Bankat janë më të prirura të japin hua, por nga ana tjetër janë bizneset që kanë ulur kërkesën për kredi, sidomos për investime. Ulja e kërkesës u ndikua nga ndjesia e bizneseve për situatën ekonomike dhe perspektivën e saj, si edhe nga besimi i biznesit dhe pritet të vazhdojë dhe në tremujorin e parë 2020. Në rënie ishte dhe kërkesa e individëve, si për kredi konsumatore, ashtu dhe për blerje banese, dnonëse kjo e fundit pritet të përmirësohet në pjesën e parë të këtij viti.
Banka e Shqipërisë ka publikuar Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e katërt, I cili bazohet në opinionet e bankave tregtare. Sipas vrojtimit, standardet e kreditimit për bizneset u lehtësuan disi në tremujorin e katërt të vitit 2019, si pasojë e lehtësimit në kategorinë e kredive dhënë për bizneset e vogla e të mesme.
Nga ana tjetër, kërkesa për kredi është perceptuar disi më e ulët nga një tremujor më parë, për të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit, dhe veçanërisht e theksuar në kreditë me qëllim financimin e investimeve. Standardet e kreditimit u vlerësuan disi të lehtësuara edhe për individët, kryesisht në kreditë e destinuara për blerjen e banesave. Kërkesa për kredi e individëve në tremujorin e fundit të vitit u raportua më e ulët, në të dyja kategoritë.
Sipas vlerësimit të bankave, standardet e kreditimit për bizneset dhe individët priten të lehtësohen më tej në tremujorin e parë të vitit 2020. Kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë në të dyja ndarjet e madhësisë së biznesit, por e diferencuar në ndarjen sipas qëllimit të përdorimit. Sipas gjykimit të bankave, kërkesa e bizneseve për kredi pritet të jetë më e lartë në kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditet, por më e ulët në ato për financimin e investimeve. Tek individët, kërkesa më e lartë për kredi në tremujorin e parë, pritet të jetë derivat i kërkesës më të lartë për financimin e blerjes së banesave, ndërkohë që kredia për financimin e konsumit perceptohet të vijojë rënien.
Lehtësohen standardet e kredisë për bizneset
Standardet e kreditimit për bizneset u lehtësuan disi në tremujorin e katërt të vitit 2019, kryesisht në sajë të lehtësimit të raportuar për bizneset e vogla e të mesme. Bankat mbajtën të pandryshuara standardet e kreditimit në kategorinë e bizneseve të mëdha, si edhe në kreditë dhënë për mbulimin e nevojave për likuiditete apo investime.
Për tremujorin e parë të vitit 2020, bankat presin të lehtësojnë disi standardet e kreditimit për bizneset, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe sipas qëllimit të përdorimit të kredisë.
Sipas gjykimit të bankave, lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset u ndikua nga shtimi I konkurrencës në sistemin bankar, si edhe nga kostot dhe kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni i kapitalit apo i likuiditetit të bankave. Nga ana tjetër, perceptimi i bankave për një rrezik të shtuar lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, me kolateralin, si edhe situatën ekonomike e perspektivën për të, ndikuan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit. Gjithashtu, toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut veproi në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit.
Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja akorduar bizneseve mbetën të pandryshuar nga një tremujor më parë. Marzhet mbi kreditë normale vijojnë të raportohen më të ulëta, përkundrejt shtimit të tyre për kreditë me rrezik. Kushtet e tjera u raportuan të balancuara me një tremujor më parë, ku shtimi i madhësisë së kredisë për biznese kompensoi kushtëzimet më të larta nga marrëveshja e kredisë.
Bie kërkesa për kredi për investime
Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua disi më e ulët në tremujorin e fundit të vitit. Rënia e kërkesës për kredi u raportua më e theksuar në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve.
Kërkesë disi më e ulët nga një tremujor më parë u perceptua në të dyja ndarjet e biznesit sipas madhësisë, në atë të biznesit të vogël e të mesëm, si edhe në atë të madh. Kërkesë disi më e lartë u raportua vetëm për kreditë e dhëna në mbulimin e nevojave për likuiditet.
Për tremujorin e parë të vitit 2020, bankat u shprehën se presin një shtim të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve, e shtrirë në të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit, por e kufizuar vetëm në kreditë dhënë me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet. Kredia për investime, sipas gjykimit të bankave, pritet të jetë e ulët edhe në tremujorin e parë të vitit 2020.
Sipas perceptimit të bankave kërkesa më e ulët për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2019, u ndikua nga ndjesia e bizneseve për situatën ekonomike dhe perspektivën e saj, si edhe nga besimi i biznesit. Po ashtu, rritja e përdorimit të burimeve alternative në formën e kredive nga bankat e tjera, si edhe nevojat më të ulëta për financimin e investimeve u vlerësuan me ndikim negativ tek kërkesa për kredi në tremujorin e katërt. Si faktorë me ndikim në shtimin e kërkesës për kredi u raportuan nevojat më të larta për: rifinancimin e borxheve ekzistuese dhe ristrukturimin e kompanive; si edhe financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues. Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit u perceptua si një faktor i favorshëm për zgjerimin e kërkesës për kredi.
Më lehtë për individët të marrin kredi
Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan disi në tremujorin e fundit të vitit 2019, kryesisht në sajë të lehtësimit të tyre në kreditë dhënë për blerje banesash. Bankat u shprehën se mbajtën thuajse të pandryshuara standardet e kreditimit në kreditë konsumatore. Në tremujorin e parë të vitit 2020, bankat planifikojnë lehtësim të standardeve mbi kreditë akorduar individëve, në të dyja kategoritë.
Trysnia e shtuar nga konkurrenca, si edhe toleranca më e lartë e bankave ndaj rrezikut u vlerësuan si faktorët që diktuan lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e katërt. Në të kundërt, perceptimi i bankave për një rrezik të shtuar lidhur me aftësinë paguese të individëve, si edhe me ekzekutimin e kolateralit, kanë vepruar në kahun shtrëngues të standardeve për kreditë akorduar individëve në tremujorin e katërt të vitit.
Kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u raportuan të pandryshuara në tremujorin e katërt të vitit. Të gjitha elementet që përbëjnë kushtet e termat e kreditimit, si në komponentin e marzheve, ashtu edhe në atë të kushteve të tjera u raportuan të njëjta me një tremujor më parë.
Faktorët me ndikim në kushtet e termat e kreditimit për individët u raportuan thuajse të njëjtë me një tremujor më parë, me përjashtim të konkurrencës në sistemin bankar, shtimi i së cilës vlerësohet të ketë vepruar në kahun lehtësues të kushteve e termave të përgjithshëm të kreditimit.
Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e ulët në tremujorin e fundit të vitit, si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për financimin e blerjes së banesave. Në tremujorin e parë të vitit 2020, sipas gjykimit të bankave, kërkesa për kredi e individëve pritet të jetë disi më e lartë, e përqendruar vetëm në kategorinë e blerjes së banesave. Kërkesa për financimin e konsumit në tremujorin e parë të vitit pritet të jetë më e ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.