Sipas ndërtuesve, taksat po rëndojnë më së shumti kostot e ndërtimit së fundmi. Taksa e infrastrukturës, por edhe tarifa e inerteve, përqindja që kërkojnë pronarët e truallit janë disa prej arsyeve të rritjes së çmimeve nga ndërtuesit.
Ndër të tjera, ndërtuesi Sokol Kika, thotë që edhe nënçmimi i euros ka pasur një peshë të konsiderueshme te rritja e çmimeve. Pjesa dërrmuese e ndërtuesve i mbajnë çmimet në valutë, dhe zhvlerësimi me gati 15 lekë prej 2017-s ka reduktuar të ardhurat e pritshme nga ndërtuesit.
Për shkak të numrit të lartë të lejeve, Bashkia e Tiranës arkëtoi të ardhura rekord nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që arritën në 5.5 miliardë lekë, ose rreth 44 milionë euro në 2018-n. Ky është një nivel rekord, duke përbërë 42% të të ardhurave totale që Bashkia mbledh nga taksat e tarifat e veta. Bashkia ka arkëtuar nga dhënia e lejeve për ndërtime gati 60% më shumë sesa kishte planifikuar në fillim, teksa në buxhetin fillestar ishte planifikuar që të mblidhte 3.4 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Në projektbuxhetet e Bashkisë parashikohet që të ardhurat nga taksa të mbeten në nivele të larta.
Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat totale të bashkisë janë rritur me 30%, ndërsa në raport me vitin 2015, janë më se dyfishuar, duke qenë 130% më të larta.
Në raport me 2015-n, të ardhurat që Bashkia ka mbledhur nga taksat dhe tarifat pothuajse janë trefishuar. Ndikimin kryesor në këtë rritje të ndjeshme të të ardhurave e ka pasur taksa e ndikimit në infrastrukturë, gjatë tre viteve të fundit (2016-2018). Kjo taksë është kthyer në kryesoren për Bashkinë e Tiranës për dy arsye. Së pari, rritja e taksës nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe së dyti, shtimi i lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Në 2018-n, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 5.5 miliardë lekë, ose rreth 44 milionë euro, duke shënuar nivel rekord dhe duke përbërë 42% të të ardhurave totale që Bashkia mbledh nga taksat e tarifat e veta. Bashkia ka arkëtuar nga dhënia e lejeve për ndërtime gati 60% më shumë sesa kishte planifikuar në fillim, teksa në buxhetin fillestar ishte planifikuar që të mblidhte 3.4 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në Tiranë, për gjithë vitin 2018 u dhanë 388 leje ndërtimi, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, nga 231 vitin e mëparshëm. Numri i lejeve është shumë më i lartë se disa vjet më parë dhe është rekordi, të paktën që nga viti 2005. Më parë, rekordi ishte në 2010-n, me 254 leje në total.
Në rritje më të fortë ka qenë sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet. Për të gjithë vitin janë dhënë leje me sipërfaqe 940 mijë m², nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë m², ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.