Bankat e Kosovës këtë vit fituan rreth 80 milionë euro

10/12/2019 3:34 PM 0 komente

Fitimi i bankave komerciale për sivjet është rreth 80 milionë euro. Kështu u tha në konventën vjetore të Shoqatës së Bankave të Kosovës të mbajtur në Prishtinë.

Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovë, Petrit Balija tha se jo rrallë herë axhenda politike është ajo që dominon në opinion e gjerë publik dhe puna e madhe që bëhet nga bankierët mund edhe të mos ketë vëmendjen e duhur të shoqërisë.

Ai shtoi se sektori bankar edhe këtë vit ka qenë stabël, duke perfomuar një fitim të mirë si dhe stabilitet në likuiditet, andaj sipas tij, edhe vitet e ardhshme pritet të ketë rritje të kreditimit për bizneset dhe qasje më të madhe financiare.

“Sipas parametrave ose parashikimeve, fitimi i bankave për këtë vit do të jetë i ngjashëm me vitin e kaluar. Afër 80 milionë euro për sektorin bankar në tërësi, ndërsa në vend janë 10 banka, kështu që nëse ndahet kjo, i bie diku 7-8 milionë euro për secilin institucion bankar. Kjo e siguron që bankat të kenë mundësi të veprojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe të jenë të kapitalizuara mirë. Edhe për neve si shoqatë është një indikator i mirë që ta kemi një sektor bankar të qëndrueshëm dhe pa telashe”, tha Balija.

Balija theksoi se rezultatet e punës së bankave komerciale janë më se të prekshme për shoqërinë e Kosovës.

“Ju jeni ata që mundësoni që një familje të ketë qasje në kapital, p.sh, për renovimin e banimit, apo që një çift i ri të ketë mundësinë që të bëhet me kulm mbi kokë. Ju jeni ata që e bëni të mundur që një biznes të ketë qasje në financa për të rritur afarizmin e tyre dhe për të rritur cilësinë në shërbime. Bankierët janë ata që ruajnë depozitat e qytetarëve dhe këshillojnë ata në mirëbesim. Prandaj, puna që bëhet në sektorin bankar është punë që i sjell dobi të mëdha kësaj shoqërie, por ne nuk vetëkënaqemi me kaq dhe vazhdojmë të angazhohemi për të rritur kujdesin ndaj klientit dhe për të rritur qasjen në financa. Në këtë drejtim Bordi i Shoqatës së Bankave ka aprovuar edhe Kodin e Praktikës Bankare”, theksoi Balija.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli që ishte pjesë e këtij paneli tha se sektori i bankar në Kosovë është një histori suksesi bazuar në shifrat e publikuara nga Shoqata e Bankave.

Ai ka këshilluar që të ketë zhvillime të mëtutjeshme për zgjidhjen e çështjes së POS-ave si dhe avancimi i mëtejmë për qasje në financa.

“Përtej kësaj, mendoj se ka çështje të cilat duhet të zhvillohen. Njëra prej tyre është qasja në kredi, pronësia e llogarive. Ne kemi dëshmi të fuqishme se individët, në veçanti të varfrit, gratë përfitojnë nga posedimi i një llogarie bankare. Kjo është dëshmi nga e tërë bota. Pra, të kesh një llogari bankare bëhet një farë lloj shënjestrimi për përfshije financiare në një institucion bankar, siç është Banka Botërore. Pra, banka lehtëson transferimin e remitencave dhe pagës”, deklaroi Mantovanelli.

Robert Wright nënkryetar i Shoqatës së Bankave në Kosovë në këtë konventë ka paraqitur të dhënat performuese të sektorit bankar në Kosovë, i cili veçoi se kreditë e këqija shënojnë nivelin më të ulët, prej rreth 2.2 për qind, që është niveli më i ulët në rajon.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of