind, apo nga 365 ditë të bëhet 730 ditë).
Të tjerë zëra kanë hedhur idenë e mossekuestrimit të kolateralit (garancisë shtesë), me argumentin se kështu dëmtohet biznesi. Këto zëra kanë të drejtë të interesohen për njërin krah të biznesit, por me të njëjtin shqetësim mund të pyetej: po për biznesin e bankave kush interesohet? Se edhe bankat janë biznes, se paratë e dhëna hua dhe të moskthyera janë detyrime ndaj depozituesve, bankat kush i ripaguan? Madje duhet thënë se edhe kolateralet e kredive të këqija nuk po shiten, pasi nuk ekziston një treg aktiv i pasurive të paluajtshme. (Për zhvillimin e pasurive të paluajtshme përtej kërkesës bankat po paguajnë me shtesë të kapitalit).
Është e qartë që zëra të tillë, propozime të tilla nuk e zgjidhin dhe përmirësojnë situatën.
Së pari, BSH punon me standard. Ajo që BSH ka vendosur, është një standard i njohur ndërkombëtarisht, madje një standard konservator i përshtatshëm për vendet në zhvillim. Së dyti, kolaterali është garancia e fundit që i mbetet bankës për të rikuperuar sa të jetë e mundur nga huaja dhe një mësim për borxhmarrësin në lidhje me rregullat e ekonomisë së tregut të lirë, ku pjesë e saj është edhe falimentimi. Një biznes me humbje falimenton, një biznes që s’paguan dot detyrimin, rrezikon të mbyllet.
Ne kemi një eksperiencë të hidhur me huatë. Huatë e dhëna nga bankat shtetërore në periudhën 1992-2000 nuk u kthyen, madje çuan edhe në mbyllje të një banke. Çdo lëshim që mund të bëhet aktualisht me portofolin e huave me probleme do të favorizonte prirjen e kaluar të faljes apo të mospagimit të borxhit, duke kultivuar kështu një kulturë negative të mosnjohjes së detyrimit. Shoqëria duhet të jetë e interesuar të vendosen rregulla në ekonomi. Huatë e dhëna nuk janë vetëm kapitali i bankës që, në rastin më të keq të mospagimit, do të kishim të bënim vetëm me falimentim të pronarëve. Jo. Fondet për hua janë nga depozitat e qytetarëve dhe moskthimi i huave rrezikon depozitat e qytetarëve. Prandaj nuk mund të tolerohet dhe nuk mund të luhet me rreptësinë dhe korrektesën e pagesës së detyrimit.
Kur them rreptësi dhe korrektesë nuk përjashtoj rastet që mund të kenë nevojë për rishikim. Bankat janë të prirura t’i trajtojnë këto raste, sepse ato vetë janë të dëshiruara të rikthejnë paratë. Le t’u lihet bankave të trajtojnë rast pas rasti çdo kërkesë, por jo duke e bërë këtë si politikë apo rregull të përgjithshëm të ndryshuar nga standardet me të cilat është ngritur gjithë puna. Qytetari dhe biznesi duhet të mësohen se borxhi është detyrim që nuk mund të shmanget. Në situata vështirësie bashkëpunimi i tyre me bankën huadhënëse mund të krijojë hapësira për ristrukturim – kjo është një alternativë që duhet shfrytëzuar. Nga ky bashkëpunim i sinqertë mund të arrihet një riskedulim i detyrimit (sigurisht, nëse ka argumente bindëse që premtojnë ringritje). Por kurrsesi nuk duhet të krijojmë sërish frymën e faljes. Në parim, personalisht do të nxisja politikat e shtrëngimit të pagimit të detyrimit dhe moskrijimin e asnjë iluzioni se mospagimi i borxhit do ta zvarrisë detyrimin deri në falje. Morali është ripagimi i detyrimit të borxhit deri në një. T’i qëndrojmë këtij parimi të rëndësishëm për rëndësinë e vetë sistemit financiar.
A duhet të ndërmarrë Banka e Shqipërisë iniciativa për të ulur borxhin? Nëse po, si?
Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar pjesëmarrjen e vet në financimin e borxhit të qeverisë. Përtej asaj shifre ajo nuk mund të luajë, sepse përbën shkelje ligjore. Madhësia e borxhit është në varësi të programeve të zhvillimit të qeverisë dhe të deficitit që lind nga mosmbledhja e të ardhurave buxhetore. Banka e Shqipërisë mund të kontribuojë më shumë në rolin e këshilltarit të qeverisë, duke i ofruar studime, sugjerime dhe propozime për rreziqet e rritjes së borxhit, për mundësitë e financimit dhe për gjetje të rrugëve të tjera të zhvillimit. Zhvillimi gjithmonë bëhet brenda mundësive. Synimet për investime përtej mundësive, sigurisht, do ta zhysin vendin në borxhe dhe nuk vërtetohet ende se kryerja e investimeve me çfarëdo kosto të jetë një zgjedhje e mençur me pretendimin se brezave u lëmë një vend më të zhvilluar.
Eksperiencat bashkëkohore tregojnë se këto modele nuk vërtetohen, pasi përfitimet mund të jenë shumë afatgjata, ndërkohë që konsumi dhe nevojat janë afatshkurtra. Në ruajtjen e këtyre ekuilibrave, roli i BSH është i domosdoshëm, sepse është një organ i pavarur dhe i specializuar.
Anastas Angjeli:
Një reagim më i shpejtë e më dinamik ndaj situatës ekonomike e fiskale në vend për t’iu përgjigjur ndikimit të krizës globale dhe të Eurozonës, kreditimit të ekonomisë, frenimit të rritjes së kredive të këqija dhe në veçanti, një fleksibilitet më i gjerë në politikën monetare të interesit, ka qenë disi i munguar nga ana e Bankës Qendrore dhe me ndikim jo pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit
Spiro Brumbulli:
Ne kemi një eksperiencë të hidhur me kreditë. Huatë e dhëna nga bankat shtetërore në periudhën 1992-2000 nuk u kthyen, madje çuan edhe në mbyllje të një banke. Çdo lëshim që mund të bëhet me portofolin e huave me probleme do të favorizonte prirjen e kaluar të faljes apo të mospagimit të borxhit, duke kultivuar kështu një kulturë negative të mosnjohjes së detyrimit.
Fondet për kredi janë nga depozitat e qytetarëve dhe moskthimi rrezikon depozitat e qytetarëve. Prandaj nuk mund të tolerohet dhe nuk mund të luhet me rreptësinë dhe korrektesën e pagesës së detyrimit
Selami Xhepa:
Banka Qendrore duhet të marrë rol drejtues, në ristrukturimin e kredive me probleme, duke ndikuar rast pas rasti. Sistemi bankar duhet të riskedulojë kreditë, të ndryshojë termat e kredive, çfarë do të ulë nivelin e kredive të këqija, duke lehtësuar likuiditetet dhe duhet të nxitet kreditimi në sektorët problematikë
Projektrezoluta e PS-së për Bankën Qendrore
1- Të parandalohet kriza në sistemin financiar
2- Të rritet kreditimi
3- Të riskedulohen kreditë e këqija
4- Të këshillojë qeverinë për politikat fiskale
5- Të hartohet plan masash kundër krizës në Eurozonë
6- Të hartohen rekomandime për emigrantët
7- Të ristrukturohet sektori bankar
Projektrezoluta e PD-së për Bankën Qendrore
1- Të vijohet me politikat e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve
2- Forcim i koordinimit të politikave monetare me ato fiskale
3- Forcim i pavarësisë së vendimmarrjes
4- Forcim i mbikëqyrjes së sistemit bankar e financiar
5- Bashkëpunim me bankat për rritjen e cilësisë së kredive
6- Përafrimi i rregulloreve të saj me ato të BQE-së
7- Thellim i punës studimore
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.