Banka e Shqipërisë ka miratuar një përjashtim të ri, të përkohshëm, nga kërkesat e zakonshme rregullatore, për t’iu lehtësuar bankave tregtare investimin në obligacionet në valutë të qeverisë shqiptare.
Ky vendim lidhet kryesisht me ankandin e obligacioneve në euro që qeveria shqiptare do të zhvillojë më datë 13 prill.
Obligacionet do të kenë maturim dyvjeçar dhe shuma e shpallur për financim është 100 milionë euro. Bankat kanë kërkuar që investimi në obligacione t’iu njihet me koeficent rreziku 0, në përllogaritjen e vlerës së aktiveve në rrezik, mbi të cilat ndërtohet treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit.
Ky tregues përfaqëson vlerën e kapitalit rregullator të bankës, në raport me vlerën totale të aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës rregullatorë të rrezikut.
Koeficienti i rrezikut i aplikuar nga Banka e Shqipërisë për obligacionet në valutë të qeverisë shqiptare, prej fillimit të vitit 2022, është 100%. Megjithatë, pas shpërthimit të pandemisë vitin e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës pati vendosur që për periudhën 2020-2021, investimet e bankave në obligacione në valutë të huaj të njiheshin përkohësisht me peshë rreziku zero.
Llogaritja me peshë rreziku zero nënkupton se bankave nuk iu kërkohet kapital për mbulimin e këtyre investimeve. Rrjedhimisht, vlera e obligacioneve të blera nuk do të ndikojë negativisht raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankës.
Nëse bankave do t’iu kërkohej mbulimi me kapital në vlerat standarde të parashikuara nga kuadri rregullator, pjesëmarrja e tyre në ankandin e obligacioneve do të ishte më e kufizuar dhe yield-et e kërkuara do të ishin më të larta, pikërisht për shkak të kostos mbi treguesin bazë të kapitalizimit.
Normat e interesit në tregun financiar kanë nisur rritjen, duke reflektuar rritjen e normës bazë të Bankës së Shqipërisë dhe pritshmëritë se një hap të tillë do ta hedhë së shpejti edhe Banka Qendrore Europiane, në përgjigje të normave të larta të inflacionit.
Rritja e normave të interesit pritet të rrisë edhe kostot e shërbimit të borxhit nga qeveria shqiptare. Për të amortizuar pjesërisht efektet e rritjes së normave të interesit dhe për të lehtësuar huamarrjen e qeverisë shqiptare, Banka e Shqipërisë po aplikon, herë pas here, masa balancuese në kërkesat e veta rregullatore ndaj bankave.
Në vitin 2020, një masë e tillë u miratua për t’iu krijuar bankave më shumë hapësira investimi, por edhe për t’i dhënë më shumë siguri proceseve të emetimit të Eurobondeve nga qeveria shqiptare në periudhën e pandemisë. Falë masave të përkohshme, bankat arritën të investonin shuma të konsiderueshme në Eurobonde, me një normë kthimi të kënaqshme.
Vlera e obligacioneve në valutë të huaj të qeverisë shqiptare në bilancet e sektorit bankar arriti në rreth 70 miliardë lekë ose pothuajse 580 milionë euro në fund të vitit 2021. Në një vit, vlera e këtij portofoli u zgjerua me 54%.
Një masë të ngjashme Banka e Shqipërisë e miratoi edhe në nëntor të vitit të kaluar, duke njohur si asete me peshë rreziku zero edhe kreditë e dhëna nga bankat për kompanitë publike të sektorit energjetik dhe të garantuara nga qeveria shqiptare.
Kjo masë mundësoi mbështetjen me kredi me interesa të ulëta të kompanive të grupit OSHEE dhe importet e energjisë gjatë muajve të fundit të vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.