Banka e Shqipërisë pritet që të zhvillojë të mërkurën mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës, ku do të merret dhe vendimmarrja për politikën monetare.
Sipas burimeve nga tregu, propozimi për Këshillin Mbikëqyrës do të jetë që norma bazë të mbetet e pandryshueshme.
Edhe në mbledhjen e fundit të datës 5 maj Këshilli Mbikëqyrësi i Bankës së Shqipërisë vendosi ta mbante normën bazë të interesit të pandryshuar në nivelin 3%.
Ndërkohë në maj inflacioni iu rikthye tendencës së lehtë rritëse, pas gjashtë muajsh kur kishte shfaqur vetëm tendenca ngadalësimi. Në maj, sipas INSTAT ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 4,7%, nga 4.6% muajin e mëparshëm, ndërsa në tetor ishte arritur niveli më i lartë që nga 1998-a prej 8.3%.
Tendenca rritëse e inflacionit duket më shumë e ndikuar nga faktorë të brendshëm, teksa në eurozonë çmimet po ulen me ritme më të shpejta se në Shqipëri, si rrjedhojë e lehtësimit të kostove të energjisë.
Gjithsesi ngadalësimi i ekonomisë në tremujorin e parë të vitit pritet që të frenojë Bankën e Shqipërisë nga një rritje tjetër e normës bazë, të paktën në afatin e shkurtër. Në tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia u rrit me 2.72%, që është niveli më i ulët që nga përudha e pandemisë.
Banka e Shqipërisë filloi të shtrëngojë politikën monetare që në mars të vitit 2022, pas një politike lehtësuese që zgjati që nga viti 2011. Në 23 mars 2022 norma bazë u rrit nga minimumi historik prej 0.5% në 1%, si një reagim për të luftuar presionet inflacioniste që u përshpejtuan pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës që destabilizuan tregjet globale, sidomos të energjisë dhe drithërave.
Banka, përmes normës bazë, ndikon ecurinë e variablave kryesorë në ekonomi si çmimet e konsumit, normat e interesave, kursin e këmbimit etj). Gjatë vitit 2022, banka e rriti edhe 4 herë normën bazë, duke e çuar në 2.75%. Në 2023-n, banka e ka rritur normën vetëm një herë në mars, në 3%, sa është edhe aktualisht.
Ndërsa përgjatë 2022-n tregu i ka ndjekur sinjalet e institucionit monetare qendror, duke rritur normat e depozitave, kredive si dhe të letrave me vlerë të qeverisë, në 2023-n tendenca ka qenë e kundërt, sidomos në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, ku rritja e normës bazë nuk e ka ndikuar shumë tregun e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare dhe yield-et kanë vazhduar të bien.
Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit pësuan rënie të mëtejshme në ankandin e dy javëve më parë, duke shënuar një minimum të ri për 10 muajt e fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.