Banka e Shqipërisë në deklaratën “Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017” ka pohuar se në bazë të kalendarit të fillimvitit ka blerë valutë nga bankat e nivelit të dytë me objektiv rritjen e rezervës valutore. Gjatë tremujorit të dytë, janë organizuar 2 prej ankandeve të publikuara për 18 milionë euro në total, pohoi Banka.
Banka kishte planifikuar gjithsej gjatë periudhës prill-dhjetor 2017, 7 ndërhyrje, me 3-8 milionë euro secila, pra në total planifikon të blejë deri në 56 milionë euro.
Kursi i këmbimit ka qenë komod për bankën për të blerë valutë, sidomos në qershor, ku euro ka zbritur deri në 132 lekë.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë edhe në tregun e parasë nëpërmjet operacioneve të tregut të hapur për injektim likuiditeti. Ndërkohë, me qëllim administrimin e portofolit të saj të bonove të thesarit ka kryer veprime në treg sekondar.
Likuiditeti i injektuar në sistemin bankar rezultoi në rreth 32.32 miliardë lekë, 2.4 miliardë lekë më i lartë krahasuar me tremujorin e parë të vitit.
Në funksion të operacioneve për injektim likuiditeti, Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjellë të riblerjes me maturim njëjavor, për injektim të përkohshëm të likuiditetit për mesatarisht 20.3 miliardë lekë kundrejt 20.9 miliardë lekëve në tremujorin e parë të 2017-së. Në kushtet e rritjes së deficitit të likuiditetit, janë rinovuar shuma më të larta të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me maturim 3-mujor (3 periudha të mbajtjes së Rezervës së Deyrueshme) për mesatarisht 10.5 miliardë lekë kundrejt 9.4 miliardë lekëve gjatë tremujorit të mëparshëm.
Depozita njëditore është përdorur për mesatarisht 4 miliardë lekë më pak krahasuar me tremujorin e parë. Shumat e depozituara u luhatën në 0-5 miliardë lekë nga 1.7-6.7 miliardë lekë tremujorin e mëparshëm.
Ndërkohë, kredia njëditore është përdorur në vetëm 1 rast në ditën e fundit të periudhës së RD-së për 3.2 miliardë lekë kundrejt 3 rasteve gjatë tremujorit të mëparshëm për 0.8-2.7 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.