Bankat presin që kriza të prekë ndjeshëm fitimet edhe vitin e ardhshëm

15/10/2020 11:00 PM 0 komente

Bankat parashikojnë që efektet e pandemisë të japin një ndikim të ndjeshëm në rezultatin financiar të sektorit edhe për vitin e ardhshëm.

Mbështetur në komunikimin e Bankës së Shqipërisë me bankat tregtare rreth efekteve të pritshme të krizës në sistem, bankat janë shprehur se presin që të përballen me rënie të cilësisë së kredisë dhe rritje të provigjioneve, pavarësisht ristrukturimeve të kryera, në kushtet e pasigurisë që shoqërojnë ecurinë e pandemisë.

Bankat janë shprehur se do të njohin provigjione në mënyrë aktive që këtë vit, por efekti i rritjes së tyre mbi rezultatin financiar të bankave pritet të shtrihet edhe përgjatë vitit 2021.

Bankat raportuan se pranuan mbi 90% të kërkesave të huamarrësve për shlyerje të kësteve të kredisë, pas moratoriumit me dy etapa që përfshiu periudhën nga mesi i muajit mars e deri në fund të gushtit. Tek kreditë e ristrukturuara mbizotëruan kreditë që para pandemisë, kishin status performues, çka tregon se kryesisht nga moratoriumi gjetën mbështetje ata huamarrës që u ndikuan nga pandemia.

Në përgjithësi, format e ristrukturimi mbizotërohen nga shtyrja e pagesës së këstit dhe paralelisht zgjatja e afatit të maturimit të kredisë. Ristrukturimet kanë përfshirë kredi të bizneseve që kanë vepruar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ku peshë më të madhe zunë industria përpunuese, tregtia dhe turizmi, ndërsa peshë më të ulët kanë pasur transporti dhe bujqësia.

Nga afërsisht dy miliardë euro portofol i kredive të shtyra, rreth 85% e kësaj shume i takon bizneseve. Vlera e kësteve të shtyra për bizneset dhe individët arriti në pothuajse 27 miliardë lekë ose rreth 217 milionë euro, çka përfaqëson njëkohësisht edhe efektin në likuiditetet e institucioneve financiare, si rezultat i shtyrjes së arkëtimeve të kësteve.

Për tetëmujorin e këtij viti, sektori bankar raportoi një rezultat financiar pozitiv në vlerën e 10.4 miliardë lekëve, në rënie me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deri tani, vlerësohet se rezultati financiar nuk është ndikuar shumë nga pasojat e pandemisë, pasi deri në fund të muajit gusht bankat ishin të çliruara nga detyrimi për të riklasifikuar dhe provigjionuar kreditë e ristrukturuara./Ersuin Shehu

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of