Bankierët qendrorë gati të veprojnë teksa bota përgatitet për zgjedhjet greke

15/06/2012 8:21 AM 0 komente

Bankat qendrore të vendeve më të mëdha po qëndrojnë gati që të ndërmarrin veprime, përfshirë aksione të koordinuara, për të stabilizuar tregjet, teksa ekonomitë botërore përgatiten për një stuhi të mundshme financiare, ose panik publik pas zgjedhjeve të paqarta në Greqi këtë fundjavë, sipas Reuters.

Britania njoftoi se ajo do të furnizonte sistemin e saj bankar me cash, teksa kriza e euros po ndikonte në ekonominë e vendit.

Zyrtarët nga kombet e G20, liderët e të cilëve do të takohen në Meksikë gjatë javës që vjen, thanë se bankat qendrore ishin gati për të ndërmarrë hapa me qëllim stabilizimin e tregjeve, në rast se do të ishte e nevojshme, duke ofruar likuiditet dhe për të parandaluar çdo tkurrje të kreditit pas zgjedhjeve të së dielës.

Kanadaja është gati të veprojë, në rast se situata përkeqësohet seriozisht ose në rast se do të ketë një goditje të jashtme, tha Andrew MacDougall, një zëdhënës i kryeministrit.

Banka e Japonisë nuk e ndryshoi normën e politikës monetare të premten, duke mbajtur masat mbrojtëse si rezervë në rast se do të jetë e nevojshme pas zgjedhjeve greke. Kina dhe India po punojnë për plane rezervë, kanë thënë zyrtarë nga këto vende.

Në Europe, autoritetet gjithashtu kanë parashhtruar plane për t’u marrë me kriza të tilla si në rast se grekët zbrazin llogaritë e tyre bankare, nëse partia e SYRIZA, që ka premtuar të bllokojë paketën shpëtuese të FMN/BE, arrin një fitore vendimtare të dielën.

Lideri i SYRIZA, Alexis Tsipras ka pohuar se marrëveshja e Greqisë me huadhënësit ndërkombëtare, që ka ndihmuar ta çojë vendin në depresion, nuk do të zgjaste përtej kësaj fundjave.

“Memorandumi i falimentimit nuk do të shkojë përtej të hënës,” tha Tsipras, i cili ka dalë me shpejtësi nga politika e re për të sfiduar partitë kryesore.

SYRIZA po garon rrotë më rrotë me konservativët.

Aksionet e bankave greke u rritën më shumë se 20% të enjten, si rrjedhojë e zërave në treg se sondazhet po tregonin se pas zgjedhjeve të 17 qershorit kishte të ngjarë që të formohej një qeveri pro paketës shpëtuese.

Gati për të furnizuar me para

Zyrtarët e G20 thanë se bankierët qendrorë ishin gati që të siguronin mjaftueshëm para në sistemin financiar, në rast se në tregjet do të konstatohet mungesën e tyre pas zgjedhjeve në Greqi, që përkojnë me ato në Egjipt dhe Francë.

“Bankat qendrore po përgatiten për veprime të koordinuara për të siguruar likuiditet,” tha një zurtar i lartë i G20.

Në varësi të nivelit të ndonjë krize, ministrat mund të mblidhen në mënyrë urgjente të hënën ose të martën, ggjatë samitit të Meksikës të liderëve të G20, që përfshin ekonomi të mëdha në zhvillim, si Kina.

Ministrat e eurozonës pritet që të zhvillojnë një takim të dielën vonë, për të diskutuar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve.

Një zyrtar i lartë i zonës euro tha se shqetësimi kryesor, në rast se SYRIZA do të fitojë zgjedhjet, ishte rreziku i flukseve të larta dalëse të kapitalit nga Greqia, në rast se depozituesit shqetësohen se kursimet e tyre në euro mund të ngrijnë, ose të konvertohen në dhrahmi.

“Nuk ka madje as nevojë që ata të vrapojnë në bankë të hënën pas zgjedhjeve. Njerëzit mund të logohen në Internet banking dhe të bëjnë transferta edhe të dielën,” tha një zyrtar, duke shpjeguar racionalitetin e konferencës së ministrave.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of