Banka e Shqipërisë u ka rekomanduar bankave tregtare në vend që të shtojnë provigjionet për vitet e ardhshme, pas lehtësimeve që u krijuan vitin e kaluar për të përballuar pasojat e pandemisë.
Rekomandimin për rritjen e provigjioneve e dha Departamenti i Mbikëqyrjes, pas ekzaminimeve që dhe kontrolleve që u bënë në shumicën e bankave në vend vitin e kaluar.
Gjithashtu bankat duhet të bëjnë një rishikojmë rishikimin e kujdesshëm të planeve të bizneseve për vitet e ardhshme, pa neglizhuar nevojën për mbështetjen me kredi të ekonomisë.
“Subjekteve iu rekomandua edhe shtimi paraprak dhe gradual i provigjoneve, si një qasje prudenciale përkundrejt zhvillimeve të paparashikuara, si dhe nevoja për një planifikim të rishikimit tërësor të portofolit të kredisë për të evidentuar ndryshime të mundshme në aftësinë paguese të klientëve, edhe në rastet kur ata nuk kanë përfituar nga “ngrirja” e pagesave apo ristrukturimi”, referoi departamenti i Mbikëqyrjes.
Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë në kuadër të masave për përballimin e pandemisë aplikoi ndryshime në rregulloret për t’u krijuar lehtësi subjekteve, që, në rastet kur evidentonin paaftësi paguese të kredimarrësve gjatë periudhës mars-maj 2020, të mos ishin subjekt i zbatimit të kërkesave që lidhen kryesisht me klasifikimin dhe krijimin e fondeve për provigjione.
Në fund të vitit 2020 treguesi i kredive me probleme ka pësuar rënie prej 0.26 pike % në terma vjetorë, duke arritur në 8.11% në fund të vitit 2020. Mbulimi me provigjione i kredive me probleme rezulton 65.2%, kundrejt nivelit prej 59.4% të një viti më parë.
Gjithashtu treguesit e likuiditetit në mënyrë të vazhdueshme ishin ndjeshëm mbi normat e parashikuara në aktet rregullative të Bankës së Shqipërisë. Në dhjetor 2020, raporti i aktiveve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra për sistemin bankar rezultoi 47.4%10, me një rënie prej 2 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa raporti i mbulimit me likuiditet rezulton në nivelin 449% përkundrejt limitit rregullator prej 100%. Ky tregues ka filluar të raportohet në muajin mars 2020.
Rezultati financiar i vitit i bankave me 2020 ishte pozitiv, me një vlerë prej rreth 16.88 miliardë lekësh, ose 3.02 miliardë lekë më i ulët se ai i vitit 2019.
Gjatë vitit 2020, aktivet e sistemit bankar shënuan një rritje prej rreth 106.42 miliardë lekësh ose 7.22%, përkundrejt rritjes me 22.1 miliardë lekë ose 1.52% të një viti më parë. Portofoli i kredive ka pasur rritje me 33.08 miliardë lekë ose 5.77%, gjatë këtij viti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.