Bashkëpunimi i biznesit privat me sektorët e mbrojtjes dhe strukturat e rregullta ushtarake kombëtare dhe në kuadër të aleancave, gjithmonë brenda një kuadri të mirëpërcaktuar ligjor, është i nevojshëm dhe i rëndësishëm, pasi ndikon në rritjen e aftësisë mbrojtëse të vendit dhe në kryerjen e misioneve ndërkombëtare
Nga Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë
Bashkëpunimi i qeverive me industrinë ushtarake private është në realitet një fenomen antik, zhvillimet dhe ndryshimet e ndodhura gjatë ditëve tona lidhen me formën që i është dhënë gamës së gjerë të produkteve të ofruara”[1].
Duke iu referuar këtij fakti, pra historikut të gjatë të bashkëveprimit të qeverive apo strukturave të ngjashme qeverisëse me sektorë të cilët ne sot i quajmë biznese private, si ka evoluar kjo marrëdhënie në ditët e sotme?
Qeveritë bashkëpunojnë me biznesin privat në forma dhe mënyra të ndryshme, për të plotësuar dhe për të rritur nivelin e kapaciteteve ushtarake dhe atyre mbrojtëse në drejtim të burimeve njerëzore, niveleve të larta shkencore, prodhimin e arsenalit luftarak, përfitimin e shërbimeve logjistike, informimit, stërvitjes etj.
Duhet kuptuar se në të gjitha rastet, marrëdhënia me të tretët, kompanitë, shoqëritë, subjektet e ndryshme të kontraktuara i shërben strukturave shtetërore të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, me qëllim që forcat e armatosura ushtarake të përqendrohen në misionin e tyre kryesor dhe në operacionet e mirëfillta ushtarake. Ky bashkëpunim ndikon në rritjen e aftësive mbrojtëse të vendit, si dhe plotësimin e objektivave gjatë kryerjes së operacioneve ushtarake.
Është e rëndësishme të theksojmë se anëtarësimi në Aleancën Atlantike është pasuar nga kushte dhe koncepte të reja. “Mbrojtja”, impenjimi i strukturave shtetërore të sigurisë dhe mbrojtjes, sot nuk kupton vetëm ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit, por më larg, ndërhyrjen apo organizimin e operacioneve ushtarake dhe atyre paqeruajtëse në kuadër të aleancës edhe aty ku “prodhohen dhe shpërndahen” konflikte, pasi “një sulm i armatosur kundër një aleati do të konsiderohet një sulm ndaj të gjithëve”[2].
Në këtë terren dhe marrëdhënie të re politiko-ushtarake, bashkëpunimi i biznesit privat me strukturat shtetërore të sigurisë dhe mbrojtjes, shtrihet edhe jashtë kufijve territorialë të vendit, pasi ky biznes “ndjek” dhe mbështet operacionet ushtarake kudo që ato zhvillohen, duke e ngritur në kushte dhe terrene të reja nivelin e marrëdhënieve të kontraktimit.
Dimensioni ekonomik dhe i sigurisë
Dimensioni mikroekonomik, analizimi i termave ekonomikë dhe potencialeve teknologjike, niveli i programeve të bashkëpunimit, kompensimet, kostot ekonomike dhe interesi i kontratave ushtarake, rregullat e prokurimit dhe kontraktimit, duhet të përbëjnë bazën dhe argumentin kryesor për fillimin e bashkëpunimit me biznesin privat, duke e parë këtë marrëdhënie gjithmonë në interes të rritjes së sigurisë dhe aftësisë mbrojtëse të vendit.
Bashkëpunimi, përveç termave ekonomikë dhe përfitimit të ndërsjellë, duhet të përshkohet nga një linjë, bosht i vetëm, rreth të cilit bashkohen të gjithë aktorët, mënyrat, format dhe përpjekjet e mundshme të cilat kanë si qëllim forcimin e sigurisë dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Për “mirëmbajtjen” e linjës, boshtit të bashkëpunimit, duhet të kujdeset shteti, në mënyrë që brenda apo rreth tij të mos ketë “ngjyrime politike”.
Biznesi privat është i orientuar dhe motivuar më shumë drejt interesave ekonomike, krahasuar me ato politike. Ky fakt duhet të përbëjë edhe qendrën e rëndesës së bashkëpunimit.
Duke analizuar tendencën që ka biznesi privat drejt rritjes së nivelit të bashkëpunimit me strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes, vërehet se ai tenton gjithmonë e më shumë drejt “futjes në tregun e mbrojtjes”. Aktualisht, bizneset private shfaqen në dy forma kryesore:
- Kompanitë private ushtarake (Private Military Companies)
- Kompanitë private të sigurisë (Private Security Companies). Në vendin tonë, këto kompani quhen Shoqëritë Private të Sigurisë Fizike (SHPSF)
Me një emërtim të përbashkët, këto biznese quhen “Kompani private ushtarake dhe të sigurisë”. Për të kuptuar përse këto kompani private, të quajtura më lart biznese, ndikojnë në rritjen e aftësive mbrojtëse dhe operacionale, mund t’u referohemi faktorëve që ndikuan në krijimin dhe zhvillimin e tyre, si dhe shërbimeve kryesore që këto kompani ofrojnë. Organizimi dhe zhvillimi në fund të shekullit XX i “ndërmarrjeve private ushtarake”, lidhet me tre faktorë kryesorë:
- Reduktimi në shkallë të gjerë i forcave ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, krijoi një “tepricë” të personelit ushtarak të kualifikuar që mbeti i lirë në tregun e madh të punës.
- Politikat e privatizimit të shërbimeve publike, atje ku ishte dhe sa ishte e mundur.
- Rritja e vazhdueshme e konflikteve rajonale dhe krijimi i vatrave të nxehta.
Kompanitë private
Kompanitë private, ndryshe nga koncepti i organizimit dhe ndjesia që kanë strukturat e mercenarëve, paraqiten edhe si biznese ndërkombëtare, të regjistruara ligjërisht, të cilat vendosin marrëdhënie kontraktuale me qeveri, biznese të fushave të tjera, organizata qeveritare dhe joqeveritare
Disa nga shërbimet kryesore që këto kompani ofrojnë janë si më poshtë:
- Kompani që kryejnë shërbime ushtarake të natyrës ofensive, të cilat janë në gjendje të furnizojnë me forca operacionale direkt në një konflikt të armatosur dhe kanë në inventarin e tyre luftarak mjete ofensive, sulmuese, të teknologjisë së lartë.
- Kompani që ofrojnë konsulencë ushtarake, të cilat ofrojnë shërbime, trajnime stërvitore, si dhe konsulencë të natyrës ushtarake, si dhe shërbime të sigurisë private, mbrojtje gjatë transportit të teknikës luftarake, mbrojtjen e objekteve kritike, etj.
- Kompani për mbështetje ushtarake dhe logjistike, të cilat ofrojnë shërbime logjistike, mbështetëse të natyrës “joluftarake”, siç janë; mirëmbajtja e armatimit, operacione çminimi, administrimi i bazave ushtarake, si dhe shërbime të inteligjencës investigative, mbrojtjes nga sulmet kibernetike, etj.
Në evidentimet e mësipërme, përmendëm vetëm kompani që ofrojnë shërbime, por duhet nënvizuar që kompani private ushtarake, me potenciale të fuqishme, angazhohen në prodhimin e armëve, tankeve, mjeteve lëvizëse me zinxhirë, raketave, avionëve, pajisjeve informatike dhe satelitore, mjeteve detare si dhe teknikës, armatimit me teknologjinë më të avancuar.
Bashkëpunimi i bizneseve private me strukturat ushtarake, vërehet edhe në vendin tonë, ku kompani të ndryshme kanë kontrata bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme. SHPSF-të, kompanitë tona private të sigurisë fizike, ofrojnë shërbimet e sigurisë në biznese të ndryshme private ku vendin kryesor e kanë bankat e nivelit të dytë, institucione të tjera financiare, objektet e rëndësisë shtetërore, si portet, aeroportet, veprat hidrike, etj.
Në zbatim të ligjit që lejon ushtrimin e veprimtarisë së këtyre shoqërive, misioni kryesor i tyre është; – sigurimi i objekteve publike dhe private që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, – sigurimi i jetës dhe shëndetit të personave fizikë, shtetas shqiptarë ose të huaj, – transporti dhe shoqërimi i vlerave monetare e materiale, si dhe sendeve të çmuara gjatë transportit. Të gjitha këto shërbime, përpara vitit 1990, kryheshin nga Policia e Shtetit, Garda e Republikës, si dhe struktura të tjera shtetërore.
Në rast se do t’u referohemi operacioneve ushtarake të NATO-s të kryera në Irak, Afganistan, vërejmë se në këtë teatër luftimi, vepruan jo vetëm trupa të rregullta ushtarake, por edhe kompani ushtarake të kontraktuara, kompani logjistike, transporti, mjekësore, të cilat janë në sasi të krahasueshme me trupat ushtarake të aleancës.
Kompanitë private ushtarake që vepruan në Irak, Afganistan dhe veprojnë në rajone të tjera për garantimin e paqes dhe sigurisë, kryejnë dy tipe shërbimi: – shërbime të armatosura, ku përfshihet ruajtja e objekteve të rëndësishme si porte, aeroporte, baza ushtarake, siguria gjatë transporteve të ndryshme të logjistikës ushtarake, organizimi i eskortave dhe shoqërimi i personaliteteve, mbështetja e armatosur gjatë operacioneve ushtarake kundër terrorizmit, – shërbime të paarmatosura, ku përfshihen: mbështetja, organizimi i bazave ushtarake, ngritja e qendrave të koordinimit operacional, analiza dhe përpunimi i informacionit, stërvitje, trajnim i forcave të sigurisë kombëtare, etj.
Gjatë operacioneve ushtarake në Irak, kanë marrë pjesë 132,610 trupa të kompanive/bizneseve ushtarake private si dhe 141,300 trupa të rregullta ushtarake[3]. Këto shifra tregojnë përqindjen e lartë të përfshirjes së kompanive private gjatë operacioneve të paqes dhe luftës kundër terrorizimit.
Në përfundim, bashkëpunimi i biznesit privat me sektorët e mbrojtjes dhe strukturat e rregullta ushtarake kombëtare dhe në kuadër të aleancave, gjithmonë brenda një kuadri të mirëpërcaktuar ligjor, është i nevojshëm dhe i rëndësishëm, pasi ndikon në rritjen e aftësisë mbrojtëse të vendit dhe në kryerjen e misioneve ndërkombëtare, për disa arsye kryesore:
Së pari; kryerja e shërbimeve të ndryshme logjistike, stërvitore, administrative, “ndihmon dhe lehtëson” Forcat e Armatosura në kryerjen e misioneve, operacioneve të mirëfillta ushtarake.
Së dyti; kompanitë private, ofrojnë shërbime me kosto ekonomike të pranueshme, kushtojnë më pak se Forcat e Armatosura, pasi strukturat shtetërore përkatëse nuk paguajnë pensione, sigurime, trajnime, strehim, për këto kompani.
Së treti; kompanitë private ushtarake reagojnë më shpejt në shtimin e kapaciteteve në trupa dhe teknikë luftarakë, ndryshe nga forcat e rregullta të cilat duhet t’u nënshtrohen procedurave ligjore dhe vendimeve të qeverive.
Së katërti; kompanitë private qëndrojnë në treg si pasojë e parimit “kërkesë-ofertë”, ndërsa forcat e rregullta janë objekt i reformimeve dhe strukturimeve të vazhdueshme.
Së pesti; kompanitë private rekrutojnë ish-ushtarakë që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura, pra nuk shpenzojnë për shkollimin, formimin dhe trajnimin e tyre. Këto asete, vlera, ky kontingjent e ka përfituar gjatë karrierës ushtarake.
Së gjashti; praktikat e prokurimit dhe tenderimit u krijojnë mundësi strukturave shtetërore që të përzgjedhin kompanitë që ofrojnë shërbimet më të mira dhe me kosto të ulët ekonomike, kjo për arsye të konkurrencës që kanë ndërmjet tyre bizneset private.
Bota sot jeton në një kompleksitet konfliktesh, ku lufta asimetrike po “zëvendëson” luftën klasike tradicionale. Ngjarjet terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA ngritën siparin e një skene, teatri të ri luftimi, përballimi i së cilës kërkon aftësi parandaluese, reagim të shpejtë, fleksibilitet, lëvizshmëri të lartë të forcave dhe mjeteve, përballim të pasojave dhe fatkeqësive të krijuara.
Bashkëpunimi gjithnjë dhe më i madh i Forcave të Armatosura dhe atyre të sigurisë me biznesin privat që operon në fushën ushtarake, padyshim që ndikon në rritjen e kapaciteteve, aftësisë mbrojtëse të vendit, suksesit gjatë operacioneve ndërkombëtare dhe në kuadër të aleancave.
[1] Dott.ssa G.Pace, “Private military companies”,Centro Militare di Studi Strategici della Difesa italiana.
[2] Neni 5, Dispozita themelore e traktatit të NATO-s
[3] Të dhëna nga CENTCOM – Quarterly Contractor Census Report 31.03.2009 CSR Report R40682
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.