Bashkia e Tiranës: Shumë shpejt pritet të nisin punimet për Teatrin Kombëtar me paratë e buxhetit

08/12/2020 11:02 PM 0 komente

Bashkia e Tiranës planifikon që shumë shpejt të nisë punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, i cili u prish në verë të këtij viti, pavarësisht protestave të shumta që kërkonin ruajtjen e godinës.

Në relacionin e projektbuxhetit afatmesëm 2021-2023 thuhet se “Aktualisht, Teatri Kombëtar është në fazë projektimi dhe priten të nisin shumë shpejt punimet, ndërkohë që është garantuar financimi i tij nga Buxheti i Shtetit”.

Sipas relacionit, “Projekti i prezantuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, ‘Bjarke Ingels Grop’ me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën”.

Në relacion nuk jepet një vlerë e saktë se sa do të kushtojë teatri, por në tabelat e investimeve të projektbuxhetit të Bashkisë parashikohen, në zërin e shërbimeve kulturore fonde për Studim Projektime, Oponencë Teknike, Mbikëqyrje Punimesh Kolaudim, me vlerë totale prej 232 milionë lekësh, ose më pak se 2 milionë euro, për ndërtimin e teatrit kombëtar, për periudhën 2021-2023.

Ndërsa në tabelat përfundimtare të buxhetit të shtetit 2021 nuk ka të specifikuar sa është shuma që do të financohet për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Më herët është deklaruar se kosto e ndërtimit të teatrit i kalon 30 milionë euro, shumë që nëse financohet nga buxheti, siç deklarohet në relacion, do të duhet të paguhet nga paratë e taksapaguesve.

 

Projektet e tjera

Projektet e tjera të parashikuara nga Bashkia e Tiranës në projektbuxhetin 2021 janë:

Piramida: Krijimi i një Qendre për Edukimin për Teknologjinë do të jetë koncepti bazë i përdorimit të Piramidës. Kjo qendër do të jetë një mjedis ku do të ndërveprojnë të rinjtë, duke përdorur teknologjinë më të mirë nga profesionistë të fushës, si dhe do të ndërlidhet më së miri teknologjia dhe arti. Koncepti do të jetë mësimi nëpërmjet prodhimit (Learning by doing).

Kështu Piramida do të jetë një mjedis ku do të edukohen dhe trajnohen mbi 2000 të rinj dhe të reja. Nëpërmjet këtij projekti do të aktivizohet një hapësirë prej 9460 m² për të akomoduar funksionet teknologjike dhe edukuese. Për ta realizuar këtë do të ndërhyhet fizikisht në objekt për ta kthyer në një mjedis operativ dhe funksional për sa i përket aspektit teknik.

Kopshti Zoologjik: Projekti do të zgjerojë sipërfaqen aktuale dhe do ta shndërrojë Kopshtin Zoologjik në një park zoologjik të standardeve më të larta. Përveç zgjerimit të sipërfaqeve për kafshë parashikohet krijimi i habitateve në mjedise të hapura sa më të ngjashme dhe sa më afër habitatit natyror. Përveç ndërhyrjeve në mjedise parashikohet shtimi i numrit të kafshëve. Projekti do të ofrojë një park të ri për familjet dhe fëmijët e Tiranës e mbarë Shqipërisë dhe do të jetë gjithashtu një atraksion i ri jo vetëm për kryeqytetasit, po për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj.

Kampusi Universitar: Ndërtimi i Kampusit të konsoliduar të Universitetit të Tiranës synon shndërrimin në një hapësirë moderne të një prej zonave më energjike dhe më të rëndësishme të kryeqytetit. Ndërtimi i objekteve të reja universitare në zonën e Qytetit të Studentit, integrimi i tyre me objektet ekzistuese, si dhe me objektet e tjera akademike rreth tij, do të ofrojë mjedise të bollshme e moderne për universitetin gjë që do të rrisë jo vetëm cilësinë akademike, por edhe cilësinë e jetesës për të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës.

Tirana policentrike: Po zhvillohet Organizimi i Tiranës në disa qendra kryesore dhe dytësore, të cilat do të ndihmojnë në procesin e dendësimit me anë të përdorimit të zgjuar të tokës dhe shpërndarjes së funksioneve dhe shërbimeve të njëjta në gjithë territorin. Ky prioritet ka në qendër krijimin e 5 epiqendrave urbane për kapërcimin e dyzimit qendër-periferi dhe për të nxitur zhvillimin e balancuar të qytetit. Kinostudio, Kombinati, Farkë-Qyteti Studenti, Bulevardi i Ri dhe Lapraka janë polet e parashikuara për t’u zhvilluar nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të Planeve të Detajuara Vendore.

Terminali: Është vendosur Ndërtimi i Terminalit Verior, të Transportit Publik. Në këtë terminal do të përpunohen linjat interurbane të zonës veriore, verilindore, jugore dhe Durrësit. Sipërfaqja e truallit e vënë në dispozicion, për ndërtimin e terminalit është rreth 50,000 m² dhe ndodhet në rrugën “Kastriotët” pranë mbikalimit të Kamzës.

Pjesë e këtij objekti do të jenë: vendet e hipjes dhe zbritjes së udhëtarëve, vend-parkimi i autobusëve, godina e terminalit ku do të jenë zyrat e agjencive që operojnë në këtë terminal, zonat e shërbimeve për udhëtarët, nyje sanitare, etj. Gjatë ndërtimit të këtij terminali do të merret në konsideratë që ai të sigurojë integrimin me linjën hekurudhore që kalon në kufi të pronës ku do të ndërtohet terminali. Krahas këtyre, ky terminal duhet të krijojë akses dhe për shërbimet, taksi, linjat urbane dhe përdoruesit e biçikletave.

Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA). Po punohet për krijimin e një Zone të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, në të cilën Bashkia do të ketë rolin e zhvilluesit të kësaj zone, duke përmbushur kriteret e legjislacionit në fuqi. Projekti “TEDA Kashar” parashikon realizimin e një investimi me vlerë totale prej € 102,666,431, të ndarë sipas fazave dhe hapjen e 5.000-7.000 vende pune. Projekti synon të shtrihet në një sipërfaqe prej 35 hektarësh në njësinë administrative Kashar, Bashkia e Tiranës.

Ky projekt strategjik synon të zgjerojë gamën e industrive operuese në treg, duke krijuar diversifikim për të tërhequr industri prodhuese komplekse siç janë: Industria automobile, ICT dhe Industria e pajisjeve elektronike. “TEDA Kashar” do të jetë projekti i parë i mirëfilltë, i cili inicion procesin e krijimit të Klasterave ekonomikë, sipas skemave në rajon dhe Europë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of