Ministria e Financave raportoi se Bashkia e Kamzës dhe ajo Durrësit ndanë nga buxheti i vitit 2018 më shumë fonde për investime. Duke përjashtuar bashkinë e Tiranës e cila alokon më shumë se 1 të tretën e fondeve për qeverisjen vendore, Bashkia e Kamzës ishte e para ndër 60 bashkitë e tjera që çoi 11 për qind të buxhetit për investime.
Sipas grafikut bashkëngjitur bashkitë me buxhetin më të lartë për investime të kryera paraqiten bashkia Kamëz, Durrës, Fier, Vorë dhe Korçë. Bashkitë me investimet më të ulta të kryera paraqiten bashkia Pustec, Belsh, Kukës, Mat dhe Konispol.
Investimet publike të kryera nga bashkitë rezultojnë të jenë rritur vitet e fundit, kjo si pasojë e transfertave ndërqeveritare për shpenzime kapitale.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve, bashkitë e kryejnë kryesisht për kategoritë: “mbrojtjen sociale”, “shërbimet e përgjithshme publike”, “strehimi dhe komoditetet e komunitetit” dhe “edukimin”.
Pjesa tjetër e shpenzimeve për nga rëndësia, shkojnë për kategoritë: “çështjet ekonomike”, “argëtimi, kultura dhe çështjet fetare”. Shpenzimet sipas funksionit për kategoritë: “mbrojtja”, “rendi dhe siguria publike”, “mbrojtja e mjedisit” dhe “shëndetësia” janë shpenzime të cilat kryhen nga qeveria qendrore dhe për këtë arsye shpenzimet për këto kategori mungojnë ose zënë një pjesë shumë të vogël.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve të kryera nga njësitë e qeverisjes vendore e zënë kryesisht transfertat e pushtetit qendror krahasuar me shpenzimet të kryera nga fonde të veta. Shpenzimet gjithsej të qeverisjes vendore rezultojnë të jenë rritur vitet e fundit, ku rritjen më të lartë e ka pësuar kategoria “shpenzimet e personelit”, e ndikuar kryesisht nga rritja e pagave në sektorin shtetëror, rritja e numrit të punonjësve për shkak të transferimit të funksioneve të reja.
Duke përjashtuar Bashkinë e Tiranës, bashkitë me buxhetin më të lartë paraqiten bashkia Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër dhe Vlorë. Ndërsa, bashkitë me buxhetin më të ulët paraqiten bashkia Pustec, Libohovë, Konispol, Këlcyrë dhe Dropull. Bashkitë e tjera janë pothuajse në të njëjtin nivel të shpërndarjes së buxhetit të disponueshëm për njësitë e qeverisjes vendore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.