Bankat kërkojnë shtyrjen e masave që lehtësojnë ristrukturimin e kredive

17/12/2020 11:00 PM 0 komente

Bankat tregtare i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë shtyrjen e masave që lehtësojnë ristrukturimin e kredive edhe për vitin e ardhshëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha dje pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se një propozim i tillë është artikuluar zyrtarisht nga Shoqata e Bankave dhe po merret në shqyrtim nga Banka Qendrore.

Në muajin maj të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi një dispozitë lehtësuese për kreditë e ristrukturuara, sipas së cilës, bankave u jepet mundësi të ristrukturojnë marrëdhëniet e kredive, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në varësi të aftësisë paguese të kredimarrësve deri më 31 dhjetor 2020, pa kosto shtesë të provigjoneve dhe pa përkeqësim të statusit të huamarrësve. Kërkesa e bankave lidhet pikërisht me shtyrjen e mëtejshme të dispozitave të mësipërme.

Miratimi i kësaj kërkese nuk do të nënkuptojë një moratorium apo shtyrje në bllok të kësteve të kredive, siç ndodhi në mars të këtij viti. Ajo do të krijojë hapësira që bankat t’iu mundësojnë ristrukturime të mëtejshme atyre klientëve që provojnë se po kalojnë vështirësi të përkohshme, të lidhura me pandeminë dhe se aktiviteti i tyre mund të përmirësohet në të ardhmen e afërt.

Në çdo rast, vendimi për shtyrjen e kredisë do t’i takojë bankës dhe do të merret mbështetur në analiza individuale të kredimarrësve që paraqesin kërkesa të këtij lloji.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, falë moratoriumit të pagesave që u vendos në mars 2020 u shtynë mbi 25 mijë kredi bankare, me vlerë të përgjithshme rreth dy miliardë euro.

Kjo iu la huamarrësve likuiditet shtesë për të përballuar vështirësitë e shkaktuara nga kriza, por paralelisht mbrojti edhe bankat nga një përkeqësim i shpejtë i cilësisë së portofolit të kredisë.

Megjithëse moratoriumi u mbyll në fund të muajit gusht, dispozitat lehtësuese shtesë lanë hapësira që bankat të ristrukturonin kredi edhe në afate më të gjata, pa e penalizuar huamarrësin.

Kjo u bë për të ndihmuar sektorë që pësuan goditje më të fortë nga kriza dhe ku pasojat priteshin të ishin më afatgjata. Kërkesa e bankave për të shtyrë këto dispozita lidhet kryesisht me problematikat e sektorëve më të goditur, si për shembull aktivitetet e lidhura me turizmin dhe transportin.

Deri tani, kriza nuk ka sjellë rritje të mëtejshme të raportit të kredive me probleme, që në fund të tetorit ishin në nivelin 8.3%. Megjithatë, siç tha guvernatori Sejko, ky raport do të ishte më i ulët, nëse ekonomia nuk do të ishte goditur nga kriza.

Një rritje e raportit të kredive me probleme është e pritshme gjatë vitit 2021, për shkak të transmetimit të vonuar të efekteve në portofolat e bankave, çka lidhet me moratoriumin gjashtëmujor të kredive dhe me afatet rregullatore për klasifikimin e kredive me probleme./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of