Drejtori i përgjithshëm i “Bankers Petrolium”, Leonidha Çobo, ka sqaruar për monitor.al se operacionet e Bankers Petroleum në asnjë rast nuk shkaktojnë lëkundje toke dhe kompania Bankers e dënon aktin ‘vandal’ të derdhjes së naftës bruto nga disa banorë të fshatit Zharrëz, si edhe dëmin ekologjik të përmasave katastrofike.
“Ne kemi marrë masat për të pastruar këtë ndotje brenda 24 orëve dhe konfirmon se e ka kthyer sipërfaqen e ndotur në gjendjen e mëparshme”, thotë Çobo.
Nga shkarkimi i depozitave janë derdhur 1000 tonë naftë dhe dëmi ekonomik që i është shkaktuar kompanisë nga derdhja e depozitave të naftës, llogaritet në 1 milionë dollarë.
Shkak për protestat e banorëve e fshatit Zharrëz (që çoi në sulmin ndaj depozitave) janë sipas banorëve shpërthimet e shpeshta që po i shkatërrojnë banesat e tyre, duke i çarë muret dhe duke thyer xhamat. Banorët fajësojnë kompaninë kanadeze për tronditjet e tokës, por shefi i Departamentit të Sizmiologjisë, Llambro Duni, ka konfirmuar se specialistët e tij kanë shkuar për verifikim në terren dhe nga informacionet rezulton se lëkundjet kanë qenë lëkundje tërmeti.
Të irrituar, të dielën (17 qershor) në mëngjes banorët dolën nga shtëpitë e tyre dhe iu drejtuan rrugës nacionale Fier- Berat, për të protestuar. Më pas sulmuan depozitat e dekantimit të naftës të cilat ndodhen në anë të kësaj rruge, kanë hapur rubinetet e 12 depozitave me kapacitet 30 metër kub për secilën, duke derdhur një sasi të konsiderueshme nafte në tokë.
Ndërkohë, edhe drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Besjan Pesha zhvilloi një takim në Fier me banorët e Komunës së Zharrës dhe përfaqësues të Benkers Petrolium dhe deklaroi se do të ngrihet një grup pune me specialistë të fushës për të zbardhur fenomenin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.