Banka Europiane e Investimeve emëron drejtuesin e ri për Ballkanin Perëndimor

27/01/2021 11:07 AM 0 komente

Banka Europiane e Investimeve ka emëruar Alessandro Bragonzi si Shefin e ri të Përfaqësimit Rajonal për Ballkanin Perëndimor. Ai po pason Dubravka Nègre, mandati i të cilit përfundoi më 15 janar.

Zëvendëspresidentja e BEI-së, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, Lilyana Pavlova deklaroi se: “Ne presim me padurim të prezantojmë iniciativat tona të reja për këtë rajon kur bëhet fjalë për rimëkëmbjen nga Covid-19 dhe tranzicionin e ekonomisë drejt një tregu të përbashkët të qëndrueshëm, të bashkuar, digjital dhe të gjelbër.

Si bankë e BE-së, ne do t’i qëndrojmë angazhimit tonë për të ndihmuar në rimëkëmbjen socio-ekonomike dhe zhvillimin e mëtejshëm në rrugën e BE-së, në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Europian dhe iniciativën Team Europe. Këto nisma janë thelbësore për krijimin e një tregu rajonal më konkurrues dhe të integruar brenda zinxhirëve të vlerave të BE-së dhe kushteve më të mira të jetesës për njerëzit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Si përfaqësues i ri në rajon, ne jemi të bindur që Z. Bragonzi do të jetë në gjendje të çojë më tej arritjet e fundit dhe të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në aktivitetin e Bankës në fushat e lidhshmërisë së transportit, NVM-ve dhe zhvillimin e infrastrukturës jetësore, digjitalizimit, tranzicionit të gjelbër dhe inovacionit. Përmes zyrave tona lokale në të gjithë rajonin, ne po zgjerojmë prezencën e BEI-së, duke zhvilluar marrëdhënie të mira dhe të frytshme me partnerët tanë lokalë që mund të mbështeten në mbështetjen tonë teknike dhe financiare për zbatimin e investimeve të tyre kryesore me rëndësi strategjike në këto sektorë”.

“Është një nder i madh për mua të marr përsipër përgjegjësi të reja në rajon në një kohë kur rajoni po përballet me një vit tjetër sfidues. Ballkani Perëndimor u ndikua shumë nga pandemia dhe mbetet i cenueshëm nga goditjet e mëtejshme.  BEI-ja ka për përparësi të forcojë ekonomitë dhe sistemet e kujdesit shëndetësor, ndërkohë që lufton për rimëkëmbje të zgjuar dhe të gjelbër.

Unë pres me padurim që të angazhohen me qeveritë, sektorin privat dhe të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë edhe institucionet e tjera financiare me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme dhe efikasitetit të energjisë, mbështetjen e transportit të qëndrueshëm, rritjen e disponueshmërisë së strehimeve sociale dhe të përballueshme dhe aksesin në ujë dhe ndihmën për kompanitë e sektorëve të ndikuar më shumë nga pandemia”, deklaroi Alessandro Bragonzi me marrjen e detyrës së re.

Si pjesë e Team Europe, prioritetet e BEI-së për Ballkanin Perëndimor do të vijojnë të jenë (i) mbështetja për rimëkëmbje nga Covid-19, (i) forcimi dhe modernizimi i infrastrukturës jetësore, dhe (iii) adresimi i nevojave të financimit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme përmes bankave partnere. Banka BE-së do të nxisë investime që inkurajojnë lidhshmëri më të mirë dhe të gjelbër, infrastrukturë moderne, sektor të fortë privat dhe tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër dhe dixhitale, në përputhje edhe me Planin Ekonomik dhe të Investimeve.

Z.Bragonzi është pjesë e BEI-së që prej 11 vjetësh. Para se të merrte këtë pozicion, ai ishte përfaqësuesi i BEI-së për Shqipërinë, përgjegjës për aktivitetet institucionale dhe operacionale në këtë vend, si dhe Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Para detyrës së tij aktuale, ai kontribuoi në zhvillimin e aktivitetit të administrimit të instrumenteve financiare të BE-së gjatë mandatit të Bankës dhe ai ka vlerësuar, strukturuar dhe negociuar financimin për projektet e investimeve, huadhëniet për qeveritë, bankat dhe financimin e projekteve, si dhe ekipet udhëheqëse shumë-disiplinore.

Si investitori më i madh në rajon, BEI-ja ka zhbllokuar mbi 8.6 miliardë euro që nga viti 2009 në mbështetje të modernizimit të infrastrukturës jetësore dhe zhvillimit të sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Deri më sot, BEI-ja ka investuar 365 milion euro në sektorë të kujdesit shëndetësor, përfshirë rikonstruksionin e Qendrave Klinike në Nish dhe Banja Luka dhe 21 spitaleve rajonale.

Me investimin e mbi 2 miliardë eurove, ajo ka kontribuar në ndërtimin e qindra kilometra autostradash përgjatë rrugëve kryesore rajonale. Për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, banka ka zhbllokuar mbi 4 miliardë euro deri më sot, e cila ka ndihmuar në ruajtjen e mbi gjysmë milioni vendeve pune në Ballkanin Perëndimor. Vetëm në vitin 2020, Banka e BE-së ka mobilizuar më shumë se 1 miliard euro për të ndihmuar në zbutjen e efekteve negative të pandemisë së Covid-19.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of