Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren për “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, që synojnë të kufizojnë spektrin e licencave për aktivitetet që mund të ushtrojnë institucionet e mikrokredisë dhe si edhe subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme.
Konkretisht, ndryshimet në rregullore i përjashtojnë institucionet e mikrokredisë dhe ato të blerjes së kredive me probleme nga e drejta për të zhvilluar veprimtarinë e agjentit në sigurime.
Sipas argumentimit të Bankës së Shqipërisë, ndryshimet bazohen në nevojën për saktësim të ndalimit të këtyre institucioneve për të ushtruar veprimtari të tjera të ndryshme nga kredidhënia dhe shërbimet këshilluese për veprimtarisë e kredidhënies, më konkretisht veprimtarinë e agjentit në sigurime.
Banka e Shqipërisë shprehet se përkufizimi i institucionit financiar të mikrokredisë parashikon si objekt të aktivitetit vetëm kredidhënien dhe shërbimet këshilluese për të. Nisur nga ky interpretim, banka qendrore gjykon se është e nevojshme të saktësohet në rregullore se veprimtaria e agjentit në sigurime është e lejueshme dhe e aplikueshme vetëm për institucionet financiare jo banka, por jo për institucionet financiare të mikrokredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, i njëjti trajtim parashikohet edhe për institucionet financiare që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre vetëm blerjen e kredive me probleme.
Burime nga tregu bëjnë të ditur se ky ndryshim në rregullore është propozuar pasi një institucion i mikrokredisë kishte aplikuar në mënyrë të përsëritur për të marrë licencë për veprimtari të agjentit në sigurime në Bankën e Shqipërisë. Kjo kërkesë është bërë shkak që banka qendrore të merrte nismën për saktësime në rregullore, duke i përjashtuar shprehimisht institucionet e mësipërme nga e drejta për të marrë një licencë të tillë.
Drejtues të institucioneve të mikrofinancës shprehen të pakënaqur me ndryshimet rregullatore të propozuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas tyre, kufizimi që tentohet të vendoset është i paarsyeshëm dhe cenon jo vetëm potencialet e biznesit të institucioneve mikrofinanciare, por edhe hapësirat për të zhvilluar më tej tregun e sigurimeve.
Kufizimi i institucioneve mikrofinanciare nga ky aktivitet nuk duket se justifikohet nga faktorë të lidhur me menaxhimin e rreziqeve apo me kritere të rëndëishme teknike ose financiare. Në fakt, aktiviteti si agjent në sigurime, mund të kryhet edhe nga personat fizikë, me kusht që të licencohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Sipas përfaqësueve të tregut, sektori i mikrofinancës ka një bazë shumë të gjerë klientele dhe mund të shërbejë për të rritur përhapjen e produkteve të sigurimit dhe për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Nga ana tjetër, tregtimi i produkteve të sigurimit po shihet nga disa institucione të mikrofinancës si një mënyrë për të diversifikuar biznesin dhe për të gjeneruar të ardhura shtesë.
Statistikat tregojnë se Shqipëria është e fundit në rajon dhe ndër vendet e fundit në Europë për sa i përket zhvillimit të tregut të sigurimeve. Për vitin 2021, treguesi i densitetit të sigurimeve ishte rreth 55 euro prime të shkruara bruto për frymë në vit (vetëm Moldavia e ka këtë tregues më të ulët, me rreth 37 euro për frymë).
Për vitin 2021, volumi i tregut të sigurimeve në Shqipëri sipas primeve të shkruara bruto ishte afërsisht sa 1.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Edhe sipas këtij treguesi, të njohur ndryshe si penetrimi i tregut të sigurimeve, Shqipëria ka tregun më të vogël të sigurimeve në rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
mir e ke ti por ato te thone pri siguracionin se eshte vlera kaq dhe aq