Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për funksionimin e sistemit qendror të regjistrimit dhe shlyerjes së titujve (AFISaR)”.
Ndryshimet sjellin kryesisht plotësime në rregullore, si edhe reflektojnë vendimin e marrë në vitin 2020 që Banka e Shqipërisë të mos ofrojë më shërbimin e pjesëmarrjes në ankandet e Bonove të Thesarit për individët.
Sipas projekrregullores, një person juridik mund të bëhet pjesëmarrës i tërthortë me llogari individuale, duke nënshkruar kontratën tip të pjesëmarrjes së tërthortë të personave juridikë, kur llogaria e titullit hapet nga Banka e Shqipërisë ose të ketë lidhur kontratë kujdestarie me një pjesëmarrës tjetër të drejtpërdrejtë.
Me rregulloren aktuale, pjesëmarrja e tërthortë e personave juridikë mund të bëhet vetëm në mënyrën e parë (duke nënshkruar kontratën tip të pjesëmarrjes së tërthortë të personave juridikë).
Ky ndryshim krijon mundësinë që subjektet e interesuar të mund të marrin pjesë në sistemin AFISaR, duke lidhur kontratë kujdestarie me një pjesëmarrës direkt në sistem.
Rregullorja njeh si pjesëmarrës direkt në sistem Bankën e Shqipërisë, bankat tregtare, shoqëritë komisionere rezidente ose jorezidente, institucione financiare rezidente (të ndryshme nga bankat) dhe institucione financiare jorezidente, depozitarë qendrorë jorezidentë, shtëpitë e klerimit të titujve dhe Ministrinë e Financave. Personat e tjerë fizikë apo juridikë mund të marrin pjesë në sistemin AFISaR vetëm në mënyrë të tërhtortë.
Projektrregullorja parashikon edhe shfuqizimin e dispozitës që i lejonte Bankës së Shqipërisë të hapte llogari për persona fizikë që marrin pjesë në ankandet primare nëpërmjet sporteleve të saj. Ky ndryshim reflekton vendimin e marrë në vitin 2020 nga Këshilli Mbikëqyrës, për ndërprerjen graduale të ofrimit të këtij shërbimi deri në 1 janar 2022. Që nga fillimi i këtij viti, pjesëmarrja në ankandet e Bonove të Thesarit mund të bëhet vetëm nëpërmjet shoqërive komisionere të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Projektrregullorja parashikon gjithashtu një kategorizim më të detajuar të llogarive omnibus në sistem. Llogaria omnibus është llogari që hapet nga një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë për klientët e tij dhe përmban një ose më shumë përfitues.
Me rregulloren akatuale, parashikohen tre kategori bazë të llogarive omnibus, për personat fizikë, juridikë dhe për fondet e pensionit. Në projekrregulloren e ndryshuar parashikohen 9 kategori të ndryshme, si individë, kompani jo financiare rezidente në Shqipëri, biznese jorezidente, fonde pensioni, fonde investimi, shoqëri sigurimi, shoqëri komisionere, ndërmjetës të tjerë financiarë si edhe shoqata apo fondacione.
Sistemi AFISaR është sistemi qendror i regjistrimit dhe i shlyerjes të titujve të Shtetit Shqiptar të emetuara nga Ministria e Financave, për të cilat Banka organizon ankandet, të dakorduara në marrëveshjen e lidhur midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave.
Gjithashtu, në Sistemin AFISaR regjistrohen dhe shlyhen edhe titujt që mund të emetojë Banka e Shqipërisë. Sipas rregullores, sistemi AFISaR luan dy role kryesore. Ai bën lidhjen midis emetuesit, i cili depoziton titujt në këtë sistem, dhe ndërmjetësve financiarë, të cilët i mbajnë këto tituj në llogarinë e tyre apo të klientëve të përfaqësuar prej tyre.
Në këtë rol, sistemi kryen të gjitha ngjarjet që ndodhin midis emetuesit dhe ndërmjetësve financiare, duke realizuar detyrat si regjistrues i titujve. Gjithashtu, sistemi bën shlyerjen e transaksioneve me titujt, duke lejuar pjesëmarrësit të dorëzojnë tituj kundrejt pagesës dhe të bëjnë transferta pa pagesë, duke realizuar detyrat e klerimit dhe shlyerjes së titujve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.