Bankat po përgatiten për fazën më të madhe të reduktimeve të vendeve të punës që nga kriza financiare globale, sepse drejtuesit e këtyre institucionev janë nën presion për të ulur kostot pas kolapsit të të ardhurave nga bankat e investimeve.
Pushimet nga puna – të cilat pritet të arrijnë shifrat e dhjetëra mijëra njerëzve në të gjithë sektorin – do të zhbëjnë punësimet masive të bankave që filluan gjatë viteve të fundit, si dhe hezitimin për të pushuar stafin gjatë pandemisë Covid-19.
“Reduktimet e vendeve të punës që pritet të vijnë në të ardhmen do të jenë shumë brutale”, tha Lee Thacker, pronari i firmës së rekrutimeve në fushën e shërbimeve financiare, Silvermine Partners. “Kjo do të përbëjë një rikthim në normalitet, pasi bankat përgjatë dy 2-3 viteve të fundit vetëm kanë punësuar staf të ri.”
Bankat, duke përfshirë Credit Suisse, Goldman Sachs, Morgan Stanley dhe Bank of New York Mellon, kanë filluar të reduktojnë numrin e punonjësve të tyre me më shumë se 15,000 në muajt e fundit dhe ekspertët e industrisë presin që edhe banka të tjera do të ndjekin të njëjtin shembull.
“Ne kemi parë disa paralajmërime në sektorin financiar të SHBA,” tha Thomas Hallett, një analist në Keefe, Bruyette & Woods.
“Investitorët duhet të shohin se menaxherët po marrin masa për të reduktuar kostot, në një përpjekje për të ruajtur nivele të arsyeshme të fitimeve. Europianët me shumë mundësi do të ndjekin shembullin e bankave amerikane.”
Ana Arsov, bashkëdrejtuese e bankingut global në Moody’s, tha se ajo priste që reduktimet e vendeve të punës do të jenë më pak të rënda sesa gjatë krizës financiare, por më të rënda se kolapsi i tregjeve në vitet 2000.
“Ajo që po shohim është thjesht rikuperimi i pushimeve nga puna të stafit të bankave, pasi këto ishin pezulluar gjatë viteve të fundit,” tha ajo. “Ne do të shohim reduktime të stafit edhe në bankat europiane, por jo në të njëjtat nivele sa në bankat amerikane.”
Drejtuesit e bankave thanë se pushimet nga puna në Goldman, të cilat janë pjesë e përpjekjes më të madhe të kompanisë për uljen e kostove që nga kriza financiare, kishin krijuar një precedent që do të ndiqet edhe nga bankat e tjera.
“Lajmet që vijnë nga Goldman po përshpejtojnë vendimmarrjen e të tjerëve,” tha një ekzekutiv i industrisë i cili ka njohuri për planet e disa bankave. “Është koha më e mirë për të shpallur reduktime masive të vendeve të punës, nëse thjesht ndiqet shembulli i Goldman.”
Banka e Wall Street filloi një proces të shkarkimit të 3,200 punonjësve javën e kaluar, të cilët përbëjnë 6.5 për qind të fuqisë së saj punëtore, teksa presioni ndaj shefit ekzekutiv David Solomon për të përmirësuar fitimet e bankës është duke u shtuar./ Financial Times