Bankat, balanca pozitive me 34 miliardë lekë

12/03/2019 3:09 PM 0 komente

Mjetet financiare të sektorit bankar, përveç bankës qendrore, u zgjeruan me 13.9 miliardë lekë dhe, në fund të vitit 2017, shënojnë 1.42 trilionë lekë.

“Huaja” mban pjesën më të madhe të mjeteve financiare të këtij nënsektori, me përafërsisht 44% të totalit, dhe gjatë 2017-s u zvogëlua me 5.7 miliardë, në nivelin 635 miliardë lekë. Ecuria e stokut të huasë është influencuar nga reforma e ndërmarrë nga autoriteti rregullator, për fshirjen e kredive me probleme nga bilancet e bankave (hyrë në fuqi nga 1 janari i vitit 2015), si dhe njëkohësisht nga efekti negativ i kursit të këmbimit.

Kështu, vëllimi i transaksioneve në hua, pastruar nga efektet e mësipërme, llogaritet në 6.3 miliardë lekë më 2017, nga 31.4 miliardë lekë një vit më 2016. Në masën më të madhe, transaksionet në hua kanë qenë në drejtim të sektorit të ekonomive familjare (në rreth 72%), ndërsa huaja për sektorët jorezidentë shënoi 5.8 miliardë lekë.

Portofoli në letra me vlerë të borxhit, i cili përfaqëson rreth 29% të mjeteve financiare të korporatave depozituese përveç bankës qendrore, shënoi rënie (9.5 miliardë lekë, ose 2.2% në terma vjetorë) dhe në fund të vitit 2017, arriti nivelin 416 miliardë lekë. Investimet në letra me vlerë të jorezidentëve nuk kanë qenë më atraktive, duke rënë me 19% gjatë vitit 2017, në një total prej 17.8% të totalit të portofolit, nga 22% një vit më parë. Letrat me vlerë të qeverisë qendrore u rritën me 2.5%, ndikuar kryesisht nga zgjerimi i zotërimeve në letra afatgjata të borxhit.

Instrumenti “monedha dhe depozita” gjatë vitit 2017, u zgjerua ndjeshëm me rreth 25.2 miliardë lekë në vlerë nominale (ose 7.7% në terma vjetorë), në nivelin 354.6 miliardë lekë, kryesisht si pasojë e zgjerimit të depozitave me afat (rreth 23.7 miliardë lekë vlerë nominale) dhe zgjerimit të mjeteve likuide, monedhës dhe depozitave të transferueshme (nominalisht me 1.5 miliardë lekë).

Instrumenti “aksione ose njësi të fondeve të investimit”, gjithashtu është zgjeruar gjatë vitit 2017 (me rreth 1.4 miliardë) dhe në fund të dhjetorit 2017, shënon 10.5 miliardë lekë.
Detyrimet financiare të sistemit bankar, përveç bankës qendrore, u zgjeruan me 37.4 miliardë lekë dhe, në fund të vitit 2017, duke shënuar 1.39 trilionë lekë.

Instrumenti “monedha dhe depozita” përbën komponentin kryesor të detyrimeve financiare të korporatave depozituese, përveç bankës qendrore, me një peshë ndaj totalit prej 83% në fund të vitit 2017. Gjatë këtij viti, ky instrument u zgjerua me 17.7 miliardë lekë, në nivelin 1,164 miliardë lekë. Ky zhvillim është kryesisht pasojë e zgjerimit të depozitave të transferueshme (likuide) të sektorit të biznesit me rreth 11.6 miliardë lekë.

Huatë e sektorit financiar përbëjnë vetëm 5% të totalit të detyrimeve financiare, me një vlerë prej 68 miliardë
lekësh në fund të vitit 2017, ku huadhënësit kryesorë mbeten banka qendrore (58.5%) dhe sektori jorezident (36%).
Aksionet ose njësitë e fondeve të investimit arritën vlerën 148 miliardë lekë në fund të vitit 2017, në një peshë prej 10.6% të totalit të detyrimeve financiare, duke u rritur me 9.6 miliardë lekë krahasuar me vitin paraardhës. Në fund të vitit 2017, pasuria financiare neto e korporatave depozituese, përveç bankës qendrore, vlerësohet në 34.05 miliardë lekë.

 

 

Fondet e investimeve, mjetet barazohen me detyrimet

Fondet e investimeve në Shqipëri e kanë nisur aktivitetin e tyre në fillim të vitit 2012. Menjëherë pas krijimit të tij, ky nënsektor ka pësuar një zhvillim të konsiderueshëm, duke kaluar përmes ndryshimesh të rëndësishme strukturore, në mbështetje të zhvillimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe tregut financiar në përgjithësi.

Aktualisht, numërohen tre fonde të hapura investimesh me ofertë publike të administruara nga dy shoqëri administruese, përkatësisht: Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigje”, Fondi i investimeve “Raiffeiseninvest Euro” dhe Fondi i investimit “Credins Premium”; me objekt investimi në tituj me të ardhura fikse, kryesisht bono dhe obligacione të Qeverisë Shqiptare. Ecuria e këtij tregu paraqitet në nivele të njëjta në vitet e fundit, dhe gjatë vitit 2017 shënoi rritje në terma vjetorë me 11% të aseteve të tij. Nënsektori i fondeve të investimit tashmë përfaqëson një pjesë të rëndësishme të sektorit financiar në Shqipëri, duke mbetur nënsektori i dytë më i rëndësishëm, pas bankave.

Mjetet financiare të fondeve të investimeve, në fund të vitit 2017, shënuan 72.9 miliardë lekë, nga 65.6 miliardë lekë në vitin 2016. Pretendimet financiare të fondeve të investimeve në totalin e mjeteve të korporatave financiare zënë rreth 3.5%. Gjatë viti 2017, vërehet një rritje e moderuar e pranisë së këtij sektori në sektorin financiar.

Në aspektin e politikës së investimeve, ato dominohen kryesisht nga investime në letra me vlerë të borxhit (në masën 85%), të cilat përbëjnë edhe instrumentin më të rëndësishëm financiar të mbajtur nga ky nënsektor. Instrumenti “letra me vlerë të borxhit” u rrit në terma vjetorë me rreth 12.8% dhe në fund të vitit 2017, shënon vlerën 62.2 miliardë lekë, nga të cilat 49.3 miliardë lekë përfaqësohen nga letra me vlerë të borxhit afatgjatë.
Mjetet financiare në formën “monedha dhe depozita” shënuan rënie gjatë vitit 2017, me rreth 24% dhe në fund të 2017-s shënojnë 5.8 miliardë lekë.

Totali i detyrimeve financiare të fondeve të investimeve u rrit me 11% gjatë vitit 2017, në nivelin 72.9 miliardë lekë. Në konsiderata të llojit të ndërmjetësimit financiar që kryhet nga fondet e investimeve, detyrimi kryesor financiar i këtij nënsektori është në kuota (njësi) të fondit të investimit, të cilat përbëjnë 99.7% të detyrimeve financiare, në fund të vitit 2017. Në terma absolutë, stoku i këtij instrumenti, gjatë vitit 2017, ka pasur rritje me 11%, krahasuar me rënien prej 2% të shënuar në fund të vitit 2016. Investitorë në fondet e investimeve janë individët.

 

Jo bankat, pasuria neto 7 miliardë lekë

Nënsektori financiar jo banka (institucione të tjera financiare përveç kompanive të sigurimit dhe fondeve të pensionit) agregon të dhënat e të gjithë institucioneve të tjera që kryejnë ndërmjetësim financiar, apo lehtësojnë ndërmjetësimin financiar, të tilla si: institucionet e kreditit, institucionet që ofrojnë qira financiare (leasing), institucionet e mikrokredisë, faktoringut dhe të gjitha shërbimeve të pagesave dhe transferimit të parave, brokerat dhe agjentët financiarë etj.

Mjetet financiare të këtij sektori u zgjeruan me 6.5 miliardë lekë (ose 14.7% në terma vjetorë) dhe, në fund të vitit 2017, shënojnë 51 miliardë lekë. Instrumenti kryesor i këtij nënsektori mbetet “huaja”, me një peshë prej 50% në totalin e mjeteve financiare. Gjatë vitit 2017, ky instrument u rrit me 16%, krahasuar me një vit me parë dhe shënon nivelin 25.7 miliardë lekë në fund të vitit 2017. Në një shpërndarje sipas maturitetit, huatë afatgjata janë dominuese, me rreth 88.7% të totalit të huave në fund të vitit 2017.

Sektori kryesor përthithës i tyre është sektori i ekonomive familjare, i cili ka përfituar rreth 70% të huave të dhëna nga institucionet e tjera financiare. Instrumenti “monedha dhe depozita” përbën rreth 18.9% të totalit të mjeteve financiare të këtij nënsektori dhe shënon 9.6 miliardë lekë në fund të vitit 2017, nga 9.8 miliardë në vitin 2016. Instrumenti “aksione ose njësi të fondit të investimit” vlerësohet në 10.3 miliardë lekë dhe përbën 20.2% të totalit të mjeteve në fund të vitit 2017. Investimi në kapitalin e korporatave të tjera depozituese zë peshën kryesore për të gjitha periudhat e marra në shqyrtim (73.6% të totalit të aksioneve).

Detyrimet financiare të institucioneve të tjera financiare vlerësohen në nivelin 43.8 miliardë lekë, nga 41.4 miliardë lekë në fund të vitit 2016. Burimi kryesor i financimit të këtij nënsektori janë huatë me rreth 46% të totalit të detyrimeve, të cilat, në fund të vitit 2017, shënojnë nivelin stok prej 20 miliardë lekësh. Sektorët kryesorë financues të huasë janë bankat në rreth 37% dhe jorezidentët në 39% të totalit të detyrimeve të vlerësuara në fund të vitit 2017.

Instrumenti “aksione ose njësi të fondit të investimit” në fund të vitit 2017 shënon 18.7 miliardë lekë, në zgjerim me rreth 1 miliard lekë, dhe përbën rreth 43% të totalit të detyrimeve financiare. Në fund të vitit 2017, pasuria financiare neto e këtij nënsektori shënonte nivelin 7.1 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë një vit më parë.

 

 

Kompanitë e sigurimit dhe fondet e pensionit, pasuria me deficit

Tregu shqiptar i sigurimeve vijon me një rritëm relativisht të qëndrueshëm zgjerimi, me total mjetesh financiare që luhaten në intervalin 1.88-1.87% e PBB-së, për periudhën 2016-2017. Numri i shoqërive operuese në tregun e sigurimeve ka mbetur po njësoj gjatë këtij viti, në 11 kompani. Megjithatë, tregu i sigurimeve në Shqipëri mbetet i orientuar te sigurimet e jo-jetës dhe kryesisht tek ato të detyrueshme.

Dinamikë pozitive kanë pasur zhvillimet në tregun e pensioneve private vullnetare. Gjithsesi, vlera neto e mjeteve të këtij tregu është në masë të papërfillshme kundrejt PPB-së në Shqipëri. Gjatë vitit 2017, numri i operatorëve të tregut të pensioneve private vullnetare nuk pati ndryshime. Në këtë treg ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde pensioni vullnetar të administruar nga tri shoqëri administruese

Gjatë vitit 2017, mjetet financiare të kompanive të sigurimit dhe fondeve të pensionit, së bashku, shënuan 29 miliardë lekë, në zgjerim vjetor me 4.8%. Së bashku, këta nënsektorë përfaqësojnë vetëm 1.4% në totalin e mjeteve të korporatave financiare.

“Monedha dhe depozitat” përfaqësojnë instrumentin kryesor në zgjerimin e mjeteve financiare, të kompanive të sigurimit dhe fondeve të pensionit (në rreth 35.8% të totalit të mjeteve).

Në fund të 2017, ky instrument shënoi 10.4 miliardë lekë dhe prezantohet në masë të konsiderueshme (94%), kryesisht nga depozitat me afat pranë korporatave depozituese.

“Letra me vlerë të borxhit” është një tjetër instrument i rëndësishëm financiar i mbajtur nga këta nënsektorë. Në fund të 2017-s, letrat me vlerë të borxhit shënuan 5.2 miliardë lekë, në rritje vjetore prej 1%. Letra me vlerë të borxhit përfaqësojnë në masën 18% totalin e mjeteve financiare dhe prezantohen tërësisht në formën e letrave me vlerë të borxhit të emetuar nga qeveria qendrore. Llogaritë e tjera të arkëtueshme të kompanive të sigurimit dhe fondeve të pensionit shënuan vlerën 4.85 miliardë lekë, nga 4.6 miliardë lekë në fund të vitit 2016.

Në fund të vitit 2017, stoku detyrimeve të kompanive të sigurimit dhe fondeve të pensionit shënoi 18.8 miliardë lekë dhe përbën 57.6% të detyrimeve financiare. Peshën kryesore të këtij detyrimi e përbëjnë rezervat e sigurimit të jo-jetës (me 82% të totalit).

“Aksione ose njësi të fondeve të investimit” ose llogaria e kapitaleve të veta, është një tjetër instrument i rëndësishëm financiar në totalin e detyrimeve financiare të këtij nënsektori (me rreth 30%). Në fund të vitit 2017, ky instrument vlerësohet në rreth 9.9 miliardë lekë, në rritje të moderuar në terma vjetorë (1.4%). Në fund të 2017, pozicioni financiar neto i kompanive të sigurimeve dhe fondeve të pensionit shënon -3.7 miliardë lekë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of