Banka Kombëtare e Greqisë (National Bank of Greece-NBG) njoftoi së fundmi se ka nënshkruar një marrëveshje përfundimtare me ΟΤP Bank Romania për shitjen tek OTP të pjesës së saj të aksioneve prej 99.28%, që zotëron tek dega e saj rumune, Banca Romaneasca dhe të një portofoli të huave me risk të korporatave, raporton ANA-MPA.
Transaksioni pritet të rrisë normën e kapitalit bazë me 5 pikë përqindjeje, duke marrë në konsideratë që ripagimi i borxhit brenda grupit do të forcojë pozicionin e likuiditetit me 650 milionë euro.
Leonidas Fragkiadakis, CEO i NBG, tha: “Shitja e BROM rikonfirmon angazhimin tonë për zbatimin me sukses të planit të ristrukturimit të bankës dhe do të forcojë më tej normat e kapitalit dhe nivelin e likuiditetit”.
Mbyllja e transaksionit është subjekt i miratimit nga Banka Kombëtare e Hungarisë, Banka Kombëtare e Rumanisë dhe institucionet anti-trust.
Credit Suisse International po vepron si një këshillues financiar ekskluziv i National Bank. Freshfields Bruckhaus Deringer po vepron si këshillues ligjor ndërkombëtar dhe PeliFilip si këshillues ligjor vendas i National Bank.
Në shitje dhe degët e tjera në Ballkan
Më herët, CEO i Bankës, Leonidas Fragiadakis, ka pohuar për Reuters, në një intervistë NBG se do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët.
“Më shumë se 90 për qind e ristrukturimit tonë ka përfunduar. Këto operacione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të angazhimeve në kuadër të planit,” tha ai, duke shtuar se proceset e shitjes ishin duke u zhvilluar.
Kjo do t’i japë bankës përmirësim të treguesve të kapitalit, përpara se të zhvillohet raundi i parë i testeve të stresit nga Banka Qendrore Europiane vitin e ardhshëm. NBG do të përqendrohet ndërkohë në tregun e saj të brendshëm.
Në Shqipëri, filiali i NBG kishte asete prej 41 miliardë lekësh në fund të tremujorit të parë, sipas statistikave të Shoqatës Shqiptare të Bankave, duke u renditur e nënta në sistem dhe duke përbërë gati 3% të totalit të aktiveve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.