Sistemi bankar rezultoi me një fitim prej 5.86 miliardë lekë në tremujorin e parë 2015, duke shënuar një rritje prej 30%, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë historik i fitimeve të sistemit në këtë periudhë, të paktën në letra.
Tre ishin arsyet kryesore që ndikuan në rritjen e fitimit:
Së pari, të ardhurat neto të veprimtarisë u rritën me gati 11%, duke arritur në 11.4 miliardë lekë. Ndonëse si të ardhurat nga interesat ashtu dhe shpenzimet për interesa ranë, ritmet e rënies ishin më të larta për shpenzimet sesa për të ardhurat. Kjo, teksa ulja e normave të interesit të depozitave ka qenë më e lartë sesa ajo e kredive, në reflektim të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, duke bërë që diferenca mes tyre të arrijë nivele rekord të larta. http://www.monitor.al/politika-monetare-me-efekte-te-kunderta-rriten-interesat-e-kredive-ulen-te-depozitave-ne-mars
Së dyti, të ardhurat nga veprimtaritë e tjera u rritën ndjeshëm, duke rezultuar neto në 1.1 miliardë lekë, nga gati zero që kishin qenë në tremujorin e mëparshëm.
Së treti, shpenzimet për provigjione, që dikur ishin një nga faktorët kryesorë që gërryenin fitimet e bankave, ishin minimale në tremujorin e parë të vitit, madjee bankat kanë filluar të rekuperojnë këto fonde.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.