Bankat e eurozonës duhet të reduktojnë kostot e mëdha, të fuqizojnë bilancet dhe të trajtojnë më kujdes kreditë e këqija. Këto këshilla kanë ardhur nga shefja mbikëqyrëse e Bankës Qendrore Europiane, Daniele Nouy, e cila shton se duhet ende shumë punë për të adresuar ekspozimet e kredive me probleme.
Bankat e zonës euro përballen me rreth 900 miliardë euro kredi me probleme. Politikëbërësit argumentojnë se shitja apo transferimi i kredive të tilla në institucione që merren me pastrimin e tyre quajtur “bad banks” duhet bërë në nivel kombëtar, për shkak të rregulloreve të ndryshme në shtete të ndryshme.
Disa ekspertë sugjerojnë se BQE mund edhe të blejë kredi me probleme në të njëjtën mënyrë që blen letrat me vlerë të kolateralizuara apo të mbështetura me aktive, por shumica e refuzojnë këtë.
Daniele Nouy pranoi se normat nën zero të interesit të BQE po shkaktojnë vështirësi në fitimet e bankave, por kostot e lira të financimit dhe likuiditeti jep kontribut të frytshëm. Në vijim, ajo shtoi edhe se kostot e bankave qëndrojnë shumë të larta në raport me të ardhurat.