Banka e Shqipërisë njoftoi në deklaratën “Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun valutor’, se në vitin 2019 ka blerë gjithsej 154.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, përgjatë katër tremujorëve.
Sipas bankës, ndërhyrjet ishin në përputhje me objektivin e saj për rritjen e rezervës valutore në vend dhe ishin të planifikuara që në fillim të vitit. Në tremujorin e katërt banka organizoi 5 ankande të blerjes së valutës. Në ankandet e organizuara nga Banka e Shqipërisë në tremujorin e fundit janë blerë 55.30 milionë euro kundrejt 42.10 milionë eurove të blera në 3-mujorin e mëparshëm dhe 57.20 milionë eurove të blera në 6-mujorin e parë të vitit.
Shuma e ndërhyrjes në tregun valutor është shumë më e ulët në krahasim me vitin 2018, kur Banka e Shqipërisë bleu një sasi rekord prej 463 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, ku pjesa më e madhe e kësaj ndërhyrjeje ishte për të frenuar rënien e euros, amortizuar efektet e konvertimit të kapitalit të bankave dhe një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe më pak për të rritur rezervat e saj valutore. Kjo erdhi teksa në qershor 2018, pasi euro kishte hyrë në një cikël të pandalshëm rënës, nga 134 lekë në janar në 124 lekë në ditët e para të qershorit, Banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun e brendshëm. Në tremujorin e dytë dhe të tretë, BSH bleu gjithsej 223 milionë euro, nga të cilat 71.50 milionë euro kanë qenë oferta për konvertimin e kapitalit të bankave.
Në 2019-n, euro vijoi tendencën rënëse, ndonëse në nivele më të ngadalta se në 2018-n, por banka e Shqipërisë nuk ndërhyri më në treg. Kursi mesatar i euros në 2019-n ishte 123 lekë, nga 127.6 që ishte mesatarja e 2018-s dhe 134.1 që rezultoi mesatarja e 2017-s.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.