Është shumë e vështirë të arrish të depërtosh në shifrat buxhetore të Bashkisë së Tiranës. Mungesa e ofrimit të të dhënave bën që si burim i vetëm për t´u njohur me to është faqja e internetit e këtij institucioni. E pikërisht në këtë faqe arrijmë të gjejmë informacione se si ka qenë konceptuar buxheti i vitit 2010 (parashikimi), të cilin do të mundohemi ta krahasojmë me realizimin faktik. Vetë drejtuesit e departamentit të planifikimit strategjik raportojnë se për të hartuar këtë buxhet janë marrë në konsideratë nevojat e shprehura të qytetarëve, nëpërmjet formave të ndryshme të komunikimit, si dëgjimet publike, takimet, letrat, sondazhet etj.
Po sipas këtyre burimeve, ndër mënyrat që përdoret për të përfshirë kërkesa nga qytetarët është ajo që njihet nga administrata bashkiake si “Transparenca për qytetin e Tiranës”. Një sondazh që kishte për bazë intervistimin e 1,500 qytetarëve (1,100 qytetarë dhe 400 biznese).
Nga drejtoria e planifikimit strategjik, shpenzimet e përgjithshme për vitin 2010 ishin parashikuar në nivelin e rreth 7,5 miliardë lekëve, ndërsa viti u mbyll me një realizim në masën rreth 5.3 miliardë lekë, pra rreth 2.2 miliardë lekë më pak. Të dhënat tregojnë se pjesën më të madhe të shpenzimeve e zënë ato korrente (1.9 miliardë lekë), ndërsa shpenzimet për investime janë realizuar në masën rreth 1.5 miliardë lekë.
Nisur nga raportimet e vetë drejtuesve të bashkisë, në faqen e internetit, investimet janë shpërndarë sipas nevojave që publiku ka diktuar. Publiku (37% e të pyeturve) ka renditur në vend të parë si sektor ku duhet të përqendrohen më shumë investimet, transportin publik dhe sinjalistikën, sipërfaqet e gjelbra dhe rikualifikimet urbane janë kërkuar nga 32% e të pyeturve, infrastruktura rrugore nga 21%, shërbimet publike dhe mjedisi janë kërkuar nga 9% e qytetarëve.
Në fillim të vitit 2010, bashkia deklaroi se të gjithë këto nevoja u reflektuan në parashikimet e buxhetit e më konkretisht për transportin publik dhe sinjalistikën u parashikua një fond prej 533 milionë lekësh. Mjedisi dhe kualifikimet urbane u parashikuan të financohen në shumën 2.5 miliardë lekë, pra 28% e të gjithë totalit të buxhetit, ndërsa infrastruktura rrugore u parashikua të ketë një fond investimi në masën e 1.6 miliardë lekëve, apo 18% e totalit të buxhetit.
Ndërkaq bashkia kishte menduar që të gjitha këto t´i realizonte me anë të të ardhurave që do të siguroheshin në masën 88% nga taksat dhe tarifat vendore që paguajnë qytetarët dhe bizneset vendore. Rreth 12% ishte shuma e planifikuar që do të financohej nga transferta e pakushtëzuar që qeveria qendrore i alokon njësive të qeverisjes vendore.
Po si janë realizuar në të vërtetë këto shifra? Të ardhurat u mblodhën vetëm në masën 55% në raport me planifikimin, edhe pse numri i bizneseve që administrohen nga bashkia erdhi në rritje (4,368 më shumë subjekte).
Basha: Do të rritet fuqia investuese
“Performanca fiskale e Bashkisë së Tiranës, veçanërisht në tre vitet e fundit është në rënie të fortë, ndërsa politika fiskale e saj është e gabuar”, është opinioni i ekspertëve të ekonomisë që qëndrojnë pranë stafit të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, lidhur me mënyrën se si e vlerësojnë ata ecurinë e buxhetit të Tiranës në këto vitet e fundit.
Ata thonë se politika fiskale e bashkisë është orientuar drejt poliferimit të llojeve e nënllojeve të tarifave dhe në rritjen e nivelit të tyre.
Ekspertët thonë se është e pakuptimtë që në listën prej 85 lloje taksash e tarifash të bashkisë ka shumë të tilla që nuk duhet të ekzistojnë fare e jo më të kenë edhe nivele të tarifave që është me dhjetëra herë më e lartë se kostoja kur parimi bazë i shërbimeve publike është që të ofrohen (si rregull) falas, dhe si përjashtim me tarifa që nuk duhet të kapërcejnë koston e shërbimit. “Nuk ka kuptim që në listën e tarifave të ekzistojnë dhënie certifikatash, si për shembull: për eksport leshi apo bretkosash me çmim 2,000 lekë, kur licencat që jepen nga Qendra Kombëtare e Licencimit apo e Regjistrimit të Biznesit janë shërbime që ofrohen me 100 lekë. Apo s´ka fare kuptim që një fotokopje format A4 e njëplanëshe të jepet me tarifë 400 lekë, kur kostoja e një fotokopjimi është më pak se 10 lekë. Të tilla ka plot në këtë listë dhe ato janë sa kosto, aq edhe bezdi për bizneset dhe qytetarët sipas rastit”, thonë ekspertët e ekonomisë pranë stafit elektoral të kandidatit Basha.
Ata vënë re se bashkia ka rritur ndjeshëm disa tarifa e megjithatë nuk ka arritur dot të mbledhë të ardhurat në nivelet e duhura.
“Tarifa e pastrimit për bizneset është rritur ndjeshëm. Tarifa minimale e pastrimit ka ndryshuar nga 20,000 lekë në vit në 30,000 lekë, ndërsa ajo maksimale nga 180,000 lekë në vit në 225,000 lekë”.
Njëkohësisht bashkia ka adoptuar një taksë speciale, të quajtur “Taksë e gjelbër”, e cila gjithashtu është rritur ndjeshëm. Niveli minimal i saj për bizneset është rritur nga 5,000 lekë në vit në 12,000 lekë në vit, ndërsa niveli maksimal i aplikueshëm është rritur nga 250,000 lekë në vit në 550,000 lekë në vit. Po kështu, pagesa për familjarët është rritur nga 300 lekë në vit në 500 lekë në vit”, thonë ekspertët.
Sipas tyre, duke qenë se ligji për taksat vendore përcakton një numër të kufizuar taksash, si dhe nivelet e tyre me një interval të ngushtë vendimmarrjeje vendore, bashkia ka përdorur lirinë e plotë që gëzon mbi tarifat, duke vendosur shumë lloje dhe në nivel të lartë.
“Kjo politikë fiskale, jo vetëm që nuk e ka ndihmuar bashkinë të rrisë të ardhurat, por ajo ka rënduar edhe kostot e bizneseve, pra ka dekurajuar shtimin në numër të tyre. Politika fiskale e bashkisë ka shkuar në kah të kundërt me politikën fiskale kombëtare, por edhe me politikat e mençura fiskale të shumë bashkive e komunave”, thonë ekspertët.
Sipas tyre, edhe struktura e shpenzimeve të bashkisë është e deformuar. “Shpenzimet administrative për 1,000 banorë të Bashkisë së Tiranës janë 40% më të larta sesa Bashkia e Shkodrës, 38% më të larta sesa Bashkia e Vlorës, 29% më të larta sesa Bashkia e Korçës, 45% më të larta sesa Bashkia e Pogradecit dhe 39% më të larta sesa Bashkia e Peshkopisë.
Shpenzimet për investime në Bashkinë e Tiranë zënë vetëm 28% të buxhetit të saj, kur mesatarja e të gjitha njësive vendore është mbi 32%. Shpenzimet për paga në Bashkinë e Tiranës zënë rreth 35% të totalit të buxhetit, në një kohë kur për qeverinë llogariten në më pak se 20% e totalit të buxhetit”, thonë ekspertët. Ata thonë se bashkia shpenzon shumë për qëllime jozhvilluese dhe, nga ana tjetër, sasia dhe cilësia e shërbimeve që ofron janë të ulëta.
Si do të përmirësohet menaxhimi i buxhetit
Po cila do të jetë politika fiskale që ka në program z. Basha? Ekspertët e stafit të tij elektoral thonë se ajo bazohet në dy parime. Në lidhje me të ardhurat fiskale do të eliminohen 60 lloje taksash e tarifash dhe do të ulën me 2-5 herë ato taksa që do të qëndrojnë në strukturë.
Sipas tyre, kjo reformë e provuar edhe në nivel qendror, por edhe në shumë vende siguron zgjerimin e bazës fiskale dhe përllogarit se i dyfishon të ardhurat fiskale të bashkisë.
Për sa i takon strukturës së shpenzimeve, pesha e investimeve do të arrijë nivelin rreth 50% të totalit të buxhetit të bashkisë, ndërsa do të ulet, për pasojë, pesha e shpenzimeve për paga. Paketa e investimeve të bashkisë do të fuqizohet edhe si rezultat i rritjes së kapaciteteve huamarrëse. “Vetëm nga këta faktorë, fuqia investuese e bashkisë do të kalojë shifrën e 200 milionë eurove për 4 vitet e ardhshme (në një kohë që në katër vitet e shkuara bashkia ka investuar më pak se 50 milionë euro). Fuqia investuese do të rritet edhe përmes përdorimit të instrumenteve të partneritetit publik privat dhe të partneritetit me qeverinë. Në total, të gjitha këto burime krijojnë një potencial investues për katër vitet e ardhshme prej mbi 1 miliard eurosh”, thonë ekspertët pranë stafit elektoral.
Sipas tyre, fuqia investuese publike shumëfishohet nga rritja e fuqisë dhe interesit investues privat, shqiptarë e të huaj.
“Investimet me burime publike do të krijojnë infrastrukturën për politikat fiskale, zhvillimin me plan, nxitjen e punësimit, nxitjen e krijimit të bizneseve të reja dhe të tjera politika të parashikuara në program. Të gjitha këto do të garantojnë një klimë të favorshme biznesi në Tiranë, që është kusht bazë për rritjen e shëndetshme të bizneseve aktuale, krijimin e bizneseve të reja dhe thithjen e kapitaleve të huaja në kryeqytet”, thonë ekspertët.
Po çfarë investimesh janë përfshirë në programin elektoral? Ekspertët e stafit elektoral thonë se fuqia investuese do të rritet në mënyrë graduale.
Sipas tyre, projektet e shpallura janë të besueshme, duke filluar nga Unaza e Madhe, tramvaji, rrugët kryesore, dytësore e deri te rrugicat e lagjeve, trotuaret, ndriçimi, ujësjellësi, kanalizimet, shkollat, qendrat shëndetësore, qendrat e kujdesit social etj. Një pjesë e fondeve për këto vepra janë tashmë të siguruara. Ata sjellin si shembull faktin se për sistemin e ujësjellësit, kanalizimeve e trajtimin e ujërave të ndotura, është siguruar nga qeveria një kredi prej 77 milionë eurosh, e destinuar për Tiranën.
Obligacionet: Qytetarët mund të investojnë kursimet
Një nga burimet kryesore të financimit për shumë bashki të vendeve të zhvilluara është emetimi i borxheve bashkiake, apo i obligacioneve bashkiake. Ndonëse kjo ide është hedhur para disa vitesh edhe për Bashkinë e Tiranës, deri tani nuk është bërë i mundur zbatimi konkret i këtij plani. Po sa të realizueshme e sheh kandidati për këtë bashki, z. Basha. Ekspertët që punojnë afër tij, thonë se kapacitetet kredimarrëse të bashkisë do të fuqizohen, si rezultat i platformës fiskale, por edhe transparencës, eficiencës së përdorimit të fondeve, kushte këto të domosdoshme kur flitet për marrjen e kredive. “Bashkia do të përpiqet të gjejë instrumente të ndryshme për sigurimin e kredive, duke filluar nga kreditë e buta, fonde nga banka zhvillimi, banka tregtare e deri tek emetimi i obligacioneve të bashkisë, që do t´iu ofrohen drejtpërdrejtë bizneseve dhe qytetarëve.
“Diversifikimi i instrumenteve të borxhit rrit si mundësitë e huamarrjes, ashtu edhe eficiencën e menaxhimit të borxhit. Është edhe bindja që qytetarët e Tiranës duhet të kenë një mundësi më shumë për të investuar kursimet e tyre”, thonë ekspertët.
Sipas tyre, në këtë mënyrë do të arrihet përfitim i shumëfishtë, duke qenë se marrja hua e bashkisë nga qytetarët shërben edhe për të forcuar përgjegjshmërinë e saj ndaj qytetarëve jo vetëm si votues, jo vetëm si taksapagues, por edhe si huadhënës.
Donacionet
“Performanca fiskale e dobët e në rënie e Bashkisë së Tiranës s´ka se si të ndihmonte në thithjen e suksesshme të donacioneve dhe kredive. Numri i projekteve dhe shkalla e suksesit të financimit të tyre nga Bashkia e Tiranës ishte shumë i vogël në raport me buxhetin e saj apo në raport me numrin e popullsisë”, vënë re ekspertët. Sipas tyre bashkitë e tjera të vendit kanë treguar më shumë aftësi në operimin në mjedise ekonomike dhe sociale.
“Ka disa bashki të mëdha, por edhe të mesme që, ose kanë arritur të marrin kredi ose janë në pragun e marrjes së tyre. Tirana është ende larg kësaj performance. Po kështu bashki të tjera të vendit kanë qenë të suksesshme në aplikimet e tyre për fonde projektesh te donatorë të ndryshëm dhe ky nuk është rasti i Tiranës”, thonë ata.
Në platformën e paraqitur nga kandidati Basha trajtohen edhe çështje të rritjes së kapaciteteve administruese, projektuese dhe të menaxhimit të projekteve e buxheteve, si dhe të identifikimit dhe sigurimit të burimeve të ndryshme të financimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.