Në gjykimin e bankave tregtare, standardet e kreditimit u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit 2020, sipas Vrojtimit të Aktivitetit të Kredisë së Bankës së Shqipërisë.
Shtrëngimi i standardeve u manifestua si në kreditë dhënë bizneseve për financimin e investimeve apo mbulimin e nevojave për likuiditet, ashtu edhe në ato akorduar individëve me qëllim blerjen e banesave apo financimin e konsumit. Bankat vërejtën një rënie të përgjithshme të kërkesës për kredi në tremujorin e parë të vitit 2020. Rënia e kërkesës për kredi nga bizneset u perceptua në të tre ndarjet e biznesit sipas madhësisë, si edhe për çdo lloj qëllimi të përdorimit të kredisë. Po ashtu, rënia e theksuar e kërkesës për kredi nga ana e individëve u shpreh në të dyja kategoritë, si në atë për blerje banesash, ashtu edhe në atë për financimin e konsumit.
E njëjta tablo me tremujorin e parë pritet edhe në tremujorin e dytë të vitit 2020. Kështu, bankat presin shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit, si në segmentin e bizneseve ashtu edhe atë të individëve. Shtrëngimi i standardeve mbi kreditë për bizneset dhe individët pritet të shfaqet në të gjitha kategoritë dhe nënndarjet e secilit prej segmenteve përkatëse. Kërkesa për kredi po ashtu pritet të jetë edhe më e ulët në tremujorin e dytë të vitit, si nga ana e bizneseve (të vogla, të mesme e të mëdha), kryesisht për qëllime investimi, ashtu edhe nga ana e individëve, për blerje banese dhe financim konsumi.
Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19
KREDIA PËR BIZNESE
Standardet e kreditimit
Standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit 2020. Shtrëngimi i standardeve të kreditimit ishte më i theksuar në kategorinë e bizneseve të vogla e të mesme, si edhe në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve.
Në tremujorin e dytë të vitit 2020, bankat presin një shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit për bizneset, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe sipas qëllimit të përdorimit të kredisë.
Sipas gjykimit të bankave, shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset ishte derivat i perceptimit për një rrezik të shtuar lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, situatën ekonomike e perspektivën për të, si edhe me kolateralin. Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit në këtë tremujor. Në të kundërt, shtimi i konkurrencës në sistemin bankar, si edhe kostot e kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni i kapitalit apo i likuiditetit të bankave, u raportuan si faktorë me ndikim lehtësues në standardet e kreditimit.
Kushtet dhe termat e kreditimit
Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja akorduar bizneseve mbetën të pandryshuar nga një tremujor më parë. Megjithatë, kushtet e tjera joçmim u raportuan më të shtrënguara nga një tremujor më parë, të shprehura në reduktim të madhësisë së kredisë, kushtëzime më të larta në marrëveshjet e kredive, si edhe ulje të maturitetit maksimal së kredisë akorduar për bizneset. Nga ana tjetër, komisionet më të ulëta të aplikuara në disbursimin e kredive në tremujorin e parë ndikuan në kahun lehtësues të kushteve të tjera joçmim për bizneset. Marzhet mbi kreditë normale vijojnë të raportohen më të ulëta, përkundrejt shtimit të tyre për kreditë me rrezik.
Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19. Nga ana tjetër, kostot e fondeve dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci u raportuan si faktorë me ndikim lehtësues në kushtet e termat e kreditimit për bizneset.
Kërkesa për kredi
Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rënie në tremujorin e parë të vitit 2020. Rënia e kërkesës për kredi ishte e shpërndarë në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit. Gjithashtu, kërkesë e dobët u vlerësua si për kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve, ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditete.
Për tremujorin e dytë të vitit 2020, pritjet e bankave konverguan në rënie të mëtejshme të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve, e shtrirë në të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit, më e theksuar në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve.
Sipas perceptimit të bankave, kërkesa më e ulët për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2020, u ndikua nga ndjesia e bizneseve për situatën ekonomike dhe perspektivën e saj, si edhe nga besimi i biznesit. Po ashtu, rritja e përdorimit të burimeve alternative në formën e kredive nga bankat e tjera, apo përdorimit të burimeve të brendshme të financimit, si edhe nevojat më të ulëta për financimin e investimeve u vlerësuan me ndikim negativ tek kërkesa për kredi në tremujorin e parë të vitit 2020. Si faktorë me ndikim pozitiv në zgjerimin e kërkesës për kredi u raportuan nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si edhe mungesa e burimeve alternative të financimit në formën e kredive nga institucionet financiare jobanka, apo emetimit dhe riblerjes së letrave me vlerë.
KREDIA PËR INDIVIDË
. Standardet e kreditimit
Standardet e kreditimit për individët u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit 2020. Shtrëngimi i standardeve u aplikua si në kreditë për blerje banesash, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit. Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët pritet të jetë edhe më i theksuar në tremujorin e dytë të vitit, si në kreditë konsumatore ashtu edhe në ato për blerjen e banesave.
Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët u shkaktua nga perceptimi për rrezik të shtuar lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të, si edhe aftësinë paguese të kredimarrësit. Po ashtu, toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit. Në të kundërt, trysnia e shtuar nga konkurrenca ndikoi në lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e parë.
Kushtet dhe termat e kreditimit
Kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit 2020. Shtrëngimi i tyre u arrit nëpërmjet marzheve më të larta të aplikuara mbi kreditë normale, reduktimit të madhësisë së kredisë dhe shtimit të komisioneve.
Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët u diktua nga perceptimi për rrezik të shtuar nga ana e bankave. Faktorët e tjerë që ndikojnë kushtet e termat e kreditimit për individët u raportuan të pandryshuar.
Kërkesa për kredi
Kërkesa e individëve për kredi u perceptua me rënie të theksuar në tremujorin e parë të vitit, si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për financimin e blerjes së banesave.
Në tremujorin e dytë të vitit 2020, kërkesa për kredi e individëve pritet të pësojë rënie të mëtejshme, në të dyja kategoritë.
Sipas gjykimit të bankave, pothuajse të gjithë faktorët që ndikojnë kërkesën për kredi nga ana e individëve kanë qenë në kahun negativ në tremujorin e parë të vitit. Kështu, nevojat më të ulëta në financimin e blerjes së banesave dhe të konsumit, si edhe rifinancimit të borxhit, përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit, shtimi i kredive nga bankat dhe institucionet e tjera financiare jobanka, zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe rënia e besimit konsumator sollën reduktimin e theksuar të kërkesës për kredi në tremujorin e parë të vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.