Sektori bankar arriti të reduktojë afërsisht me një të katërtën portofolin e kredive të këqija gjatë vitit të kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky portofol u tkurr me 23% krahasuar me vitin 2020, duke dhënë ndikimin kryesor në uljen e raportit të kredive me probleme. Një ndikim pak më të vogël, por sidoqoftë të rëndësishëm në uljen e këtij raporti dha edhe rritja e tepricës së kredisë, që, sipas Bankës së Shqipërisë, u zgjerua me 10.2% gjatë vitit kalendarik 2021.
Banka e Shqipërisë nënvizon në raportin e saj vjetor se bankat tregtare kanë shtuar përpjekje për adresimin e kredive me probleme dhe kanë arritur të mbledhin një pjesë të tyre. Në të njëjtën kohë, ato kanë vijuar me procesin e fshirjes të një pjese të kredive të humbura nga bilancet e tyre dhe riklasifikimin e kredive me probleme drejt klasave më cilësore.
Këto masa kanë rezultuar në rënien e ndjeshme të tepricës së portofolit të kredive me probleme për të gjitha klasat e tij, por rënia më e madhe, në terma nominale dhe relative, është regjistruar në kredinë e klasifikuar si “e dyshimtë”. Klasa e kredive “të dyshimta” është e katërta ndër pesë kategoritë e klasifikimit cilësor të kredisë, mbështetur në rregulloren përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Kreditë klasifikohen si të dyshimta kur principali ose interesi nuk është paguar për një periudhë prej 181 deri 365 ditësh nga data e pagesës së këstit ose kur gjendja financiare e kredimarrësit, kapitali dhe flukset hyrëse të parasë vlerësohen si të pamjaftueshme për përmbushjen e plotë të detyrimeve, kredimarrësi shfaq probleme likuiditeti, dhe deklarimi i kredimarrësit në paaftësi paguese vlerësohet si një mundësi reale.
Cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet gjatë vitit të kaluar, duke shënuar nivelin më të ulët që prej krizës financiare të vitit 2008. Treguesi i kredive me probleme zbriti në nivelin prej 5.65% në fund të vitit 2021, nga 8.11% një vit më parë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme ka vazhduar rënien edhe gjatë muajve të parë të këtij viti. Në fund të muajit shkurt, ky tregues zbriti më tej në nivelin 5.4%.
Rënia e shpenzimeve për mbulimin e humbjeve të mundshme nga portofoli i kredisë me probleme dhe edhe kontributin më të madh në përmirësimin e rezultatit financiar të sektorit bankar vitin e kaluar.
Shpenzimet për provigjione u ulën me afërsisht nëntë herë krahasuar me vitin 2020. Sektori bankar e mbylli vitin 2021 me një rezultat financiar pozitiv prej 22 miliardë lekësh (sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë) nga 17 miliardë lekë një vit më parë.
Megjithatë, rritja e shpejtë e inflacionit dhe normave të interesit kanë krijuar brenda pak muajsh një situatë sfiduese, që mund të japë pasojat e veta edhe në cilësinë e portofolit të kredisë dhe në përfitueshmërinë e sektorit bankar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar-shkurt, sektori bankar raportoi një fitim neto në vlerën e 2.3 miliardë lekëve, me një rënie prej afërsisht 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.