Barcelona ka folur shumë për “leva ekonomike”, ndërkohë që klubi kalalanas përpiqet të përmirësojë financat e veta, por s’mund të mbështetet më te Champions League, pasi u eliminua që në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm Europian për Klube për sezonin e dytë me radhë.
Para se të zbriste në fushë në “Camp Nou”, përballë Bayern München dje në mbrëmje, Barçës iu desh të përballej me realitetin që në vitin 2023 do të luajë në Europa League dhe jo në kompeticionin kryesor të futbollit europian.
Pas barazimit dramatik 3 – 3 me Inter, dy javë më parë, skuadra katalanase kishte nevojë që Viktoria Plzeň t’i bënte një nder dhe të merrte pikë kundër skuadrës italiane. Por Interi fitoi 4 – 0 duke shënjuar fatin e Barçës.
Sikur të mos mjaftonte, Barça humbi më pas 3 – 0 përballë Bayern München, i cili e ka mundur skuadrën katalanase në 6 takimet e fundit.
Në këtë seri disfatash, Barça ka pësuar 22 gola nga Bayern dhe ka shënuar vetëm 4, asnjë në katër takimet e fundit.
“Sot nuk ishim në nivelin e Bayern – deklaroi para gazetarëve, trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. – Ata ishim më të zotë. Në Mynih ishim vetvetja, por sot (dje) ata ishin më të fortë. Eliminimi para ndeshjes na kushtëzoi psikologjikisht”.
Portieri i Barçës, Marc-Andre ter Stegen, shtoi: “Natyrisht, ndikoi fakti që u eliminuam para ndeshjes. Ishte një ndjesi e çuditshme. Ishte më shumë një çështje krenarie, por ne nuk mund të përballeshim me Bayernin sonte. Ata shënuan gola në momente kyçe dhe ne nuk ishim në lartësinë e duhur”.
Pasi është kualifikuar në fazën eliminatore të Champions League në 17 sezone radhazi, Barça nuk mundi të dalë nga faza e grupeve për dy sezone radhazi.
Pasi shpenzoi më shumë se 150 milionë dollarë në verë për transferime – pjesa më e madhe e të cilave të financuara nga shitja e të ardhurave televizive dhe nga asetet e klubit – kualifikimi në fazën e një të tetave në Champions League konsiderohej i rëndësishëm për bilancin e Barcelonës.
Në fillim të muajit, zv.presidenti financiar i Barcelonës, Eduard Romeu, deklaroi se borxhet, që arrinin në 1.35 miliardë euro (1.35 miliardë dollarë) – nga të cilat 676 milionë u detyroheshin bankave – ishin reduktuar në 1 miliard, sipas vlerësimeve të klubit – raporton Reuters.
Pavarësisht eliminimit nga Champions League, Xavi me sa duket ka ende mbështetjen e bordit.
“Duhet të shikojmë përpara – deklaroi presidenti i Barçës, Joan Laporta. – E dinim që në këtë proces të rindërtimit të ekipit do të kishte ulje-ngritje”.
“Mesazhi për tifozët është të shohim përpara. Xavi bëri që të luajnë gjithashtu edhe të rinjtë, në mënyrë që ata të rriten”.
/ CNN