Sektori bankar ristrukturoi rreth 29 miliardë lekë kredi gjatë vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredive të ristrukturara u rrit me rreth 39% krahasuar me vitin 2020. Ristrukturimet u shtrinë kryesisht në gjysmën e parë të vitit, me pothuajse 76% të shumës totale të ristrukturuar.
Në 6-mujorin e dytë, shuma e ristrukturimeve ra ndjeshëm, duke reflektuar edhe përmirësimet e ndjeshme të aktivitetit ekonomik dhe zbutjen e efekteve të pandemisë në aktivitetin e subjekteve huamarrëse. Në vlerë, kredia e ristrukturuar gjatë vitit 2021 ishte sa 4% e tepricës së përgjithshme të kredisë.
Nëse gjatë vitit 2020 gati 90% e kredisë së ristrukturuar i takonte bizneseve, vitin e kaluar kredia e risturkturuar u nda pothuajse në mënyrë të barabartë mes bizneseve dhe individëve. Mes bizneseve, më shumë ristrukturime u kryen në segmentin e ndërmarrjeve të mesme, rreth 28% e totalit.
Në tepricën e kredisë së marrë nga bizneset, kredia e ristrukturuar gjatë vitit 2021 zë rreth 3%, ndërkohë që kredia e ristrukturuar për individët ishte sa 7% e tepricës së kredisë për sektorin e individëve. Rreth 90% e vlerës së kredive të ristrukturuara përfaqësohet nga kredi në monedhë të huaj.
Nga sektorët e ekonomisë sipas llojit të aktivitetit, ristrukturimet janë kryer kryesisht në ata sektorë që kanë stoqet më të larta të kredive me probleme. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i tregtisë është sektori që ka paraqitur kërkesën më të lartë për ristrukturim kredish.
Bizneset kredimarrëse nga sektori i tregtisë kanë ristrukturuar rreth 5% të stokut të përgjithshëm të kredisë dhe kredia e ristrukturuar për këtë sektor ishte sa rreth 24% e gjithë vëllimit të kredive të ristrukturuara nga sektori bankar gjatë vitit 2021.
Dy sektorë të tjerë me peshë të konsiderueshme në vëllimin e kredive të ristrukturuara gjatë vitit 2021 ishin sektori i industrisë dhe ai i ndërtimit të cilët, pas tregtisë, kanë njëkohësisht edhe peshën më të madhe në stokun e kredive me probleme. Kredia e ristrukturuar për këta sektorë ishte rreth 14 miliardë lekë ose sa 14% e kredisë së përgjithshme të ristrukturuar gjatë vitit.
Gjatë vitit 2021, pesha e kredive me probleme të mbajtura nga biznese në sektorin e industrisë ra nga 28% në 20% të stokut të përgjithshëm të kredive me probleme, për shkak të tkurrjes me rreth 50% të tepricës së kredive me probleme të këtij sektori.
Kreditë e prekura nga ristrukturimi kanë qenë në pjesën më të madhe kredi të klasifikuara si kredi standarde dhe kredi në ndjekje (dy kategoritë e kredisë që nuk klasifikohen si problematike), ndërkohë që janë ristrukturuar edhe kredi të klasifikuara si kredi me probleme. Kredia standarde zë peshën kryesore në stokun e kredive të ristrukturuara, por vëllimi i kredive të ristrukturuara ishte sa vetëm 2% e tepricës së kredive standarde.
Vlera e ristrukturimeve për kreditë me probleme ishte relativisht e ulët, me rreth 11 miliardë lekë por si peshë ndaj tepricës së kredive me probleme, ky vëllim ishte i konsiderueshëm, rreth 30%.
Format kryesore të ristrukturimit të përdorura nga bankat janë zgjatja e afatit të maturimit, kapitalizimi i interesit ose kamatvonesave, ndryshim i principalit, dhe caktimi i një periudhe faljeje për principalin ose interesin e kredisë.
Mbi 40% e kredisë së ristrukturuar është kryer në formën e zgjatjes së afatit të maturimit. Pjesa tjetër është kryer duke ndryshuar principalin (30%), nëpërmjet kapitalizimit të interesit ose kamatëvonesave (13%) si dhe duke falur për një periudhë kohe principalin ose interesin (10%)./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.