Bankat fitojnë 1.2 lekë për çdo 100 lekë që japin borxh

23/03/2021 12:00 PM 0 komente

Bankat fitojnë afërsisht 1.2 lekë për çdo 100 lekë hua që japin.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2020, kthimi nga aktivet i sektorit bankar zbriti në 1.2%, nga 1.5% që kishte qenë një vit më parë. Ky tregues është raporti i fitimit para tatimit me totalin e aktiveve të sektorit bankar.

Rënia e tij në vitin 2020 erdhi për shkak të tendencës së kundërt të fitimit me totalin e aktiveve të bankave gjatë vitit të kaluar. Fitimi neto pësoi një rënie me 15%, ndërsa totali i aktiveve të bankave u rrit me 7.2%.

Kthimi nga aktivet është një tregues që jep idenë e eficiencës së investimeve të sektorit bankar. Në thelb, aktivet e bankës konsistojnë në forma të ndryshme të huadhënies përmes procesit të ndërmjetësimit financiar. Këto forma mund të jenë kredi për individët dhe bizneset, hua për qeverinë, përmes blerjes së bonove dhe obligacioneve, apo për institucione të tjera financiare, në formën e vendosjeve dhe mbajtjes së llogarive. Në vitet e fundit, ky tregues ka qenë në intervalin mes 1.2% dhe 1.5%, që tregojnë fitime jo shumë të larta në raport me përmasat totale të sektorit. Këto nivele të kthimit nga aktivet përcaktohen shumë nga fakti që sektori bankar shqiptar operon përgjithësisht me profil të një rreziku të ulët dhe likuiditeti të lartë.

Mbështetur në të dhënat nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, raporti mes kredive dhe depozitave, si edhe ai mes aktiveve likuide dhe detyrimeve afatshkurtra ishin të dy në nivelin 47.4%. Vetëm 38.5% e aktiveve totale të bankave janë kredi për sektorin privat, ndërsa pjesa më e madhe konsiston në aktive me rrezik të ulët, kryesisht letra me vlerë qeveritare dhe vendosje e depozita në banka jashtë vendit.

Rreziku më i ulët nënkupton edhe përfitime më të ulëta, sidomos për investimet në valutë të huaj. Normat e interesit të euros, që është valuta e huaj dominuese në bilancet e bankave, në tregjet ndërkombëtare janë në nivele pranë zeros dhe investimi i fondeve në euro jashtë vendit në përgjithësi nuk sjell fitime të mëdha për bankat. Për shumicën e bankave fitimi varet kryesisht nga cilësia e portofolit të huasë për sektorin privat. Vitin e kaluar bankat rritën ndjeshëm shpenzimet për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë, për shkak të një impakti të pritshëm negativ të krizës në treguesin e kredive me probleme. Kjo u reflektua edhe në rënien e treguesit të kthimit nga aktivet, si edhe të kthimit nga kapitali. Në terma neto, sektori bankar vitin e kaluar fitoi 16.9 miliardë lekë ose rreth 137 milionë euro./ E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of