Enti Rregullator i Ujit ka publikuar një analizë mbi alternativat e agregimit të sektorit të ujësjellësve në vend.
Kjo reformë merr parasysh bashkimin e ujësjellësve duke unifikuar tarifat dhe shërbimin e tyre për të shkuar drejt një sektori që ka fizibilitet ekonomik. Kujtojmë që pjesa më e madhe e ujësjellësve në vend janë me humbje dhe subvencionohen nga ana e qeverisë qendrore me fonde.
Por cilat janë alternativat e agregimit të ujësjellësve dhe mundësia më e mundshme që sipas ERRU mund të aplikohet në vend. Varianti i parë sipas Entit është ai i agregimit të menjëhershëm i cili është edhe më sfiduesi dhe do të haste pengesa të shumta. Ky variant do të thotë që të gjithë ujësjellësit të bashkoheshin në një të vetëm apo disa më të mëdhenj por menaxhimi i tyre do të ishte tepër i vështirë po të kemi parasysh që janë 850 sisteme të pavarura të furnizimit me ujë dhe mbi 300 burime ujore të shpërndara në të gjithë territorin e vendit.
E njëjta analizë nënvizon se unifikimi i tarifave do të ishte tepër problematik dhe me pasoja sociale në disa zona.
“Në vendin tonë çdo shoqëri UK aplikon tarifat e veta specifike për çdo kategori konsumatorësh në zonën e saj te shërbimit. Aktualisht në vendin tonë janë në fuqi rreth 57 sisteme tarifash shërbimi UK që duhet të unifikohen. Vlera mesatare e faturës mujore në të 57 shoqëritë luhatet nga 350 deri në 2000 lekë/muaj. Për mbulimin e kostove O&M aktuale në sektor duhet të aplikohet një faturë e unifikuar për sektorin në vlerën prej rreth 1400 lekë/muaj. Vlera relativisht e larte e faturës se unifikuar do të krijonte probleme sociale për bashkitë në të cilat aktualisht aplikohen tarifa mjaft të ulëta sidomos për zonën verilindore, ku procesit duhet ti paraprihet me një politikë subvencionimi të tarifave” vlerëson ERRU.
Një tjetër element është edhe sistemi i unifikuar që duhet të aplikohet për të gjithë ujësjellësit që do të ishte i vështirë për t’u ndërtuar por edhe rifreskuar pasi do të kishte ndryshime dinamike të shumta në afate të shkurtra kohore.
Alternativa tjetër e agregimit apo bashkimit që duket se ka edhe më shumë logjikë sipas ERRU është ajo e ecurisë graduale.
“Alternativa tjetër do të ishte agregimi gradual duke realizuar një ose më shumë agregime pilot të suksesshme sipas kriterit “në baza vullnetare dhe me incentiva nga qeveria qendrore”. Në këtë rast çdo agregim pilot do të shërbejnë si shembull ose reference suksesi dhe bëshmërie për planifikimin dhe zbatimin e strategjisë në vite për të gjithë sektorin” thuhet në analizën e ERRU.
Ky i fundit ka dhënë edhe disa rekomandime duke theksuar se realizimi i këtij procesi kërkon paraprakisht zhvillimin e një anketë studimore (survey) në të gjitha bashkitë e vendit për të seleksionuar bashkitë ku është e mundshme të kryhet një agregim në baza vullnetare.
“Për seleksionimin e 2-3 shembujve pilot rekomandohet që të kihen parasysh kriteret e mëposhtme:
a) Të synohen agregime të shoqërive brenda një qarku, ku kryetarët e pushteteve vendore mundësisht të jenë të një krahu politik dhe që mirëkuptohen ndërmjet tyre.
b) Përgjithësisht agregimi duhet të behet ndërmjet një shoqërie financiarisht të qëndrueshme me një ose disa shoqëri me performancë financiare të dobët.
c) Ndërgjegjësimin dhe angazhimin paraprak të kryetareve të bashkive në lidhje me avantazhet e agregimit (ekonomi e shkallës), si mënyra më e përshtatshme për të përmirësuar performancën financiare të shoqërisë dhe cilësinë e shërbimeve ndaj konsumatorëve.
d) Agregimi duhet realizuar me vullnet të lirë dhe shoqëruar me incentiva nga qeveria qëndrore. Incentivat do të konsistojnë në kompensimin/subvencionimin për një periudhë tranzitore të deficitit financiar të kostove të O&M të shoqërisë së dobët financiare të agreguar, si dhe me incentiva investimesh fizike për zonën e re të shërbimit të shoqërisë së agreguar.
e) Me iniciativën e qeverise qëndrore (MIE) bashkitë/shoqëritë UK e seleksionuara për agregim të suksesshëm të firmosin marrëveshjet paraprake të dakortësisë për agregim, sipas një draft modeli të parapërgatitur” thuhet në analizën e ERRU. / N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ne momentin qe agregimi bazohet ne ngjyrimet politike te njesive vendore e kompromenton qellimin e tij kryesor per te mundesuar te gjithe mekanizmat e duhura per te permiresuar cilesine e sherbimeve ndaj konsumatoreve. Agregimi nuk eshte qellim ne vetvete eshte thjeshte nje mekanizem ne funksion te optimizimit te cilesise se sherbimeve qe ofrohen per konsumatoret. Vullneti i njesive vendore percaktohet nga raporti i interesave vetiake me interesin e pergjithshem per te pasur sherbime cilesore dhe me cmime te perballueshme. Rendja pas agregimit me duket energji e shpenzuar ne menyre te padobishem nderkohe qe ka mekanizma te tjere qe duhen elaboruar… Read more »