Bankat zgjeruan sërish portofolin e investimeve të tyre në letra me vlerë gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Të dhënat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në fund të marsit ky portofol arriti vlerën e 594 miliardë lekëve, në rritje me 29 miliardë lekë që nga fillimi i vitit. Krahasuar me një vit më parë, vlera e letrave me vlerë në bilancin e bankave tregtare është rritur me më shumë se 16%.
Sipas të dhënave të mbështetura në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) investimet e bankave në tituj kanë arritur tashmë vlera edhe më të larta në raport me portofolin neto të kredisë, që në fund të marsit kishte vlerën e 581 miliardë lekëve, me një rritje modeste prej rreth dy miliardë lekësh që nga fillimi i vitit. Me IFRS, rritja e portofolit të kredisë rezulton më e ulët krahasuar me statistikat sistemike që publikon Banka e Shqipërisë. Kjo përgjithësisht vjen për shkak të diferencave në vlerën e provigjioneve mes dy standardeve të raportimit financiar, që i zbriten vlerës bruto të portofolit.
Mbështetur në raportimet e Shoqatës Shqiptare të bankave, tashmë letrat me vlerë përbëjnë rreth 37% të aktiveve totale të sektorit bankar shqiptar. Investimet e bankave në tituj u rritën ndjeshëm sidomos pas pandemisë, fazë që u shoqërua me një rritje të huamarrjes së qeverive përmes emetimit të letrave të borxhit. Bankat në Shqipëri ishin ndër blerësit kryesorë të këtyre instrumenteve, duke përfshirë ato të emetuara në tregun e brendshëm, por edhe eurobondit që u tregtua në tregjet e huaja. Rritja e borxheve publike pas pandemisë u vlerësua nga bankat si një mundësi e mirë për të investuar në instrumente me kthime të kënaqshme dhe me rrezik më të ulët në raport me huadhënien për sektorin privat. Megjithatë, besohet se bankat kanë rritur edhe investimin në tituj të tjerë, të emetuesve jashtë Shqipërisë, duke zhvendosur një pjesë të mirë të likuiditeteve të lira në valutë, që mbaheshin në formë depozitash.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar bankat i zgjeruan investimet në tituj të emetuar nga subjekte jorezidente me rreth 30%. Në prani të normave reale negative të interesit për mbajtjen e depozitave, bankat kanë preferuar që të tentojnë rritjen e përfitimeve duke investuar më shumë prej fondeve të tyre të lira në tituj. Për fondet në valutë, investimi në letra me vlerë është nxitur edhe nga zhvendosja e ndjeshme e kredisë drejt lekut, që ka krijuar më shumë likuditete të lira në valutë të huaj. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.