Huaja e Bankës së Shqipërisë për bankat tregtare pësoi rënie në muajin gusht, pasi ishte rritur për disa muaj me radhë, pas shfaqjes së krizës së Covid-19.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huaja për bankat zbriti në 39.1 miliardë lekë, rreth 2.3 miliardë lekë më pak krahasuar me korrikun.
Huaja për bankat tregtare përgjithësisht jepet nëpërmjet marrëveshjeve të anasjella të riblerjes (REPO), ndërsa instrumentet e tjera përdoren më rrallë.
Në muajin mars, Banka e Shqipërisë ndryshoi formën e marrëveshjeve të riblerjes, duke iu siguruar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Kjo bëri që huaja të rritej ndjeshëm në mars, ndërsa në prill, rritja u frenua lehtë, ndoshta për shkak të mbylljes masive të ekonomisë. Pas majit, huaja për bankat përmes REPO-ve rifilloi rritjen, duke arritur në muajin korrik një tepricë prej 41 miliardë lekësh, çka përfaqësonte nivelin më të lartë në pothuajse dy vjet.
Ulja e huasë nga banka qendrore, në thelb, tregon se gjatë gushtit, sistemi bankar ka pasur më pak nevojë për likuiditet. Kjo mund të lidhet me disa faktorë.
Një faktor me ndikim të konsiderueshëm në gjendjen e likuiditetit të bankave ka qenë shtyrja e kësteve të kredive. Ndryshimet e përkohshme rregullative iu lejuan bankave të shtyjnë pagesat e kredive nga klientët gjatë periudhës mars-gusht. Banka e Shqipërisë përllogariste në mesin e këtij viti se vlera e kësteve të shtyra arriti në pothuajse 27 miliardë lekë.
Ky likuiditet shtesë, që iu dha frymëmarrje bizneseve dhe familjeve, nga ana tjetër, krijoi një boshllëk tek bankat. Megjithëse sistemi përgjithësisht është mjaft likuid, shtyrja e gjerë e pagesave në disa raste mund të ketë krijuar nevoja për likuiditet, të mbuluara me hua nga banka qendrore.
Rënia e portofolit të REPO-ve pas muajit korrik mund të jetë ndikuar edhe nga rifillimi gradual i pagesave të kësteve të kredisë. Sipas bankave, jo të gjithë klientët që aplikuan për shtyrjen e parë të muajit mars, preferuan të vijonin me një shtyrje të dytë tremujore. Kjo ka sjellë përmirësim të pagesave dhe të fluksit të hyrjes së parasë në llogaritë e bankave.
Një faktor me peshë ndoshta edhe më të madhe mund të ketë qenë ulja e kërkesës së qeverisë për borxh në tremujorin e tretë. Bankat rritën ndjeshëm investimin në këto instrumente, sidomos në periudhën mars-qershor. Në gjysmën e parë të vitit, qeveria e rriti stokun e borxhit të brendshëm me afro 43 miliardë lekë dhe bankat ishin blerësit kryesorë të instrumenteve të reja të emetuara. Kjo mund të ketë krijuar boshllëqe të përkohshme likuiditeti, të mbushura nga bankat përmes REPO-ve.
Të dhënat e gushtit tregojnë se trysnia e likuiditetit që shkaktoi pandemia e Covid-19 mbi sistemin financiar të vendit mund të jetë në zbutje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.