Kredia e bankave për ekonominë u gjend në një presion të dyfishtë në tremujorin e parë të vitit 2019 për shkak të shtrëngimit të mëtejshëm të kushteve të bankave dhe nga ana tjetër uljen e mëtejshme e kërkesës për kredi nga bizneset e mëdha.
Banka e Shqipërisë raportoi sot se, bazuar në perceptimet e bankave tregtare, standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan disi në tremujorin e parë të vitit 2019, në sajë të shtrëngimit të lehtë të standardeve për kreditë me qëllim investimi dhe ato për likuiditete, e lokalizuar në segmentin e biznesit të madh.
Kërkesa për kredi e bizneseve u vlerësua më e ulët, duke qenë më evidente në segmentin e bizneseve të vogla e të mesme, për të dyja llojet e kredisë, atë për likuiditete dhe atë për investime.
Standardet e kreditimit për individët u raportuan disi të shtrënguara, për kreditë me qëllim blerje banese. Kërkesa për kredi e individëve në tremujorin e parë të vitit, sipas gjykimit të bankave, ishte më e ulët si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe ato konsumatore.
Në tremujorin e dytë të vitit 2019, bankat presin të aplikojnë standarde kreditimi disi më të lehtësuara për bizneset, ndërkohë që kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë në të dy segmentet. Standardet e kreditimit priten të lehtësohen edhe për individët në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke qenë në të njëjtën linjë me pritjet e bankave për një kërkesë të shtuar nga kjo kategori.
Standardet e kreditimit për biznese, në tremujorin e parë të vitit 2019, u raportuan lehtësisht të shtrënguara nga një tremujor më parë.
Shtrëngimi i standardeve u perceptua në segmentin e bizneseve të mëdha, si edhe për të dyja llojet e përdorimit të kredisë, atë për investime dhe për likuiditete. Në segmentin e bizneseve të vogla e të mesme, standardet ishin pak më të lehtësuara se një tremujor më parë. Bankat u shprehën se presin t’i lehtësojnë disi standardet e kreditimit për bizneset në tremujorin e dytë të vitit 2019, më së shumti në kreditë e destinuara për qëllime likuiditeti dhe në segmentin e biznesit të madh.
Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit për bizneset, në tremujorin e parë, u raportua ndikimi i faktorëve të lidhur me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave, të tillë si: aftësia paguese e kredimarrësit, situata ekonomike dhe perspektiva e saj, si edhe rreziqet lidhur me kolateralin; si edhe toleranca e bankës ndaj rrezikut. Në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit, veproi kryesisht trysnia nga konkurrenca në sistemin bankar.
Kushtet dhe termat e kreditimit Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja akorduar bizneseve u raportuan të pandryshuara nga një tremujor më parë. Megjithatë, marzhet e aplikuara mbi kreditë normale, si edhe ato me rrezik, u vlerësuan disi më të larta nga një tremujor më parë. Po ashtu, edhe kushtet e tjera joçmim, të lidhura me kërkesën për kolateral në raport me madhësinë e kredisë, reduktimi i madhësisë së kredisë, si edhe kushtëzimet nga marrëveshja e kredisë, vepruan disi në shtrëngimin e kushteve dhe termave të përgjithshëm të kreditimit për bizneset.
Kostot dhe kufizimet nga bilanci, si dhe perceptimi i rrezikut, u raportuan si faktorë me ndikim negativ tek kushtet dhe termat mbi kreditë akorduar bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2019.
Kërkesa e biznesëve të mëdha për kredi më rënie
Kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua më e ulët në tremujorin e parë të vitit 2019. Ajo u raportua më e ulët si në kreditë për qëllim investimi, ashtu edhe në atë për likuiditete. Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të vogla e të mesme.
Në tremujorin e dytë të vitit 2019, bankat presin një kërkesë të shtuar të bizneseve për kredi. Kërkesa vlerësohet të jetë më e lartë si nga bizneset e mëdha, ashtu edhe nga ato të vogla e të mesme. Po ashtu, bazuar në opinionet e bankave, kërkesa e bizneseve pritet të jetë më e lartë si në kreditë për qëllime likuiditeti, ashtu edhe ato për investime. Faktorët e perceptuar nga ana e bankave në përcaktimin e një kërkese më të ulët për kredi të bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2019, ishin: rënia e nevojës për financimin e likuiditeteve; përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit nga ana e bizneseve; situata e perceptuar ekonomike dhe 5 perspektiva e saj; besimi i biznesit; si edhe nevojat më të ulëta për financim nga ana e bizneseve, si pasojë e ristrukturimit të kompanive.
Shtrëngohen kushtet edhe për individët
Standardet e kreditimit Standardet e kreditimit për individët u raportuan disi më të shtrënguara në tremujorin e parë të vitit 2019. Shtrëngimi i lehtë i standardeve u raportua në kreditë për blerje banese, ndërkohë që standardet në kreditë konsumatore ishin disi më të lehtësuara nga një tremujor më parë. Bankat u shprehën se presin të aplikojnë standarde të lehtësuara kreditimi për individët, në të dyja kategoritë, në tremujorin e dytë të vitit 2019.
Standardet e kreditimit për individët u shtrënguan në sajë të: rritjes së kostove dhe kufizimet e shtuara nga pozicioni kapital i bankës; perceptimit të bankës për rrezik më të lartë të lidhur si me aftësinë paguese të kredimarrësit, ashtu edhe me kolateralin. Nga ana tjetër, në kahun lehtësues të standardeve ndikuan kostot e kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni i likuiditetit të bankave, si edhe zhvillimet aktuale dhe perspektiva për tregun e banesave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.