Bankat raportuan një lehtësim në standardet e kreditimit për bizneset, për herë të parë pas pesë tremujorësh në shtrëngim të vazhdueshëm.
Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti lehtësimi i standardeve u shfaq si për kreditë dhënë për financimin e investimeve, ashtu dhe ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Standardet e lehtësuan sidomos për bizneset e vogla e të mesme, që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha.
Lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset në tremujorin e dytë të vitit u arrit nga toleranca më e lartë kundrejt rrezikut, kryesisht në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm. Sipas opinionit të bankave, në kahun lehtësues të kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset
ndikuan konkurrenca në sistemin bankar, si edhe kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilancet e
bankave.
Tremujori i dytë i vitit ishte pozitiv jo vetëm në këndvështrimin e kërkesës, por edhe atë të ofertës. Sipas bankave. kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua dukshëm në rritje, për të gjitha segmentet dhe për të gjitha qëllimet e përdorimit.
Kërkesa më e lartë për kredi nga bizneset në tremujorin e dytë, sipas gjykimit të bankave u përcaktua nga shtimi i nevojave për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, financimin e investimeve, rifinancimin e borxheve ekzistuese dhe financimin për ristrukturimin e kompanive. Gjithashtu, kreditë nga bankat e tjera, niveli i përshtatshëm i normave të interesit, si edhe përmirësimi i besimit të bizneseve u raportuan si faktorë që sollën shtimin e kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e dytë.
Në projeksionet e tyre për tremujorin në vazhdim, bankat shprehen se standardet e kreditimit për bizneset priten të lehtësohen më tej. Bankat parashikojnë standarde më të lehtësuara kreditimi për tremujorin e tretë, si në kreditë e dhëna për qëllime investimi, ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Po ashtu, standardet e kreditimit priten të lehtësohen më tej edhe për kreditë ndaj bizneseve të vogla e të mesme, ndërkohë që në segmentin e biznesit të madh, ato vlerësohen të mbeten të pandryshuara.
Parashikimet janë pozitive edhe për kërkesën dhe bankat gjykojnë se në tremujorin e tretë kërkesa për kredi e bizneseve do jetë sërish e lartë, si nga bizneset e vogla e të mesme, ashtu edhe nga bizneset e mëdha. Rritja e kërkesës pritet të vijë sidomos nga kredia për financimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.