Banka e Shqipërisë do të nxisë përdorimin e instrumenteve mbrojtëse nga rreziku i kursit të këmbimit.
Në strategjinë afatmesme të zhvillimit 2021-2023, banka qendrore angazhohet që në bashkëpunim me institucionet e tjera financiare, do të mbështesë zhvillimin e tregut të brendshëm valutor, me fokus rritjen e përdorimit të instrumenteve financiare mbrojtëse ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Sipas këtij dokumenti, qëllimi i këtij angazhimi është përmirësimi e transmetimit të politikës monetare dhe ruajtja e stabilitetit financiar.
Në vitet e fundit, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka kaluar disa momente luhatjesh të forta, që janë stabilizuar vetëm me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Në Qershor 2018, Banka e Shqipërisë ndërhyri për të frenuar mbiçmimin e shpejtë të Lekut ndaj Euros, ndërsa në Mars 2020 ndërhyri për të frenuar lëvizjen e shpejtë në kahun e kundërt, kur, pas shpërthimit të pandemisë Leku, pësoi një nënçmim të shpejtë në kursin me monedhën europiane. Banka e Shqipërisë edhe në të shkuarën ka këshilluar përdorimin e instrumenteve mbrojtëse për subjektet që mund të jenë të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit, siç mund të jenë për shembull eksportuesit apo inportuesit.
Instrumentet më të zakonshme mbrojtëse nga luhatjet e kursit janë kontratat forward (e tregtimit të ardhshëm) të kursit të këmbimit. Kontrata të tilla lidhen për të fiksuar nivelin e këmbimit të dy valutave në një datë të caktuar në të ardhmen. Deri tani, këmbimet në tregun valutor shqiptar bëhen vetëm përmes kontratave të zakonshme spot, ku këmbimi bëhet me kursin aktual ditor. Kontratat futures mund të jenë një mbrojtje e mirë për ato subjekte që kanë nevojë të blejnë ose të shesin valutë në shuma të konsiderueshme, siç janë ndërmarrjet që kanë marrëdhënie tregtare me firma të huaja.
Në funksion të zbatimit të këtij objektivi, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë edhe masat e para konkrete. Në rregulloren e re për ndërhyrjet në tregun valutor, miratuar në muajin dhjetor 2020, risi e rëndësishme ishte parashikimi edhe i ankandeve të formës forward me bankat e nivelit të dytë, krahas ankandeve të formës spot që organizohen aktualisht.
Ky shihet si një hap që mund t’i nxisë bankat tregtare të ndërmarrin hapa në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë. Banka e Shqipërisë organizon ankande periodike të blerjes së euros për qëllimet e administrimit të rezervës valutore të vendit. Duke filluar që nga viti 2021, këto ankande mund të përdoren edhe si mjete për të nxitur zhvillimin e instrumenteve të reja në tregun valutor vendas./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.