Opinioni publik dhe qytetarët janë mësuar të dëgjojnë në vazhdimësi për përpjekjet e bankës së Shqipërisë për uljen e përgjithshme të nivelit të çmimeve. Por ky vit ka një mision krejt ndryshe, rritjen e tyre.
Rritja e çmimeve si prioritet i vitit është konfirmuar nga zvguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, e cila ka vënë në dukje se, sfidat kryesore të Bankës së Shqipërisë: sjelljen e inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, nxitjen e Kreditimit si dhe zgjidhjen e problemit të kredive me probleme. Viti 2015 do të vazhdojë të kërkojë angazhimin dhe vëmendjen e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për trajtimin e këtyre sfidave me qëllim ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit financiar në vend, është shprehur Gjoni në një forum rajonal bankierësh.
Kjo deklaratë e bashkon Shqipërinë në krah të Bankës Qendrore Europiane, e cila në këtë fillim vit ka marrë masa të forta në blerjen e obligacioneve me qëllim nxitjen e konsumit dhe të çmimeve më të larta. Europa zyrtarisht është tashmë në deflacion, një fenomen edhe me rrezikshëm se çmimet e larta.
Banka e Shqipërisë në dokumentin e saj të politikave monetare sanksionon se, nëse çmimet demonstrojnë një rritje më pak se, 2% kjo nuk është një shenjë e mirë për ekonominë, por nëse rritja zbret poshtë nivelit 1%, tashmë kjo mund të konsiderohet deflacion. Teoritë njohin dy lloje deflacioni, njëri jo aq i dëmshëm që vjen nga mbiprodhimi që krijon ulje të natyrshme të çmimeve dhe tjetri që cilësohet deflacioni i pengueshëm i cili krijohet më së shumti nga mungesa e likuiditetit në ekonomi dhe ngecja e qarkullimit të mallrave, shërbimeve dhe rënia e konsumit në tërësi. Ky lloj deflacioni duket se ka prekur edhe Europën dhe bashkë me të Shqipërinë i nxitur edhe nga çmimet e ulta të naftës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.