Banka e Shqipërisë miratoi në muajin nëntor rregulloren “Për përcaktimin e kushteve kur zbatohen masat e ndërhyrjes së hershme dhe për kushtet dhe mënyrën e kryerjes së administrimit të përkohshëm”.
Kjo rregullore ka dalë në mbështetje të ligjit “për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”, duke saktësuar kushtet dhe rrethanat kur Banka e Shqipërisë mund të marrë masa të hershme ndaj bankave që shfaqin probleme në treguesit bazë të shëndetit financiar.
Neni 17 i ligjit përcakton se Autoriteti Mbikëqyrës (Banka e Shqipërisë), kur vlerëson se niveli i raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit të bankës afrohet në nivelin minimal të lejuar, ose kur ekziston mundësia për shkeljen e shpejtë të kërkesave ligjore e rregullative, ka të drejtë që, krahas masave mbikëqyrëse të parashikuara me ligj, të marrë edhe masa shtesë të ndërhyrjes së hershme.
Masat e hershme mund të fillojnë nga të kërkuarit prej këshillit drejtues të bankës zbatimin e masave të parashikuara në planet e rimëkëmbjes së bankës, përditësimin e planeve të rimëkëmbjes e deri në thirrjen e asamblesë së aksionerëve të bankës, duke propozuar masa të reja për zbatim.
Sipas rregullores së nxjerrë në zbatim të ligjit, elementi bazë që do të përcaktojë nëse ekzistojnë kushtet për ndërhyrje të hershme do të jetë Pikëzimi i përgjithshëm i PRVM-së (Procesi i Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës, pjesë integrale e procesit mbikëqyrës që ushtrohet nga Banka e Shqipërisë). Banka e Shqipërisë vlerëson nëse do të zbatojë masat e ndërhyrjes së hershme, kur pikëzimi i përgjithshëm i gjendjes së bankës, bazuar në PRVM, është në nivelin 6, që përfaqëson një nivel shqetësues ose edhe në rastet kur një nga elementët e rëndësishëm të PVRM-së arrin në këtë nivel.
Masat e ndërhyrjes së hershme mund të ndërmerren edhe në rastet kur, pavarësisht pikëzimit PRVM, mund të identifikohen ngjarje të rëndësishme me ndikim në shëndetin financiar të bankës. Shembuj të ngjarjeve të rëndësishme mund të përfshijnë ngjarje madhore të rrezikut operacional (mashtrim, fatkeqësi natyrore, probleme të teknologjisë së informacionit, gjoba të konsiderueshme nga autoritetet publike, etj.), rënie e qenësishme e vlerës së detyrimeve të pranuara dhe e kapitalit rregullator të mbajtur nga banka, sinjalizime për nevojën e rishikimit të cilësisë së aktiveve, flukse dalëse të konsiderueshme të fondeve (duke përfshirë depozitat me pakicë të konsumatorëve, të shkaktuara, për shembull, nga rënia e reputacionit të bankës), rënie të rëndësishme të vlerësimit të bankës, nga një ose më shumë agjenci të vlerësimit të jashtëm, etj.
Kur Autoriteti Mbikëqyrës konstaton se masat e hershme nuk zbatohen ose nuk janë të mjaftueshme për të korrigjuar gjendjen financiare të bankës, ka të drejtë të urdhërojë bankën të shkarkojë nga detyra një ose disa prej administratorëve të bankës dhe anëtarët e këshillit drejtues dhe të emërojë drejtues të rinj. Nëse urdhri për shkarkimin e administratorëve nuk zbatohet, Banka e Shqipërisë ka të drejtë vetë ta vendosë bankën në administrim të përkohshëm, me administrator të zgjedhur dhe emëruar prej saj.
Administratori i përkohshëm emërohet për një mandat jo më shumë se një vit, i cili mund të zgjatet vetëm me vendimin e Bankës së Shqipërisë dhe nëse vazhdojnë të plotësohen kushtet për administrimin e përkohshëm.
Objektivat dhe detyrat e administrimit të përkohshëm mund të lidhen me përcaktimin e gjendjes financiare të vërtetë të bankës, të administrimit të veprimtarisë së bankës, me qëllim ruajtjen ose rivendosjen e pozicionit të duhur financiar, mbikëqyrjen mbi veprimtaritë e përcaktuara me vendim të Bankës së Shqipërisë dhe mbikëqyrjen mbi kryerjen e aktiviteteve të këshillit drejtues ose të drejtuesve ekzekutivë dhe të komiteteve të tjera të bankës./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.