Tani kur janë ashpërsuar masat për karantinën për shkak të Covid 19, bankat po i ftojnë gjithnjë e më shumë klientët e tyre që të bëjnë pagesat online.
Banka Kombëtare Tregtare rekomandon përdorimin e kartës contactless. Në faqen zyrtare, BKT njofton klientët e saj “Mbroni vetën nga Covid-19, duke shmangur pagesat cash dhe ato në sporteve. Karta Contactless për të bërë blerje pasi në këtë mënyrë shmanget prekja e parave, e cila mund të jetë burim infektimi. Banka bën thirrje që të përdoren kanalet dixhitale e-banking për individë dhe biznese.
Gjithashtu Banka Raiffesen ka nisur nëpërmjet smartpay, si mënyra më e re e të paguarit shpejt dhe sigurt me anën e një karte contactless Mastercard.
Intesa Sanpaolo u kërkon klientëve të përdorin Digital/Internet banking në telefon apo kompjuter sa herë që është e mundur në vend që të shkoni fizikisht në Degën tuaj të Bankës (është më e lehtë, merr më pak kohë dhe shmang kontaktin fizik me njerëzit e tjerë.
OTP bank gjithashtu nisi fushatën për të sqaruar klientët e saj për pagesat online.”Është momenti të shmangim kontaktet fizike sa më shumë të mundemi”.
Alpha Bank i rekomandon klientët të përdorin të gjitha kanalet alternative si terminalet për pagesa me kartë POS, e-Banking falas si edhe tërheqje nga ATM, për të cilat sigurohemi çdo ditë që të kenë mjaftueshmëri kartëmonedhash.
Union Bank rekomandoi të shmangen sa më shumë frekuentimin e degëve të Bankës dhe inkurajoi UB Online për kryerjen e transaksioneve bankare. “|Përdorni kartat tuaja të debitit dhe kreditit për blerje në mënyrë që të shmangni kontaktin me monedhat dhe kartëmonedha. Union Bank nuk ofron komision për blerjet në pikat shitëse dhe online. Gjithashtu me kartat contactless ju mund të kryeni blerje pa qenë e nevojshme vendosja e PIN”.
Bankat dhe institucionet financiare në Shqipëri, dy javët e fundit po bëjnë thirrje për kryerjen e pagesave online dhe përdorimin e kartave bankare, sidomos atyre pa kontakt.
Qarkullimi i lartë cash në ekonominë shqiptare rrezikon të jetë një përhapës potencial i Covid 19. Për shkak të përmbajtjes poroze është gjetur se virusi rri për një kohë të gjatë te kartëmonedhat dhe monedhat.
Shqipëria është vendi me qarkullimin më të lartë të cash-it në Europë, ku 22% e parasë gjithsej qarkullon jashtë bankave, nga më pak se 10% që është ky tregues për shtetet e tjera. Vendi ynë ka dhe përdorimin më të ulët të kartave bankare.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që i referohet një studimi të EY Research, thuhet se 39 për qind e të rriturve mbi 15 vjeç kanë një llogari bankare në Shqipëri kundrejt 91 për qind që është mesatarja e vendeve të OECD.
Edhe më keq janë shërbimet e pagesave online. Në një anketë të kohëve të fundit Instituti i kërkimeve IDRA në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave gjeti se vetëm 37 për qind e të anketuarve kishin një eksperiencë me bankën në 5 vitet e fundit.
Produkti më i përdorur është karta e debitit, instrumenti me të cilën tërhiqen para cash nga bankommatet.
OBSH shpjegon se koronavirusi mund të jetojë në sipërfaqe të pajetë për “një kohë të gjatë”, megjithëse askush nuk e di saktësisht se sa kohë, pasi Covid-19 është kaq i ri. Koha e mbijetesës së virusit varet nga sipërfaqja dhe kushtet”, thotë Haas. Sa më e ulët të jetë temperatura, aq më e gjatë është koha e mbijetesës. Nëse temperatura është më e ngrohtë, koha e mbijetesës së virusit zvogëlohet. Qëndrueshmëria e virusit do të ulet gjatë kësaj kohe, duke zvogëluar rrezikun e transmetimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.