Banka e Shqipërisë: Sistemi pagesave në euro vihet në zbatim këtë vit

07/03/2021 11:00 PM 0 komente

Projekti i ngritjes së një sistemi për shlyer pagesat kombëtare në euro ka avancuar dhe pritet të jetë funksional brenda këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, po vijon puna në drejtim të zhvillimit të sistemeve të përfshira në këtë projekt, për të cilat parashikohet të testohen, zbatohen e vihen në zbatim në vitin 2021. Ky do të ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm për tregun e brendshëm të pagesave, ku mungesa e një skeme të shlyerjes brenda vendit krijon kosto të mëdha për kryerjen e transfertave ndërbankare në euro.

Në prononcimet e tyre për revistën “Monitor”, bankierët shprehen se ngritja e infrastrukturës që do të mundësonte një shërbim të tillë është shumë e rëndësishme.

“Mendoj se është një domosdoshmëri. Vërehet një numër i lartë dhe gjithnjë e në rritje i transfertave në euro brenda vendit, të cilat zënë rreth 20%-25% të transaksione në euro. Këto transferta aktualisht klerohen dhe shlyhen nëpërmjet bankave korrespondente europiane, ku bankat rezidente mbajnë llogaritë e tyre, duke u shoqëruar me kosto të larta, si të transaksionit ashtu, edhe të fondeve që mbahen në to. Klerimi dhe shlyerja kombëtare e transfertave në euro, do të sjellë shpejtësi dhe kosto më të reduktuara për këto transferta brenda vendit,” thotë Suela Çela drejtore e Operacioneve në Credins Bank.

Sipas Bankës OTP Albania, shlyerja kombëtare e pagesave në monedhë të huaj do të ishte gjithashtu mbështetje për format alternative dhe më inovative të pagesave, njëlloj si edhe prezenca e procesorëve lokalë për transaksionet me karta. Sipas OTP, mundësimi i shërbimeve të mësipërme do të ndikonte në uljen e tarifave për konsumatorët e këtyre shërbimeve bankare.

“Duke njohur kostot tepër të larta të cilat mbart përdorimi i bankave korrespondente për pagesat në valutë brenda vendit, Raiffeisen Bank inkurajon nevojën për ndërhyrje të mundshme në treg nëpërmjet skemës së shlyerjes kombëtare të transfertave në euro, gjë që do sillte përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë duke ju dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive,” thotë Gentian Capo, drejtor i Operacioneve në Raiffeisen Bank – Shqipëri.

Euroizimi i lartë i ekonomisë dhe sektorit financiar e bëjnë të rëndësishëm adresimin e problemit të kostove të larta të transfertave në monedhën europiane. Ende sot transferimi i eurove mes dy bankave shqiptare duhet detyrimisht të kalojë nga një bankë korrespondente jashtë vendit, çka krijon kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë.

Kostot shpesh nxisin edhe veprimet cash në monedhën europiane dhe kur klientët kanë nevojë të lëvizin fondet nga një bankë në tjetrën, shpesh ata zgjedhin ta bëjnë këtë fizikisht, për të shmangur komisionet. Lëvizja e shumave cash krijon rreziqe operacionale për bankën, por edhe për vetë klientin.

Skema për shlyerjen e pagesave në euro pritet të shfrytëzojë infrastrukturën ekzistuese të pagesave të Bankës së Shqipërisë, konkretisht sistemin e shlyerjes së pagesave me vlerë të vogël (AECH). Ngritja e një sistemi të tillë do të mundësojë uljen e ndjeshme të komisioneve për transfertat kombëtare në euro, duke parashikuar edhe vlera tavan.

Për lekun, komisioni tavan është 500 lekë për transfertat në vlerë të vogël (deri 1.5 milionë lekë) dhe 1500 lekë për transfertat në shuma të mëdha, mbi 1.5 milionë lekë. Për euron, komisionet janë disa herë më të larta, në varësi të rrugës që ndjek transferta dhe të bankave korrespondente të përfshira. / E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of