Shoqata Shqiptare e Bankave njoftoi ditën e premte se të gjitha bankat tregtare që operojnë në Shqipëri kanë vendosur të heqin komisionet për transfertat bankare në drejtim të Ukrainës si edhe të përfituesve individë dhe institucioneve shtetërore nga Ukraina.
Sipas njoftimit zyrtar nga Shoqata e Bankave, kjo masë do të lehtësojë të gjithë ata që do të duan të kontribuojnë me ndihma dhe donacione për institucionet shtetërore, organizata të tjera jo fitimprurëse dhe qytetarë apo grupe qytetarësh në nevojë për të përballuar situatën e vështirë të krijuar nga veprimet luftarake të Rusisë në Ukrainë.
“Industria bankare, duke ndjekur me vëmendje zhvillimin e situatës në Ukrainë, duke
analizuar me kujdes efektet e mundshme që ky konflikt të ketë në ekonominë shqiptare,
drejtpërdrejt apo nëpërmjet tregjeve të tjera, mbetet në solidaritet të plotë me popullin e
Ukrainës në të drejtën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial,” thuhet në njoftimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Një masë e tillë do të zerojë kostot e transfertave bankare drejt Ukrainës, për të lehtësuar dërgesat financiare që synojnë të mbështesin shtetin dhe familjet ukrainase për t’u përballur me pasojat e sulmit rus. Transfertat ndërkombëtare që nisen nga bankat tregtare në Shqipëri kryhen nëpërmjet llogarive që ato mbajnë në bankat korrespondente jashtë vendit. Me këtë nismë, edhe sektori bankar shqiptar i bashkohet kompanive që kanë ofruar mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, një numër i madh biznesesh në të gjithë botën janë solidarizuar nëpërmjet ofrimit të shërbimeve falas të biznesit drejt këtij vendi. Kjo përfshin ofrimin e trasnfertave bankare dhe financiare falas nga institucionet financiare, thirrjeve telefonike falas drejt Ukrainës dhe ofrimin e shërbimit roaming falas për individët që përdorin numrat përkatës në Ukrainë nga kompanitë e telekomunikacioneve, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.