Banka e Shqipërisë nuk do të kërkojë shtesa kundërciklike kapitali nga bankat tregtare as për vitin e ardhshëm.
Me propozimin e Departamentit të Stabilitetit Financiar, Guvernatori, Gent Sejko, ka vendosur në fund të muajit shtator që shtesa kundërciklike e kapitalit do të vazhdojë të jetë zero. Shtesa kundërciklike e kapitalit është një nga shtesat e parashikuara në rregulloren “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, që u miratua nga Banka e Shqipërisë në qershor të vitit të kaluar.
Kjo rregullore përcakton një kategori shtesash në treguesin e mjaftueshmërinë e kapitalit, që do të vendosen periodikisht, me urdhër të Guvernatorit. Shtesa kundërciklike në parim ka si qëllim të frenojë një rritje tepër të shpejtë të kreditimit nga sektori bankar. Kur Banka e Shqipërisë çmon se ritmi i rritjes së kredisë mund ta ekspozojë systemin përballë rreziqeve, ajo mund të vendosë të rrisë nivelin e kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit. Një shtesë e tillë klasifikohet si kundërciklike. Përmes kësaj ndërhyrjeje, bankat detyrohen të ngadalësojnë kreditimin ose në alternativë të rrisin kapitalin e tyre rregullator.
Rritja vjetore e kredisë së sektorit bankar sipas të dhënave më të fundit është në kufijtë e 7%, por Banka e Shqipërisë nuk gjykon se ekzistojnë ende rreziqe të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit, të tilla që diktojnë marrjen e masave kundërciklike të kapitalizimit. Për më tepër, kriza e pandemisë së Covid-19 e bën më sfiduese, por edhe më të rëndësishme ruajtjen e kreditimit të ekonomisë nga sektori financiar.
Shtesa e pare makroprudenciale, që ka nisur të aplikohet nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe është e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë 0.5% (e shprehur si përqindje e mjaftueshmërisë së kapitalit) në vit, deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024.
Shtesa tjetër që ka hyrë në fuqi qysh këtë vit do të përfshijë vetëm një grup të veçantë bankash, ato me rëndësi sistemike. Banka e Shqipërisë ka përcaktuar pesë banka me rëndësi sistemike, që janë njëkohësisht edhe pesë bankat më të mëdha në vend, BKT, Raiffeisen, Credins, Intesa Sanpaolo dhe OTP. Për secilën prej tyre është përcaktuar një shtesë kapitali në raport me rëndësinë sistemike specifike të secilës. Për bankën më të madhe, BKT, që nga ky vit shtesa në mjaftueshmërinë e kapitalit do të jetë 2%, ndërsa për bankat e tjera rritja është proporcionalisht më e ulët.
Shtesë tjetër e kapitalit është ajo e lidhur me rrezikun sistemik, e cila mund të ketë një përdorim më të gjerë, në varësi të ecurisë së rreziqeve, në strukturën e veprimtarisë bankare në tërësi ose për banka të veçanta.
Në mesin e këtij viti, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit së sistemit bankar ishte 18.1%.
Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen. Kriza e Covid-19 ishte një shembull tipik i rëndësisë së faktit që sektori bankar të gjendet i përgatitur dhe i mirëkapitalizuar përballë ngjarjeve të tilla. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.