Banka Qendrore prezanton raportin e stabilitetit financiar. Ajo kërkon që qeveria të shlyejë detyrimet nga kompanitë kontraktore për të rritur likuiditetet dhe për të ulur kreditë e këqija në sistem
Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të japë kontributin e saj për qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vend. Analizat e BSH-së kanë evidentuar se ritmi i rritjes së kredive me probleme është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e fundit të vitit 2011 dhe në fillim të 2012-s, por ato po cenojnë fitimet e bankave, prandaj Banka e Shqipërisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave në një takim jopublik, që të shlyejë sa më shpejt detyrimet ndaj firmave kontraktore.
Rritja vjetore prej rreth 12% e kredisë ka ardhur në masën më të madhe nga biznesi, që ka edhe normën më të lartë të kredive me probleme në raport me individët.
Testet e rezistencës apo stress-testet e kryera nga Banka e Shqipërisë kanë konfirmuar se në tërësi, sistemi bankar është në gjendje t’ju rezistojë goditjeve, por banka të veçanta mund të kenë nevojë për shtim kapitali gjatë dy viteve të ardhshme.
“Treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë së sektorit bankar paraqiten në nivele të mira, por aftësia e tij për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme vijon të mbetet e përqendruar në banka të veçanta”, bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e saj.
Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta të tregut paraqitet në nivele të ulëta, ndërkohë që kreditimi përfaqëson sfidën kryesore për veprimtarinë e sektorit bankar. Zhvillimet në mjedisin ekonomik rrethues të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe gjendja financiare e familjeve dhe bizneseve, sipas BSH-së vlerësohen të ngjashme me ecurinë e tyre afatmesme.
Mesatarja gjashtëmujore e rritjes së kredisë për individët është 4.91% në gjysmën e dytë të vitit 2011, krahasuar me 3.79% në gjysmën e parë.
Sipas anketimit të Bankës Qendrore, rreth 81% e familjeve huamarrëse paguajnë deri në 30% të të ardhurave mujore për të shlyer huanë, 9% paguajnë 31-50% të të ardhurave dhe 6% paguajnë mbi 50% të të ardhurave.
Rreth 70% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndryshim të aftësisë paguese në 6-mujorin e kaluar, duke iu referuar momentit të intervistimit, 26% kanë deklaruar përkeqësim dhe rreth 5% kanë deklaruar përmirësim të aftësisë së tyre paguese. Kreditë në euro tek individët vijojnë të mbeten të ulëta, ku 94% janë në lekë.
Edhe për 6-mujorin e parë të 2012-s, 78% e familjeve huamarrëse nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese.
Tek bizneset, 33% kanë zgjeruar veprimtarinë, duke kryer investime, ndërkohë që 50% e tyre pohojnë që kanë aktualisht një hua për të paguar. Rreth 38% e bizneseve kanë marrë kredi për të financiar shpenzimet e tyre, ndërsa për investime afatgjatë kanë marrë 35.7% e të anketuarve. Ajo që bie në sy është fakti se 70% e bizneseve pohojnë se shpenzimi për pagesën e huasë është rritur dhe 66.3% e tyre nuk parashikojnë të marrin kredi në gjashtëmujorin e ardhshëm.
Dhjetor 2011
Individët
Depozitat Kreditë
+96.4 mld lekë -380 milionë lekë
Bizneset
Depozitat Kreditë
-1.8 mld lekë +51.6 mld lekë
Burimi: Banka e Shqipërisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.