Banka e Shqipërisë ka anuluar ankandet e blerjes së valutës të programuara për muajt mars dhe prill.
Besohet se ky vendim është marrë me qëllim shmangien e kërkesës shtesë për euro në tregun e këmbimit valutor, faktor që në teori mund të ushtronte presione mbiçmuese në kursin e monedhës europiane ndaj lekut.
Në fillim të muajit mars, monedha e përbashkët europiane shënoi një rritje të shpejtë në kursin e këmbimit me lekun. Më datë 8 mars, euro u këmbye me 127.08 lekë, duke shënuar nivelin më të lartë që prej marsit të vitit 2020. Euro u mbiçmua me 4.7% kundrejt lekut në harkun e një jave.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, faktori kryesor që trazoi tregun ishte blerja në shuma të mëdha nga kompanitë e grupit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, për qëllime të importeve të energjisë elektrike. Për shkak të përmasave të vogla të tregut, një valë kërkese e madhe mund të jetë e mjaftueshme për të krijuar disbalanca dhe pritshmëri të njëanshme. Situata e krijuar nga lufta në Ukrainë dhe shtrenjtimi i çmimeve të mallrave të konsumit e nxiti edhe më shumë faktorin psikologjik dhe prirjen e subjekteve për të blerë euro dhe për të tentuar krijimin e rezervave të valutës.
Në situata të tilla, pritshmëritë për forcim të euros sjellin shtrëngim të ofertës, sepse ata që kanë euro priren t’i mbajnë, në pritje të një mbiçmimi të mëtejshëm. Nga ana tjetër, kërkesa rritet, sepse pritshmëria për forcim i shtyn subjektet që kanë nevojë për këtë valutë që të blejnë sa më parë që të jetë e mundur. Situata u qetësua me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë, që realizoi shitje të valutës për një periudhë 2-3 ditore, me qëllim stabilizimin e kursit dhe qetësimin e panikut.
Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë u konfirmua këtë javë edhe nga Guvernatori, Gent Sejko, që tha se qëllimi i ndërhyrjes ishte qetësimi i panikut në tregun valutor. Sipas tij, mbiçmimi i shpejtë i euros nuk reflektonte faktorët thelbësorë të kërkesë/ofertës dhe stabilizimi i kursit pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë e provon këtë më së miri. Megjithatë, për shkak të situatës së përkohshme të krijuar, banka qendrore vendosi të anullonte ankandet vijuese të blerjes së valutës.
Një vendim të ngjashëm Banka e Shqipërisë e pati marrë edhe në vitin 2020, menjëherë pas shpërthimit të pandemisë. Edhe në atë rast, kursi i euros ndaj lekut shënoi një rritje të shpejtë, kryesisht si rezultat i panikut të tregut valutor prej situatës që krijoi pandemia në tregje. Kursi u stabilizua pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, megjithatë, ky institucion vendosi të anulonte të gjitha ankandet e blerjes së valutës që ishin programuar për vitin kalendarik 2020. Këto ankande rifilluan vetëm në vitin 2021.
Për momentin, Banka e Shqipërisë është kufizuar vetëm në anulimin e tre ankandeve të parashikuara për periudhën mars-prill, ndërsa vendimmarrja e mëtejshme ndoshta do të përcaktohet nga ecuria e kursit të këmbimit valutor gjatë kësaj periudhe.
Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë parashikohet që për vitin 2022 të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milionë eurosh. Kjo shumë është ndjeshëm më e lartë me atë të vitit të kaluar, kur në ankande u blenë rreth 117 milionë euro. Megjithatë, me anullimin e tre prej ankandeve të planifikuara objektivi i blerjeve mund të ulet.
Për vitin 2022, Banka e Shqipërisë kishte parashikuar të zhvillonte gjithsej 15 ankande të blerjes së euros. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është 5-8 milionë euro për çdo ankand. Megjithatë, sipas rregullores për ndërhyrjet në tregun valutor, Banka e Shqipërisë mund të realizojë edhe blerje në një raund të dytë të ankandit, me kursin mesatar që rezulton nga ofertat e pranuara në raundin e parë.
Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore. Në fund të vitit të muajit janar të këtij viti, rezerva valutore kishte vlerën e afërsisht pesë miliardë eurove, pranë niveleve më të larta historike./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.