Banka e Shqipërisë ka publikuar informacionin mbi ndërhyrjet në tregun e parasë në tremujorin e tretë 2015.
Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të përkohshëm të likuiditetit.
Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 36.4 mld lek kundrejt 28.4 miliardë lekë në tremujorin e mëparshëm (rritje prej 28%) dhe 30.2 miliardë lekë një vit më parë.
Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor në mesatarisht 22.14 miliardë lekë, kundrejt mesatarisht 19.50 miliardë lekë në javë* në tremujorin e mëparshëm, ndërsa injektimet njëmujore kanë qenë mesatarisht 3.94 miliardë lekë, kundrejt 3.28 miliardë lekë në javë* në tremujorin e dytë. Prej fundit të muajit korrik, Banka e Shqipërisë ka kryer injektime 3-mujore në 3 raste, duke bërë që likuiditeti mesatar i injektuar nëpërmjet këtij maturimi në tremujorin aktual të jetë 2.55 miliardë lekë në vlerë nominale dhe 5.7 miliardë lekë në fund të tij.
Operacioni injektues njëditor është përdorur vetëm në një rast, në datën 23 shtator në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës.
Gjatë tremujorit të tretë, Banka e Shqipërisë nuk ka kryer operacione blerjeje dhe shitjeje të letrave me vlerë.
Përdorimi i instrumenteve mbështetëse
Bankat kanë përdorur depozitën njëditore vetëm në dy raste, kundrejt 11 rasteve një tremujor më parë dhe shuma mesatare e përdorimit të saj qe 2.0 miliardë lekë, kundrejt 0.95 miliardë lekëve në tremujorin e dytë. Kredia njëditore është përdorur në dy raste për mesatarisht 1.4 miliardë lekë, kundrejt 3 rasteve dhe mesatarisht 1.0 miliardë lekë një tremujor më parë.
Veprime me bankat e nivelit të dytë
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015, Banka e Shqipërisë ka realizuar dy ankandet e planifikuara të muajve korrik dhe gusht për blerjen e valutës me objektiv rritjen e rezervës valutore. Shuma e shpallur për blerje për secilin nga këto ankande qe 2-5 milionë euro. Shuma totale e blerë në të dy ankandet ishte 7.0 milionë euro. Pas ankandit të muajit korrik janë blerë edhe 6.3 milionë euro nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe me bankat e nivelit të dytë.
Veprime me institucione të tjera
Në tremujorin e tretë të vitit kanë vazhduar të lidhen marrëveshjet swap në valutë, kundrejt lekut midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, sipas kërkesave të kësaj të fundit që synojnë menaxhimin sa më të mirë të likuiditetit të saj. Si rezultat i marrëveshjeve swap të lidhura në tremujorin e tretë, kundravlefta në lekë e blerjeve të valutës së Bankës së Shqipërisë nga Ministria e Financave gjatë kësaj periudhe qe 24,390.30 milionë lekë, ndërsa e shitjeve qe 24,463.23 milionë lekë. Shumat e investuara në marrëveshjet swap erdhën në rënie në 65 milionë SDR në fund të tremujorit të tretë nga 74 milionë SDR në fund të tremujorit të dytë, ndërkohë që u maturuan marrëveshjet swap në euro nga 18 milionë euro që ishin në fund të tremujorit të dytë.
Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 70.98 milionë lekë (Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – IBRD dhe Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim – IDA).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.